• |
ide | kryesore

Sherr masiv në Divjakë, vihen në pranga dy persona

-Instant, Lajme, Të fundit



Një sherr masiv është regjistruar në Divjakë ndërsa janë arrestuar 2 persona. Policia është njoftuar për një konflikt mes disa shtetasve, duke shkuar në vendin e ngjarjes dhe duke parandaluar përshallëzimin e sherrit.

Në pranga ka përfunduar një 35-vjeçar, për vrasje të mbetur në tentativë dhe një 28-vjeçar, për plagosje të rëndë me dashje. Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë dhe 5 shtetas të tjerë. Ndërkaq një person është shpallur në kërkim, pasi u përfshi në konflikt.

Divjakë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt mes disa shtetasve, që mund të kishte pasoja të rënda për jetën, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë arrestuan në flagrancë shtetasin M. S., 35 vjeç, banues në Gradishtë, Divjakë, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe shtetasin A. D., 28 vjeç, banues në Karavasta e Re, Divjakë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

Këta shtetas, duke udhëtuar përkatësisht me automjetet tip “Audi” dhe “Benz”, në fshatin Mëhallëz, Divjakë, kanë ndaluar automjetet dhe për motive të dobëta janë konfliktuar me njëri-tjetrin, duke përdorur sende të forta dhe mjet prerës. Si pasojë e konfliktit, të dy këta shtetas janë dëmtuar dhe aktualisht ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.

Në vijim të veprimeve për këtë rast nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, për 5 shtetas të tjerë (pasagjerë në automjetet tip “Audi” dhe “Benz”, konkretisht: T. K., 26 vjeç, banues në Babunjë, Q. H., 20 vjeç, R. Sh., 24 vjeç, të dy banues në Gungas, R. Ç., 18 vjeç dhe D. D., 18 vjeç, të dy banues në Muçias, Divjakë, pasi janë përfshirë në konflikt. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi F. C., 28 vjeç, banues në Muçias, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti tip “Audi”, automjeti tip “Benz” dhe 2 sende të forta (leva).



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *