• |
ide | kryesore

“Kam këpucë 44 e unë jam 42, prej Kumbullës”: Mourinho spektakël në konferencë, ‘i çmendur’ pas stadiumit

-Instant, F1, Sport, Video



“Kjo finale është historike, është shkruar duke ardhur këtu për të luajtur, por kur mbërrin në finale, duhet të bëjmë të pamundurën për ta përfunduar historinë dhe fituar finalen”. Jose Mourinho ka shkëmbyer batuta në konferencën për shtyp para ndeshjes finale të Conference League kundër Feyenoord në Tiranë. Tekniku portugez ka në anën e tij eksperiencën dhe një skuadër favorite, por në finale gjithcka mund të ndodhë: “Kam luajtur në Superkupën e Europës Mançester Junajtid me Real Madrid në Maqedoninë e Veriut dhe ishte e mrekullueshme, ishte një vend e qytet ku ishte një festë e madhe, një mundësi e madhe, një mundësi madhe për ta për të parë skuadra të tilla, dhe e njëjta gjë vlen për Tiranën. Kemi ardhur këtu dhe e kemi kuptuar shumë shpejt që është një moment i rëndësishëm për ta, që e meritojnë. Stadiumi është shumë i bukur, Më vjen keq që kapaciteti nuk lejon të gëzojnë më shumë tifozë, por jam shumë i lumtur që vij të luaj këtu”.

Jose si gjithnjë di si t’i bëjë njerëzit për vete dhe elozhet për stadiumin dhe kënaqësinë për të luajtur në Tiranë e lidh edhe me faktin se pjesa dërrmuese e tifozerisë shqiptare do të mbështesë verdhekuqtë për një motiv të thjeshtë: “Këta njerëz gabohen pak në analizë sepse unë mendoj që arsyeja e vetme kur kanë një ndjesi pro Roma është se ka një lojtar shqiptar aty dhe mendoj se është gjëja më logjike dhe normale. Nëse fiton Roma, një shqiptar e çon kupën dhe kjo mendoj se ka një kuptim – shpjegoi portugezi, duke vazhduar historinë e lënë përgjysëm me Kumbullën, që e dëmtoi në stërvitje me një ndërhyrje të pakujdesshme – Marash më lëndoi, më dhembi dhe qeshja me vete sepse ndër të gjithë lojtarët ai ishte i fundit që duhej ta bënte këtë sepse është më i rëndi nga të gjithë, unë mendoja të vija në ndeshje me shapka. Kam marrë këpucë 44 e unë jam 42. Por Marash është një djalë i mirë, një lojtar i mirë. Ka mësuar shumë, po shumë në këtë sezon dhe vitin tjetër do të jetë 100% me ne, sepse është një lojtar me një potencial për t’u bërë edhe më i madh”.

Special One nuk është bestyt e që ta vërtetojë tregon historinë e fanellës, duke zbuluar se nuk e di me cilën do të luajë Roma nesër: “Jam nga të paktët persona në futboll që nuk ka bestytni, zihem me persona që kanë të tilla. Mbështetjen e tifozëve vetëm të bën mirë, jo keq, nëse Roma a humbur finale me njerëz në “Olimpiko” para ekranit, nuk është faji i tyre, që ta dini më kanë pyetur me çfarë fanelle do të luajmë nesër, iu thashë nuk më intereson, për mua është njëlloj”.

Në fund edhe një vlerësim për pritjen: “Shqipëria është hera e parë që vij, është një nga vendet në Europë që nuk kam vizituar më parë. Futbolli më ka çuar kudo por jo në Shqipëri. Më pëlqen të udhëtoj, më pëlqen që erdha këtu. Nuk e kam vizituar qytetin, por jam i lumtur me aeroportin se kur luajtëm ndaj Vitese, ne qëndruam në aeroport të Eindhoven për dy orë. Nuk e di pse, na kontrolluan shumë. Ndjeja se shumë nga ne trajtoheshin si kriminelë se po mundoheshin të gjenin diçka. Këtu ishte gjithçka e lehtë, ne nuk kemi mbërritur ende në hotel, por e di që është këtu në cep. Fusha është e mirë, stadiumi është shumë i bukur dhe mendoj se padyshim UEFA mund të kritikohet se stadiumi nuk ka 50-60 mijë vende, por nuk mund të kritikohet se çon futbollin në vende në zhvillim. Ndaj jam i lumtur që vij këtu dhe luaj këtë finale shqiptare nëse mund ta quajmë kështu”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *