• |
ide | kryesore

Mijëra veta protestuan kundër dhunës në Serbi pas νrasjeve të javës së kaluar

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Dhjetëra mijëra serbë u mblodhën në Beograd të hënën për ndalimin e shfaqjes së përmbajtjes së dhunshme në televizione dhe dorëheqjen e ministrave kryesorë. Kjo protestë erdhi disa ditë pas dy sulmeve në masë që lanë pas vetes 17 të vrarë.

Turma parakaloi solemnisht nëpër qendrën e qytetit me një pankarte ku shkruhej: “Serbia kundër dhunës”.

“Jemi mbledhur këtu për të bërë nderimet tona të fundit, për të bërë më të mirën që kjo të mos ndodhë më kurrë, askund”, tha Borivoje Pleçeviç nga Beogradi.

Të mërkurën e kaluar, një nxënës i cili mori me vete dy revole në shkollën e tij, vrau tetë nxënës dhe një roje sigurie. Gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësues mbetën të plagosur. Dy ditë më vonë, një burrë 21 vjeçar duke vrau tetë veta dhe plagosi 14 të tjerë në Serbinë qendrore. Të dy sulmuesit janë arrestuar.

Protestuesit dhe mbështetësit e opozitës kërkuan mbylljen e stacioneve televizive dhe tabloideve të cilët i akuzojnë për shfaqje të përmbajtjes së dhunshme dhe vulgare.

Partitë opozitare dhe disa grupe të të drejtave të njeriut akuzojnë presidentin Aleksandar Vuçiç dhe Partinë e tij Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet për autokraci, shtypje të lirisë së medias, dhunë ndaj kundërshtarëve politikë, korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Presidenti Vuçiç dhe aleatët e tij i mohojnë këto akuza.

Protestuesit kërkuan gjithashtu dorëheqjen e ministrit të brendshëm Bratislav Gashiç dhe drejtorit të Agjencisë shtetërore të sigurisë, Aleksandar Vulin, si dhe shkarkimin e Komitetit Rregullator të Qeverisë për Median Elektronike (REM) brenda një jave. Ministri i Arsimit Branko Ruzhiç dha dorëheqjen të dielën. Protestuesit kërkuan gjithashtu një seancë të jashtëzakonshme parlamentare dhe një debat rreth situatës së përgjithshme të sigurisë.

“(Ky është një akt) solidariteti kundër … dhunës në media, në parlament, në jetën e përditshme … solidaritet për shkak të fëmijëve të humbur. ”, tha Snezhana, një grua rreth të 60-ave që nuk pranoi të tregonte mbiemrin e saj.

Protesta të ngjashme u mbajtën edhe në disa qytete të tjera të Serbisë.

Në përgjigje të sulmeve, policia serbe shpalli të hënën një amnisti njëmuajshe për dorëzimin e armëve të paligjshme. Ajo tha se mbi 1,500 armë u dorëzuan në ditën e parë.

Serbi, amnisti për dorëzimin e armëve të paligjshme deri më 8 qershor

Përveç ligjeve ekzistuese për përdorimin e armëve presidenti Vuçiç shpalli kontrollet policore të pronarëve të armëve të regjistruara.

Serbia ka një kulturë të rrënjosur thellë të mbajtjes së armëve. Si pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor, ky vend është i mbushur me armë dhe municione të nivelit ushtarak në duart e qytetarëve privatë. Kjo ka ardhur pas luftërave të viteve të 90-ta që çuan në rrënimin e ish Jugosllavisë. /VOA



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *