• |
ide | kryesore

Video/ Arbitri akordon penallti, goditet me grusht në fytyrë: e shpëtojnë vetëm mburojat e policisë

-Instant, Sport, Video



E pabesueshme ajo që ndodhi në Ekuador gjatë ndeshjes së kampionatit elitar të vendit të Amerikës së Jugut, mes Macaràs dhe Aucas. Në kohën shtesë, arbitri Alex Torres Cajas akordoi një penallti në favor të miqve me ndihmën e VAR, duke shkaktuar protesta të ashpra nga vendasit. Protestat që në pak sekonda u kthyen fillimisht në kërcënime dhe më pas në fakte: arbitri u godit me grusht në fytyrë nga një anëtar i pankinës së Macaràs.

Ndeshja kishte shkuar përtej minutës së 90 kur arbitri Cajas, pasi u thirr nga VAR, vendosi të akordonte një penallti në favor të Aucas dhe në të njëjtën kohë të largonte mbrojtësin e Macaràs, Alvaro Cazula, me karton të kuq. Një vendim që ndezi protestat e pankinës së vendasve, të cilat shkuan masivisht drejt arbitrit, i cili nxorri të tjerë kartonë të kuq. Në trazirat që pasuan, siç raportohet nga gazeta ekuadoriane Elcomercio, trajneri i portierëve Héctor Chiriboga e ka goditur me grusht në fytyrë duke e rrëzuar në tokë arbitrin Cajas. Më pas, një polic e mbrojti gjyqtarin me mburojën e tij kundër trazirave, në pritje që situata të kthehej në normalitet.

I ashpër reagimi i Federatës ekuadoriane: “Ne hedhim poshtë çdo lloj agresioni, fizik apo verbal, dhe akte që kërcënojnë integritetin e të gjithë lojtarëve në futbollin ekuadorian dhe që mjegullojnë emrin dhe prestigjin e mirë të sportit tonë. Solidaritet me arbitrin Alex Cajas, i cili pasi iu nënshtrua kontrolleve rigoroze mjekësore është në gjendje të qëndrueshme”. Ndërkohë, të gjithë arbitrat profesionistë në vend kanë vendosur të bëjnë grevë: “Përballë sulmit frikacak dhe të egër ndaj kolegut tonë Alex Cajas, të gjithë arbitrat, në shenjë mospranimi dhe solidariteti për atë që ndodhi, vendosën të mos dalin në fushë në katër ndeshjet e mbetura të javës së shtatë të fazës së dytë”.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *