• |
ide | kryesore

Ana e errët e Pelé/ Si e përdori diktatura legjendën e futbollit brazilian

-Instant, Arkiva, Kryesore, Lajme
Pelé



Legjenda e futbollit Pelé konsiderohet me të drejtë si një nga sportistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe një nga njerëzit më domethënës të shekullit të 20-të. Por në dokumentarin më të fundit në Netflix për të, të titulluar “Pelé”, argumentohet se si ai mund të kishte bërë më shumë me ndikimin e tij gjatë dekadave, që vendi ishte nën sundimin ushtarak.

Pasi bëri debutimin profesional si sulmues me Santos FC në moshën 16 vjeçare, aftësia e jashtëzakonshme e Peles për të shënuar një sasi absolutisht të çmendur golash (një rekord botëror prej 1279 golash gjatë karrierës së tij profesionale) saktësia, qëndrueshmëria dhe stili i tij intuitiv dhe i këndshëm i lojës, e ngriti atë dhe Brazilin në krye të renditjes botërore të futbollit. Ai u bë aq popullor, sa në vitin 1961 qeveria e Brazilit e shpalli atë një “thesar kombëtar” për ta penguar atë të bashkohej me një ekip futbolli tjetër.

Pelé kishte ndikim të madh mbi shokët e tij brazilianë dhe tifozët e futbollit në mbarë botën, por siç shihet në filmin e drejtuar nga David Tryhorn, ai nuk arriti ta përdorë ndikimin në situatën gjithnjë e më të rrezikshme politike të vendit.

Filloi në vitin 1964, kur qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike u përmbys me një grusht shteti ushtarak që vuri themelet e 21 vjet diktature brutale nën një varg presidentësh të pazgjedhur, por të emëruar nga ushtria. Nën diktaturë, të drejtat civile u kufizuan rëndë dhe disidentët iu nënshtruan shtypjes së egër me qindra të vrarë dhe mijëra të torturuar. Përveç kësaj, popujt indigjenë iu nënshtruan politikave gjenocidale.

Periudha më brutale ishte presidenca e Emelio Garrastazu Mediçi, i cili mori pushtetin në vitin 1969 dhe përveç shtimit të mizorive kundër kundërshtarëve sulmoi edhe gazetarët dhe madje edhe personelin diplomatik të huaj. Pelé sigurisht nuk e miratoi Mediçin, por siç tregon dokumentari, ai asnjëherë nuk foli kundër tij.

Heshtja e tij la shumë brazilianë dhe disa nga shokët e tij të skuadrës të irrituar, sipas dëshmive të dokumentarit në Netflix.

“Për shumë njerëz, shihet më pak ajo që ai bëri në fushë dhe më shumë ajo që bëri jashtë saj”, tha gazetari Paulo Cesar Vasconcellos.

“Jashtë fushës ai karakterizohet nga neutraliteti i tij politik (dhe) në atë moment të historisë kjo llogaritet kundër tij.”

Kur ekipi i Netflix e pyet Pelen nëse jeta ndryshoi pas grushtit të shtetit në 1964, ai u përgjigj: “Jo, futbolli vazhdoi në të njëjtën mënyrë. Nuk kishte ndonjë dallim të dukshëm, sigurisht jo për mua.”
I pyetur nëse qëndrimet e tij ndryshuan pasi diktatura u përkeqësua, Pele thjesht thotë në mënyrë të fshehtë në film: “Dera ime ishte gjithmonë e hapur. Të gjithë e dinë këtë. Dhe kjo përfshin kohën, kur gjërat ishin vërtet keq.”

“Unë e dua Pelé, por kjo nuk do të më pengojë ta kritikoj atë”, tha ish-bashkëlojtari i Pelé, Paulo Cezar Lima (F.K.A. Caju) gjatë dokumentarit. “Mendova se sjellja e tij ishte ajo e një zezaku që thotë ‘po zotëri’, një zezak i nënshtruar. Është një kritikë që unë mbaj kundër tij deri më sot, sepse vetëm një deklaratë e Pele do të kishte ndikuar shumë.”

Atëherë pse nuk foli? Është e vërtetë që as Pele nuk ishte i sigurtë gjatë diktaturës. Por sërish ai ishte më i sigurtë se braziliani mesatar nga Mediçi.

Diktatura e kishte njohur dobishmërinë e Peles si element të moralit kombëtar, por ka gjithashtu prova se ai mund të ketë qenë nën presion nga regjimi për të vazhduar lojën. Ai u hetua për simpatitë e mundshme të krahut të majtë në vitin 1971 nga qeveria e Mediçit. Një akuzë e rëndë, që po të mos ishte ai që ishte, do të kishte rezultuar në vrasjen dhe zhdukjen e tij nga duart e vrasësve të sanksionuar nga shteti.

“Pelé nuk i pëlqen të flasë për këtë, por kishte mesazhe nga diktatura, që i thanë se do të bënte mirë të luante në Kupën e Botës”, tha në film shoqja e tij Juca Kfouri.

“Jam ftuar të bëhem pjesë e politikës, por sinqerisht nuk kam dëshirë të përfshihem”, tha Pelé në një intervistë të vjetër të përdorur në film. “Futbolli tashmë më merr shumicën e kohës dhe në fund të fundit nuk kuptoj asgjë nga politika”./Përktheu Lapsi.al

https://www.youtube.com/watch?v=KMyUnyxVB9Q&t=4s&ab_channel=Netflix



3 Comments

  1. Pele’ u mbajt peng nga regjimi i kohes. Atij nuk i lejohej qe te blehej nga asnje klub jo Brazilian dhe u perdor si trofe levizes nepermjet organizimit te shume ndeshjeve miqesore jashte vendit. Ndaj edhe Pele ka ne jeteshkrimin e tij nje rekord ndeshjesh miqesore.

    1. O Jorgo perse te gjithe psikopatet e psikiatrise mblidhen dhe shajne ketu.
      Ma thua pak te lutem se ne cdo artikull qe lexoj ke nga dy tre psikopeter e lunatike qe vetem vjellin vrer.
      Se di cfare kategorie e mjere dhe e ulet jane,po shume bezdisje krijojne

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *