• |
ide | kryesore

Atentati në Vaun e Dejës/ Dyshimet se tritoli shpërtheu për hakmarrje politike

-Instant, Arkiva, Kryesore, Lajme



Kreu i Partisë Demokratike të Vaut të Dejës, Bernard Ndreca sapo u nis të dalë nga shtëpia me makinën e tij kur një sasi tritoli e vendosur poshtë mjetit shpërtheu në pjesën e përparme. Nga filmimet që u shpërndanë në media duket nëna e Ndrecës që afrohet e habitur pas shpërthimit dhe ndihmon të birin të dalë nga mjeti. Video më poshtë:

Fatmirësisht, Bernard Ndreca nuk pësoi asnjë lëndim. Makina shpërtheu në pjesën e motorrit, ku ishte vendosur tritoli dhe vetëm një pjesë e saj është shkatërruar. Rrezja e shpërthimit nuk e ka prekur Ndrecën që ka shpërndarë në media filmime të tjera nga kamerat e sigurisë që kishte në shtëpi. Atentatorët kanë qenë dy persona siç duken në këto pamje.

Duke përfituar nga errësira, këtyre dy personave u janë dashur pak më shumë se 6 minuta për të instaluar tritolin poshtë mjetit. Më pas kanë dalë në heshtje nga oborri i shtëpisë së Bernard Ndrecës ku ishte parkuar makina.

Sfondi politik

Në prag të zgjedhjeve lokale, edhe në Vaun e Dejës nisën të punojnë dy PD. Ajo që drejtohet nga Sali Berisha si pjesë e koalicionit “Bashkë Fitojmë” me kandidat Zef Hilën dhe ajo e vulës, e Enkeled Alibeajt që paraqiti si candidate Klomentina Drinin.

Por një ditë më parë, PD e drejtuar nga Bernard Ndreca deklaroi se do të mbështesë kandidatin e dalë nga primaret për kryetar bashkie në Vaun e Dejës, duke refuzuar kandidaturën e propozuar nga grupimi Basha-Alibeaj, Klomentina Drinin.

Në deklaratën e shpërndarë për mediat, të firmosur nga kandidatët për anëtarë të këshillit bashkiakë të Alibeajt, theksohej se Klomentina Drini është kandidaturë personale e Enkelejd Alibeajt dhe jo e vullnetit të demokratëve. Sipas tyre, kandidati që përfaqësonte demokratët ishte ai i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Zef Hila.

Pa kaluar 24 orë nga kjo deklaratë në makinën e kryetarit të PD-së në Vaun e Dejës, Benard Ndreca shpërtheu tritoli.

Reagimet

Ashtu siç pritej, ngjarja ka nxehur gjakrat në zonën e Vaut të Dejës. Kreu i PD-së Sali Berisha e cilësoi sulmin, terrorist e politik, që sipas tij njollosi fushatën zgjedhore.

“Specialistët e tritolit janë të gjithë nën kontrollin qeveritar shtetëror. Pasi dështuan me të gjitha mënyrat në Vaun e Dejës, së fundmi zgjodhën atë më ekstremen, por edhe me këtë dështuan.
Duke dënuar edhe njëherë me ashpërsinë më të madhe këtë akt të narkoshtetit, bëj përgjegjës direkt Edi Ramën dhe ministrin e familjes, Çuçi, pasi policia e Vaut të Dejës dhe shefi i komisariatit sillen si një seksion i PS-së” shpreh Berisha.

Por Partia Socialiste e dënoi atentatin ndaj Ndrecës duke u distancuar menjëherë nga autorët. Megjithatë Elisa Spiropali bëri lidhjen mes shpërthimit të tritolit në shtëpinë e Ndrecës dhe shpërthimin pranë zyrave të OSHEE.

“Është për të ardhur keq që haxhiqamilisti i Vaut të Dejës, Zef Hila, bashkë me atë të Foltores me qera te Partia e Lirisë, Sali Berisha, nuk presin rezultatet e hetimit, por lëshojnë akuza kriminale ndaj kundërshtarit për të rritur kapitalin politik që tashmë u ka shterrur” shkruajti Spiropali.

Vetë Bernard Ndreca thotë se shpërthimi me tritol ndaj tij ka vetëm një arsye, atë politike.

Ky është një incident i mirëorganizuar që më ka ndodhur mua dhe familjes sime. Unë jam Benard Gjon Ndreca, jam vendali këtu. Nuk kam asnjë lloj përplasjeje, as familja ime, as farefisi dhe askush. Ky incident e ka një emër, dihet që është emri politik” u shpreh Ndreca.

Ndërkohë eksperti i sigurisë, Fatjon Softa u shpreh se qëllimi i atentatorëve ka qenë vrasja e Ndrecës, jo thjesht paralajmërimi. Duket se kreu i PD-së të Vaut të Dejës ka shpëtuar vetëm se eksplozivi ishte vendosur në anën e pasagjerit.

Fatmirësisht vendosja e eksplozivit në krahun e pasagjerit e ka ruajtur Ndrecën, pasi po të ishte në krahun e shoferit dëmi do të ishte i drejtpërdrejt. Shpërthimi ka qenë më anë të lëvizjes dhe jo me telekomandë. Fakti që lënda plasëse ka shpërthyer në momentin që ka hipur personi, kanë qenë të interesuar për eleminimin e Ndrecës. Kërcënim do të ishte nëse makina do të shpërthente para se Ndreca të futej në makinë’- tha ai./Lapsi.al



2 Comments

  1. Po pse Mondi i bilbilit në gojë a duhet lënë një zonjë e nderuar e politikës jashtë garës, kur ajo dëshiron të provojë veten e mbi të gjitha programin e saj për kryeqytetin?

    Po Marko Dajtin e komunistëve, ku e çon partia e konservatorëve? Apo shokët e dosjeve të Sigurimit i duam, se ata na e kanë futur bilbilin në gojë që në kohën e shokut Enver?

    1. Po dihet që hakmarrje politike është………… . A nxori ky kryetari i PD së foltores, një ditë më parë, një komunikatë ku shante kandidaten e PD së së vulës për kryetare bashkie?
      Dhe trimat e saj i dhanë një paralajmërim atij.
      Pra ishte paralajmërim. Tritoli në rrotën e parë, krahu i pasagjerit dhe sasia e vogël, është paralajmërim. Ndryshe ta kishin vënë poshtë derës ku vendoset sedilja e shoferit.
      Pra është luftë civile në PD.
      Kokat hëngshin, tha Ramuti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *