• |
ide | kryesore

KAS amniston televizionet lokale nga gjobat për reklamat politike

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, KAS, shpalli të hënën vendimin pas shqyrtimit të kërkesave ankimore të Ofruesve të Shërbimit Mediatik Audioviziv që kundërshtonin gjobat e vendosura ndaj tyre nga Komisioneri Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi.

KAS vlerësoi në vendim se masat administrative për mosdorëzim të tarifave zyrtare të reklamave politike në KQZ dhe në dy raste, për tejkalim të minutazhit ligjor për këto reklama, ishin të pabazuara në ligj dhe i rrëzoi ato.

KAS vendosi shfuqizimin e vendimit të Komisionerit për dënimet administrative me gjobë të vendosura ndaj OSHMA-ve ankimuese; TV Mati, Club TV, A2CNN, TV Klaudiana, Radio Saranda Televizion, TV Berati, Glob TV, TV Alpo (AMG 2000), TV Apollon, TV Kopliku, TV Best Channel, TV-Era-Digitalb dhe Televizioni Kukës.

Në vendimin e zbardhur, KAS argumenton se “…nga monitorimi i kryer nuk ka rezultuar që ndonjë prej tyre të ketë transmetuar reklama politike gjatë fushatës së zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë së datës 25 prill 2021”, duke i konsideruar të paligjshme dënimet administrative me gjobë të vendosura në dhjetor të vitit të shkuar nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.

Kodi Zgjedhor i detyron mediat audiovizive që të dorëzojnë pesë ditë para fillimit të fushatës në KQZ tarifat e reklamave politike. Gjithashtu, këta operatorë nuk mund të transmetojnë më shumë se 90 minuta kohë televizive për reklama politike përgjatë fushatës elektorale.

Argumentimi i KAS bie në kundërshtim me raportimet periodike të monitorimeve të kryera nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, ku televizionet në fjalë rezultojnë se kanë transmetuar reklama të partive dhe kandidatëve politikë për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021.

Në parashtrimet e palëve, përfaqësuesit e televizioneve lokale pretenduan se nuk e kishin zbatuar detyrimin ligjor për të dorëzuar tarifat në KQZ, pasi nuk kishin pasur plan dhe as kërkesë nga subjektet politike për të transmetuar reklama politike. Ata po ashtu pretenduan se nuk kishin transmetuar reklama politike.

Sekretari i Përgjithshëm i KQZ-së, Ylli Merkaj, i pyetur nga anëtarët e KAS nëse ishte konstatuar që këto televizione të kenë transmetuar reklama, tha se: “jemi fokusuar vetëm tek shkelja për mosdorëzim të tarifave dhe nuk e kemi shtrirë hetimin”.

Për dy raste të evidentuara nga KQZ për tejkalim të minutazhit maksimal prej 90 minutash, ankimimet ishin bërë nga A2CNN (G2 Media) dhe TV Best. Sipas KQZ-së, A2CNN e kishte tejkaluar minutazhin me 6.97 minuta, ndërsa TV BEST me 1.6 minuta – duke marrë dënime administrative me 50 mijë lekë gjobë.

KAS i rrëzoi gjobat, duke argumentuar se minutazhi i tejkaluar mund të ishte në marzhin e një gabimi njerëzor dhe se gjobat nuk ishin në përputhje me “parimin e proporcionalitetit”, duke e krahasuar me faktin që televizione të tjera e kishin tejkaluar minutazhin me dhjetra e qindra minuta dhe ishin gjobitur njësoj.

“Qëllimi i ligjvënësit nuk ka qenë dënimi administrativ për tejkalime të kësaj sasie, por për ato që e tejkalojnë minutazhin në sasi më të konsiderueshme,” thuhet në vendim.

KAS pretendon se tejkalimi me pak minuta tregon vullnetin e OSHMA-ve për të respektuar ligjin dhe se në bazë të Kodit të Procedurës Administrative, parashikohet se “një akt administrativ është i paligjshëm nëse: e) nuk është në përputhje me parimin e proporcionalitetit”.

“Që është rasti klasik për këto dy OSHMAA,” vlerësoi KAS.

I pyetur nga BIRN se si e verifikoi KAS që OSHMA-t ankimuese nuk kishin transmetuar reklama politike, ndërkohë që raportet e AMA-s tregonin të kundërtën, relatori i çështjes, Ledio Braho tha se “për këtë u përgjigj KQZ”.

Gjatë mbledhjes së datës 17 janar ku palët paraqitën pretendimet e tyre, përfaqësuesi i KQZ-së u përgjigj me “JO” kur u pyet nga anëtarët e KAS nëse TV Apollon kishte transmetuar reklama politike.

Sipas raporteve të monitorimit të AMA, si TV Apollon ashtu edhe televizionet e tjera lokale kishin transmetuar së bashku qindra minuta reklama të partive politike në zgjedhjet e vitit 2021.

Në fillim të dhjetorit 2022, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi raportin e auditit për shpenzimet financiare të partive politike gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Ky raport konstatoi shkelje të limiteve ligjore dhe mospërputhje të tabelave financiare të partive për shpenzimet e bëra gjatë fushatës së kandidatëve për deputetë.

Po ashtu, raporti konstatoi se në tërësi, mediat audio-vizive, ato lokale dhe kombëtare, kishin shkelur kohën televizive të përcaktuar për subjektet politike ose nuk kishin dorëzuar listën e tarifave të këtyre reklamave sipas detyrimit ligjor në KQZ./BIRN



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *