Nuk është hera e parë që policisë i ngelen qytetarët të vdekur në dorë. Kështu ka ndodhur edhe të mërkurën në mbrëmje, kur 32 vjeçari Lear Kurti ka humbur jetën pas një kontakti me një patrullë policie në zonën e Don Boskos në Tiranë. Ndonëse rrethanat e ngjarjes janë ende enigmatike dhe palët japin versione të ndryshme, ajo që ka ndodhur është pak a shumë kjo: I riu po kalonte në një rrugë dytësore të zonës së Don Boskos me emrin Riza Cuka, kur ai është përballur rreth orës 23:07 me një skuadër të uniformave blu. Sipas dëshmive të këtyre të fundit ai e ka refuzuar kërkesën për të ndaluar dhe paraqitur dokumentat. Pas këtij veprimi, forcat blu i janë vënë në ndjekje të riut për rreth 300 metra, derisa arritën ta ndalonin në rrugën “Don Bosko”, duke kryer më pas edhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.
Familjarët dhe të afërmit dyshojnë se ai është keqtrajtuar aty. Policët këmbëngulin se humbja e jetës ka ndodhur jo për shkak të goditjeve, por për arsye të tjera. Ajo ku palët bien dakord është se i riu ka mbërritur i vdekur në spitalin e traumës, i pa shoqëruar nga një ambulancë, por i çuar aty nga furgoni i policisë gjë që e bën edhe më të rëndë ngjarjen.
Dyshimet për të, shtohen nga versionet e ndryshme, shpesh kontradiktore dhe justifikuese që policia përhapi tek mediat e kontrolluara prej saj. Lapsi.al ka parë me lupë versionet që raportoi Report TV dhe Shqiptarja.com, media të cilat njihen për afërsinë e tyre me informacionet që do të imponojë policia.
Varianti i parë
“Burime për gazetarin e Report Tv Sokol Dema, bëjnë me dije se viktima Lear Kurti rezulton se ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe me sëmundje të epilepsisë, por nuk e ka të regjistruar në kartelën mjekësore”. Pra me këtë version dukej sikur viktima mund ta kishte humbur jetën nga kriza e epilepsisë, të cilën ata e konstatuan aty për aty që ai e kishte, madje u kujdesën të thonë se ai këtë patologji nuk e pati të shënuar as në kartelën mjekësore.
Lexo dhe:“E kanë mbytur”/ Babai i viktimës: Djali nuk kishte probleme shëndetësore
Ky version filloi të zbehej kur babai adoptues foli për Top Channel dhe mohoi se i biri i tij kishte probleme shëndetësore.
Varianti i dytë
Pas epilepsisë doli ideja e një dealer-i që shiste kokainë dhe e kishte gëllititur qesen e mbushur me lëndën narkotike që ajo mos binte në duarte policëve që e ndiqnin. Shqiptarja.com raportoi se: “32-vjeçari Lear Kurti që vdiq në duart e policisë dyshohet se kishte një dozë kokaine të cilën mund ta ketë gëlltitur kur u ndalua nga forca blu, thonë burime ende të pakonfirmuara. Kjo mund t’i ketë dhënë probleme shëndetësore ndërsa mbetet ende e paqartë se cila është arsyeja që i ka shkaktuar vdekjen. Në ekspertizën paraprake ka rezultuar se i riu Lear Kurti ka ndërruar jetë si pasojë e overdozës. Në stomakun e tij është gjetur një përmbajtje plastike disa cm ku dyshohet se viktima ka gëlltitur lëndën narkotike. Kjo substancë është dërguar për analiza të mëtejshme për të vërtetuar nëse ka qenë kokaine apo jo. Në stomakun e 30-vjeçarit ka shenja hemoragjie, çka mund të jetë shkaktuar nga gëlltitja e lendes plastike ku dyshohet se mbahej lënda narkotike”.
Varianti i tretë
Për ta përforcuar idenë e kriminalizimit të viktimës, informacionet e shpërndara nga Shqiptarja.com thuhej se 32 vjeçari kishte një shok, që kishte pas qenë pjesë e grupit të Shullazit: “Dyshohet se viktima dhe shoku i tij fillimisht kanë qenë bashkë, por me pas janë ndarë kur është afruar policia. Lear Kurti rezulton me 3 precedentë penale, vjedhje dhe droge. Ai njihet si shok i grupit të Pajtim Serjanit”.
Varianti i katërt
Fillimisht policia nuk ka pranuar se i riu i kishte mbetur në dorë, por se e kishte çuar në jetë në spital. Vetëm më pas Spitali i Traumës përgënjeshtroi duke thënë zyrtarisht se ai qe çuar direkt e në morg pasi pulsi i tij nuk rrihte më, ku version u fashit. Por brenda tij ka edhe një mister. Nëse viktima do të kishte shfaqur probleme shëndetësore në Komisariatin 3 ku e shoqëruan, policia duhet të kishte thirrur ambulancën dhe jo ta shpinte për ndihmë mjekësore me furgonin e saj që nuk jep dot ndihmën e duhur. Por edhe për këtë është shpërndarë një alibi e botuar gjithashtu tek Shqiptarja.com: “Sapo ka zbritur nga makina e policisë, gjendja e tij është përkeqësuar ndaj policia ka njoftuar ambulancën. Duke qenë se po vonohej, vendosën që ta transportonin vetë për në spitalin e Traumës, ku mbërriti pa shenja jete”.
Lexo dhe: Ndërroi jetë pasi u shoqërua/ Berisha: Policia po gënjen si me Klodian Rashën
Duke parë tendencën e përnjeherëshme për ta etiketuar viktimën si të sëmurë, si kriminel dhe person që e kishte shkaktuar vetë vdekjen e tij si pasojë e marrjes së overdozës, familjarët dhe opozita ngritën dyshimet e para. I ati tha “ma vrau shteti”. Opozita pretendoi për ushtrim dhune. Deri më tani, asnjë nga hipotezat nuk mund të vërtetohen dhe ngjarja e të riut Lear Kurti, që ndërroi jetë në duart e policisë, mbetet ende mister. Por barra e provës për të vërtetuar se nuk ka pasur asgjë të paligjshme tani i takon shtetit, sepse në pak orë ka prodhuar aq shumë alibi që kundërshtojnë njëra tjetrën, sa e ka bërë këtë vdekje të dyshohet edhe si një vrasje.
©Lapsi.al