• |
ide | kryesore

Video/ Everton mbijetoi, Vieira kap me shkelma një tifoz: Leeds e Burnley veprime ligjore kundër Premier League

-Instant, Sport, Video



Momente çmendurie në Goodison Park. Goli i 3-2 i Calvert-Lewin në minutën e 85-të, që sanksionoi parakalimin ndaj Crystal Palace dhe përmbysjen e Toffees, të cilët e nisën nga disavantazhi 0-2, shpërtheu një ngazëllim të vrullshëm. Në fund të lojës tribunat mbetën bosh dhe tifozët u derdhën në fushë. Njëri prej tyre, iu afrua Patrick Vieira duke e provokuar me gjeste dhe ofendime. Trajneri i Crystal Palace reagoi fillimisht duke e kapur dhe, më pas, duke e goditur me një shkelm që e rrëzoi përtokë. Për pak sa nuk lindi një sherr me një grup tifozësh të cilët fatmirësisht patën qartësinë të mos e vazhdonin sherrin.

Pamjet e incidentit, të filmuara nga disa telefona celularë, kanë qarkulluar në internet dhe tani po shqyrtohen nga Federata Angleze e Futbollit. “Nuk kam asgjë për të thënë për këtë”, tha Vieira në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me episodin e ndodhur në konferencën pas ndeshjes.

Falë kësaj fitore kundër Crystal Palace (3-2 rezultati përfundimtar), Everton ka siguruar qëndrimin në Premier League në dëm të Burnley dhe Leeds, në kuotë të barabartë pikësh, në vendin e tretë nga fundi dhe për këtë arsye do të luajë shpëtimin në javën e fundit. Megjithatë, dy klubet në fjalë, në një letër dërguar Premier League, kanë paralajmëruar se rezervojnë të drejtën për të ndërmarrë veprime ligjore për shkak të mungesës së masave të marra ndaj Toffees, të cilët kanë shënuar humbje prej 371.8 milionë paund në tre vitet e fundit.

Që muajin e kaluar, siç shkruan Daily Mail, rivalët e Everton kishin thënë se ishin të gatshëm të ndërmarrin veprime ligjore për atë që ata e konsiderojnë shkelje flagrante të rregullave të përfitimit dhe qëndrueshmërisë së Premier League, të cilat kufizojnë humbjet e klubeve deri në 105 milionë stërlina tre vjet. Një tavan të superuar nga Toffees. Nga ana e tij, klubi i Liverpool tha se respektoi të gjitha rregullat dhe ia atribuoi humbjet e tij të mëdha pandemisë Covid-19.

Në letrën e tyre, dërguar kryesisë së Premier, Leeds dhe Burnley kanë kërkuar përshpejtimin e çdo hetimi në mënyrë që çdo sanksion ndaj Everton, siç është zbritja e pikëve, të zbatohet këtë verë dhe të zbatohet në mënyrë retroaktive për sezonin 2021-2022. Duket gjithashtu se dy klubet kanë marrë mbështetjen e klubeve të tjera në ligën angleze, si Arsenal, humbja e të cilit në Goodison Park në dhjetor mund t’i kushtojë atyre një vend në Champions League dhe rrjedhimisht dhjetëra milionë paund.

“Ne kemi punuar ngushtë me Premier League për t’u siguruar që jemi në përputhje dhe konform rregullave,” tha një zëdhënës i Toffees. “Auditorët e jashtëm të klubit na kanë thënë se çfarë mund dhe çfarë nuk mund të pretendojmë për shkak të pandemisë. Nëse duan të marrin masa ligjore, mund ta bëjnë me të gjitha mjetet, ne do të mbrohemi”. Kështu që tani mbetet për tu parë nëse vërtet Premier League do të përfundojë të dielën në fushë, apo verdiktet do të jepen në një gjykatë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *