• |
ide | kryesore

Video/ Vllaznia poker Teutës në “Loro Boriçi”: Martini merr në Shkodër pritjen që nuk do ta donte

-Instant, F1, Sport, Video
Vllaznia



Dy fitore radhazi e pastaj errësirë. Teuta dërrmohet në Loro Boriçi nga Vllaznia me një 4-0 që lë pak vend për interpretime. Skuadra e Mirel Josës dominon ndeshjen dhe i jep fund krizës së rezultateve, në mbyllje të vitit 2022. Teuta merr një goditje të fortë, duke mbetur përsëri e fundit.

Dy fitore radhazi me Edi Martinin në krye për Teutën e tre ndeshje radhazi pa fitore për shkodranët. Ajo që rëndonte edhe më shumë mbi kuqeblutë ishte se nuk kishin shënuar në 270 minuta. Ndoshta karikimi i duhur për të dominuar në Loro Boriçi, duke shënuar katër gola, dy nga të cilat me penallti. Shkodranët i bashkohen grupit të skuadrave që luftojnë për zonën e Europës.

NDESHJA

U duk se Teuta kishte impaktin më të mirë me ndeshjen, ndaj dhe goli i avantazhit i Hakaj, ishte krucial për sfidën. Vllaznia shënoi në aksionin e parë të rrezikshëm, duke ndëshkuar durrsakët me Hakajn. Goditje që skuadra e Martinit e ndjeu, sidomos pas penalltisë së fituar nga Mala. Nga pika e bardhë Kaina nuk gaboi, duke vendosur në siguri rezultatin. Teuta u fshi nga fusha dhe Zogoviç pati një ndeshje të qetë.

Lexo më tej: Video/ Sadiki shpëton Erzenin në fund: nuk ka fitues në “Niko Dovana”, Bylis mbetet në telashe

Ish-mesfushori i Partizanit Mala fitoi edhe penalltinë e dytë në pjesën e dytë. Këtë herë mundësia për tiu gëzuar golit ishte për Hoxhaj, që nuk e la rastin t’i shpëtonte. Teuta e humbi sensin e ndeshjes krejtësisht dhe kartoni i kuq për Blerim Kotobellin, vulosi fatin e ndeshjes. Në minutat shtesë, Kaina fiksoi dygolëshin personal për t’i çuar shifrat në 4-0. Tre pikë të rëndësishme për Vllazninë, me 22 pikë në vendin e katërt, në shoqërinë e Erzenit. Fundi i renditjes për Teutën edhe njëherë, në mbyllje të një viti për tu harruar.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *