• |
ide | kryesore

Varën manikinin e Vinicius, arrestohen katër persona: ndalohen në Valencia tre të tjerë për fyerjet raciste

-Instant, Sport
Vinicius



Katër persona janë arrestuar në Spanjë si pjesë e hetimeve për zbulimin në Madrid të një manekini të varur me fanellën e sulmuesit të Real Madrid Vinicius Junior në fund të janarit. Lajmin e ka raportuar policia. Këto arrestime vijnë dy ditë pasi mbi brazilianin vërshuan fyerje të reja raciste gjatë ndeshjes kundër Valencia. Episodi shkaktoi një valë indinjate në Spanjë dhe jashtë saj e policia njoftoi sot arrestimin e tre personave në Valencia.

“Policia arrestoi sot tre të rinj në Valencia për sjellje raciste gjatë ndeshjes mes Valencias dhe Real Madrid”, tha policia. Shënjestër e përsëritur e sulmeve raciste, që nga mbërritja e tij në kryeqytetin spanjoll në vitin 2018, Vinicius Junior është quajtur “majmun” në Mestalla. Këto sulme, të denoncuara nga lojtari dhe nga Real Madrid, bënë që prokuroria publike e Valencias të hapte një hetim për “krimin e urrejtjes”. Këshilli Superior Spanjoll i Sportit (CSD) ka njoftuar se po analizon pamjet për të identifikuar “autorët për të propozuar sanksionet e duhura”.

ARRESTIMET

Katër personat, të arrestuar në kryeqytetin spanjoll, për manekinin e varur po akuzohen për një “krim urrejtjeje”. Një kategori kriminale që përfshin vepra raciste në Spanjë, sqaroi policia në një njoftim për shtyp. Tre prej tyre janë “anëtarë aktivë të një grupi ultra tifozësh të një klubi madrilen”, shkruhet aty. Manekina e veshur me fanellën e Vinicius Junior u gjet e varur më 26 janar, ditën kur Real Madrid mposhti 3-1 Atletico Madrid në çerekfinalen e Kupës së Mbretit. Poshtë saj ishte një pankartë ku shkruhej “Madridi e urren Realin”. Reali kishte denoncuar një “akt racist e ksenofob keqdashës dhe të neveritshëm” ndaj 22-vjeçarit. Brazilini ishte edhe objektivi i ofendimeve raciste të dielën në Mestalla në ndeshjen kundër Valencia. Çështja Vinicius ka tronditur rëndë Spanjën dhe botën e futbollit në përgjithësi. Gazeta ‘Marca’ ishte e ashpër në faqen e parë: “Nuk mjafton të mos jesh racist, duhet të jemi antiracist”.

RIO DE JANEIRO ERRËSOI STATUJËN E KRISHTIT NË SHENJË SOLIDARITETI

Krishti Shëlbyes, statuja monumentale që qëndron në kodrën Corcovado, simbol i Rio de Zhaneiros, u errësua të hënën në mbrëmje për një orë në solidaritet me Vinícius Junior. Dritat që ndriçojnë statujën 709 metra të Krishtit të famshëm me krahë hapur u fikën në orën 18:00 me orën lokale. Monumenti u la në errësirë deri në orën 19:00 me orën lokale. Vinicius tha se ishte prekur nga akti i mbështetjes në një mesazh që postoi në rrjetet e tij sociale. “E zezë dhe imponuese. Krishti Shëlbyes ishte pikërisht i tillë. Një akt solidariteti që më emocionon. Por mbi të gjitha dua të frymëzoj dhe të sjell më shumë dritë në luftën tonë”, ka shkruar futbollisti brazilian.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *