• |
ide | kryesore

Analiza e BIRN/ Elbasani voton majtas prej shumë kohësh

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
Elbasani



Partia Demokratike mori votëbesimin e banorëve të qytetit të Elbasanit për herë të fundit në vitin 2003, kur ishte në opozitë, me Adrian Turkun. Ata patën më pak shans në vitin 2007, kur ishin në pushtet, me kandidatin Luçiano Boçi, i cili humbi përballë kandidatit të PS-së Qazim Sejdini, me 2% diferencë. Sejdini e pati shumë më të lehtë në vitin 2011, kur përballë tij garoi një socialist tjetër, Durim Hushi, i cili ndihmoi Berishën të zgjedhë Bamir Topin president me votën e tij si deputet më 2008 dhe u shpërblye me kandidimin e tij për Partinë Demokratike në Elbasan. Rezultati; Sejdini fitoi gati 60% të votave. Sejdini fitoi sërish në vitin 2015 për socialistët, për t’u tërhequr në vitin 2019, kur bashkinë e mori kryebashkiaku aktual Gledian Llatja.

Llatja, një jurist që ka punuar në pozicione të ndryshme në administratën shtetërore, kërkon një mandat të dytë më 14 maj përballë kandidatit të opozitës, i cili është edhe njëherë, Luçiano Boçi. Boçi hoqi dorë nga mandati parlamentar për të hyrë në këtë garë, pasi pati sukses në vitin 2021, kur u kandidua nga Partia Demokratike në një pozicion humbës dhe arriti të hyjë në parlament duke mbledhur një numër rekord votash personale duke “thyer herësin”. Ai garon në emër të koalicionit Bashkë Fitojmë, i cili është krijuar nga ish-kryeministrat dhe ish-presidentët Sali Berisha dhe Ilir Meta.

Partia Demokratike duket se nuk ka qenë kurrë e pëlqyer në qytetin e Elbasanit dhe në njësitë përbërëse të bashkisë së madhe, e cila shtrihet në një zonë kryesisht malore në Shqipërinë qendrore, me një numër të madh krahinash të vendosura përgjatë luginave të degëve të lumit Shkumbin. Në vitin 2011, socialistët fituan gjashtë nga dymbëdhjetë komunat përbërëse të bashkisë aktuale, ndërsa në vitin 2007, PS fitoi pesë komuna, PD gjashtë dhe një u fitua nga një kandidat i pavarur.

Megjithatë, demokratët patën një rezultat jo shumë të keq në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Në rezultatin final, në nivelin e bashkisë, socialistët fituan 50 me 41%, ose me gati 8 mijë vota më shumë. Megjithatë demokratët arritën të marrin 31 mijë vota në ato zgjedhje, rezultati i tyre më i mirë që nga viti 2011.

Politika në Elbasan është shfaqur e dhunshme dhe e korruptuar. Korrupsioni politik ka marrë nam deri në Uashington. Në zgjedhjet e vitit 2021, një përplasje me armë mes palëve la të vdekur një politikan vendës, Pjerin Xhuvanin. Ngjarja në fjalë zbuloi se si policia ishte e paaftë për t’u përballur me elementë kriminalë të angazhuar në zgjedhje, duke lëshuar kontrollin e territorit dhe duke dështuar të kryente funksionin bazë të Policisë së Shtetit.

Vitin e kaluar, Departamenti Amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj biznesmenit dhe politikanit Aqif Rakipi, grupi i të cilit militon aktualisht në Partinë Socialiste.

Sipas Departamentit të Thesarit, “ai [Rakipi] është përgjegjës ose bashkëpunëtor në, ose është angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, në korrupsion në lidhje me Ballkanin Perëndimor, përfshirë korrupsion në, ose për llogari të, ose ndryshe të lidhur me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, ose me një zyrtar aktual apo të shkuar, në çfarëdolloj niveli të qeverisë në Ballkanin Perëndimor, të tilla si përvetësim i aseteve publike, shfrytëzim i aseteve private për përfitim personal ose qëllime politike, apo ryshfet.”

Njoftimi komenton gjithashtu në mënyrë të përgjithshme se “grupe të shumta” të krimit të organizuar, kanë ofruar në Shqipëri para, dhurata, premtime për vende pune apo koncesione në shkëmbim të votave për partinë e tyre të parapëlqyer politike. Rakipi, thotë njoftimi, “ka përdorur ndikimin e tij politik për të emërtuar njerëz të vet në pozicione kyçe publike në Elbasan dhe Tiranë”.

Partia Socialiste nuk ka mbajtur qëndrim në lidhje me këtë emërtim, ndërsa i biri i Rakipit vijon të jetë deputet, pjesë e grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Bashkia e Elbasanit është e treta në vend për nga numri i votuesve [171 mijë të regjistruar për 14 majin], si dhe një nga më të mëdhatë sa i përket territorit, 872 kilometra katrorë. Ajo përbëhet nga njësitë Elbasan, Labinot-Fushë, Labinot-Mal, Gjinar, Shushicë, Gjergjan, Funar, Shirgjan, Tregan, Gracen, Bradashesh, Zavalinë dhe Papër. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Elbasanit dhe qarkut të Elbasanit. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 116 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu.

Qyteti i Elbasanit u zhvillua si një qendër e rëndësishme e industrisë së rëndë gjatë kohës së komunizmit, duke punësuar dhjetëramijëra vetë. Kolapsi i regjimit dhe falimenti i pjesës më të madhe të industrisë, solli varfërimin e përgjithshëm të qytetit dhe largimin e një pjese të popullsisë. Mes viteve 2011 dhe 2021, numri i qytetarëve me të drejtë vote është rritur në territorin e bashkisë me rreth 22 mijë vetë. Numri i pjesëmarrësve në zgjedhje është rritur me vetëm 4 mijë. Në zgjedhjet e vitit 2021 morën pjesë 49% e qytetarëve me të drejtë vote, përqindje kjo më e lartë se sa mesatarja kombëtare por që gjithashtu vë në dukje shkallën e emigrimit. Zonat rurale të Bashkisë Elbasan janë përgjithësisht malore dhe të varfra sa i përket burimeve ekonomike. /Reporter.al



2 Comments

  1. Se cka nje bindje berisha. Se do ja vjedhin zgjedhjet.
    Se po mos tia vidhnin ai do fitonte 52 bashki. Kurse ps 9 bashki.
    Ketu do jemi e do dali e vertet.
    Do ja vjedhin mo do ja vjedhin.
    😄😄😄😄😄

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *