• |
ide | kryesore

Akuza të forta për Real Madrid, Laporta sulmon: “Arbitrat janë pro Blancos, janë skuadra e regjimit”

-Instant, F1, Sport
Laporta



Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, organizoi një konferencë të gjatë për shtyp për të ripërsëritur qëndrimin e klubit. E natyrisht për t’u mbrojtur për të ashtuquajturin cështja Negreira. Numri 1 blaugrana ka nisur një sulm të ashpër ndaj rivalëve të Real Madrid. “Për 70 vjet, ata që kanë emëruar arbitrat kanë qenë ish-ortakë, ish-lojtarë, ish-drejtues… apo edhe të gjitha këto përnjëherësh, të Real Madrid”, tha Laporta. “E gjithë bota e di se Real është favorizuar historikisht nga vendimet e arbitrave. Sepse janë skuadra e regjimit aktual, për shkak të afërsisë me pushtetin. Që ata pozicionohen, duke pretenduar se ndjehen të dëmtuar, në momentin më të mirë në historinë e klubit tonë, është një ushtrim cinizmi i paprecedentë. Shpresojmë që ky proces e thekson këtë”.

Laporta mbrohet me vendosmëri kundër akuzave për korrupsion. Ato u ngritën kundër Barcelonës për pagesat ndaj Enriquez Negreira. Ai ishte zv/president për një kohë të gjatë i arbitrave spanjollë, e zyrtarisht pagesa ishte për konsulencë. “Përgjatë historisë 123-vjeçare, Barcelona ka qenë gjithmonë një model i lojës së ndershme, brenda dhe jashtë fushës. Nëse kemi fituar për kaq shumë dekada, kjo është padyshim falë angazhimit, talentit dhe njohurive. Asnjë fushatë diskreditimi nuk do të na pengojë të vazhdojmë të jemi një entitet referencë në sportin e dashur dhe të admiruar në mbarë botën”.

SIPAS RREGULLAVE

Presidenti i Barcelonës rikonfirmon pabazimin e çdo akuze. “Unë jam plotësisht i bindur se Barcelona nuk ka ndërmarrë kurrë ndonjë veprim që kishte për qëllim të thyente konkurrencën për të përfituar ndonjë avantazh sportiv. Agjencia e të Ardhurave nuk mundi të demonstronte se pagesat e bëra kishin ndikuar në ndonjë rezultat. E nuk mundi ta provonte këtë, sepse nuk ishte e mundur. Këshillimi për çështjet tekniko-arbitrale nuk përbën asnjë lloj vepre të kundërligjshme. Këshillim, siç bëjnë klubet e mëdha, që është kryer në mënyrë transparente, me faturat përkatëse, të paktën në fazën time të parë si president”.

Lexo më tej: Prova false në Prokurori, Barcelona kërkon dorëheqjen e Tebas: “Fushate mediatike për ngjarje të pandodhura”

FUSHATË E QËLLIMSHME

Laporta flet për një fushatë të vërtetë kundër Barcelonës. “Kjo fushatë mediatike kundër klubit vjen në një kohë kur ne po dalim nga tuneli i vështirësive. Kur e kemi shpëtuar klubin ekonomikisht, kur po luajmë mirë dhe jemi të parët në La Liga. Kjo fushatë vjen në një kohë kur nuk u lejuam të futemi në fondin CVC të kërkuar nga La Liga. UEFA u inkurajua t’i bashkohej këtij linçimi pikërisht kur ne demonstruam me Super League vullnetin për të ndryshuar kompeticionet evropiane. Këtu dua të përmend presidentin Tebas. Do t’i kërkoja t’i jepte fund inkontinencës verbale që nuk është e mirë për organizatën që ai përfaqëson. Ata duan të shkatërrojnë një nga emblemat e Katalonjës si Barcelona. Disa sfera pushteti nuk e mbështesin klubin, duke qenë një platformë e katalanizmit. Dua të falënderoj sjelljen e presidentit të Federatës Rubiales dhe atij të FIFA-s Infantino, që pritën të gjykohej çështja pa u përfshirë në linçim”.

Nuk u kursyen kritikat as për presidentin e La Liga. “Tebas ka qenë i papërgjegjshëm dhe joprofesional, ai denigron ligën. Ky linçim publik nuk është i rastësishëm. Ne jemi në rrezik për emrin dhe imazhin e klubit dhe besueshmërinë e botës së futbollit.”

DËMSHPËRBLIMI

Barça është gati të kërkojë kompensim me zhurmë milionash. “Ne do të veprojmë në mbrojtje të nderit tonë. Departamenti ynë ligjor do të vazhdojë të ndërmarrë veprime ligjore në mbrojtje të reputacionit të klubit. E ne rezervojmë të drejtën për të kërkuar dëmshpërblim milioner”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *