• |
ide | kryesore

“Justifikimet” e zakonshme të Colella e kanë sjellë Tiranën -1: tekniku i trajton gabimet e veta si të skuadrës

-Instant, Sport
Colella



Humbja e parë në impiantin e shtëpisë, në javën e parë të vitit 2023. Asgjë nuk shkoi si mendohej për Partizanin e teknikut Colella. Të kuqtë me një ndeshje të vetme, lejuan Tiranën të afrohet në distancë parakalimi. E kthyen në lojë për titullin një skuadër si Vllaznia, që mund ta kishin fundosur përfundimisht. Kuqeblutë e Josës përmbysën avantazhin e Maget me dy gola spektakolarë të Jonuzit e Çobës në 13 minutat e fundit të ndeshjes.

Nuk është megjithatë humbja, ajo që duhet të shqetësojë drejtuesit e Partizanit. Por fakti se edhe njëherë skuadra gabon në ndeshje shumë delikate, atëherë kur duhet të vrasë kampionatin. Jo rastësisht kjo është edhe shprehja e përdorur nga tekniku Giovanni Colella, për të përkufizuar limitet e skuadrës së tij. “Me Egnatian ishte ndeshja më e keqe e vitit – analizoi Colella -. Por kemi humbur, ishin të aftë ata, ne bëmë gabimet tona, unë i pari. Por kaq, e përsërit që nuk jemi skuadër që vret kampionatin, jemi një skuadër që do të luftojë deri në fund”. Një vlerësim i cuditshëm për një skuadër që duhet të fitojë titullin.

Colella në fakt mori përgjegjësitë e tij, duke pranuar se gaboi zëvendësimet, por ndoshta gaboi edhe formacionin. Jo për cilësitë individuale të atyre që zbritën në fushë, apo jo se ata bënë gabime që dënuan ekipin. Por për faktin se ndryshimet, duke filluar nga porta e deri në sulm, nuk po i japin vazhdimësi një 11-she titullare që duhet të ndihet e tillë, sidomos në një sezon ku kërkohet titulli dhe eksperimentet janë të tepërta.

SULMI NDAJ MAGET E “RËNIA” E STADIUMIT TË RI

Tekniku mund të jetë i pakënaqur vërtetë me ndonjë lojtar, qoftë edhe kur shënon gol, por nuk mund ta trajtojë si një befasi mënyrën e tij të lojës, kur e stërvit prej 7 muajsh. “Kur doli Telushi, vendosa Maget më përpara si gjysmë-sulmues. Ai nuk ka mësuar ende të bëjë disa gjëra dhe vendosa në vështirësi atë dhe skuadrën. Janë humbje, nëse janë të merituara apo jo, ndodh”, tha Colella pas ndeshjes.

Lexo më tej: “Në pjesën e dytë ishim nën ritëm”: Colella mbrohet edhe për aktivizimin e Zunës

Gjithësesi, në bilancin e plotë të ndeshjes apo renditjes, fajtori në këtë rast nuk është se ka shumë rëndësi. Gaboi skuadra, apo trajneri, pika e avantazhit për vendin e parë është vetëm një. E tani të kuqtë kanë edhe një kundërshtar më shumë për të menduar. Me keqardhjen gjithashtu se është shembur shpejt pathyeshmëria e stadiumit të ri, që mund të kishte qenë një shtysë më shumë në luftën për titull…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *