• |
ide | kryesore

Shtesat e kullave pa leje/ Bardhi: Gjykatësit nuk i rezistuan oligarkëve!

Arkiva, Lajme, Të fundit
anetaret e Gjykates Kushtetuese te ulur



Gjykata Kushtetuese vendosi të enjten që të rrëzojë kërkesën e 28 deputetëve për shfuqizimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave “Për rregullat dhe procedurat për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje për qëllim fitimi”.

GJK njoftoi zyrtarisht rrëzimin e kërkesës pa argumentim pasi vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afatit 30-ditor.

Deputetët e Partisë Demokratike pretendonin se VKM-ja ishte i papajtueshëm me Kushtetutën dhe cenonte barazinë e qytetarëve para ligjit.

Deputeti demokrat, Gazment Bardhi, nismëtarë i ankimit, e cilësoi vendimin të pritshëm. Ai pretendoi se Gjykata Kushtetuese nuk i kishte rezistuar presionit të qeverisë. “Për fat të keq Gjykata Kushtetuese nuk i rezistoi dot presionit dhe shantazhit të Kryeministrit dhe oligarkëve të tij! VKM-ja që legalizon ndërtimet pa leje të oligarkëve është thelbi i qeverisjes së Edi Ramës: Burg për qytetarët e thjeshtë, amnisti dhe legalizim për oligarkët”, shkroi Bardhi në Twitter.

Gjatë shqyrtimit të kërkesës në seancën e mëparshme kryeministria kërkoi delegjitimim të palës paditëse, pasi dy prej deputetëve firmëtarë, Grida Duma dhe Alfred Rushaj, kishin dorëzuar mandatin e deputetit.

“Duhet të jenë 28 deputetë që të vënë në lëvizje gjykatën,” pretendoi Zv/sekretarja e përgjithshme e kryeministrisë, Elira Kokona, duke kërkuar pushimin e gjykimit.

Deputeti Bardhi kundërshtoi pretendimet e qeverisë me argumentin se 28 firmëtarët kanë qenë deputetë kur firmosën dhe gjykata është vënë në lëvizje përpara se dy deputetët të dorëhiqen.

Ndërtimi pa leje është krim në Shqipëri dhe Kodi Penal parashikon dënime deri në 5 vjet burg për qytetarët e zakonshëm dhe 8 vjet burg për objektet me qëllime fitimi.

Megjithatë, Këshilli i Ministrave i anashkaloi këto sanksione përmes një vendimi të miratuar më 7 shtator 2022, i cili u jep ndërtuesve të mëdhenj dhe atyre të lidhur me qeverinë një mundësi për t’i ligjëruar shtesat apo godinat e paligjshme, në këmbim të një pagese financiare apo dhënies së sipërfaqeve në favor të shtetit.

Vendimi parashikon procedurat e transferimit të sipërfaqeve të paligjshme nga subjektet private te shteti dhe anasjelltas dhe nuk e përmend në mënyrë eksplicite ndjekjen penale.

Për ekspertët e ligjit, ky vendim përbën një anashkalim të rendit juridik si dhe vendos një standard të dyfishtë mes biznesmenëve të mëdhenj dhe qytetarëve të zakonshëm.

Qeveria “Rama” avancoi me projektin e saj për konfiskimin e këtyre objekeve duke miratuar para disa javësh një projektligj të veçantë për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, disa muaj pas një serie vendimesh të debatueshme për konfiskimin e objekteve për qëllime fitimi që kanë shkelur lejet e ndërtimit.

Projektligji përcakton kompetencat dhe detyrat e autoriteteve publike përgjegjëse, të përfshira në proceset e zhvillimit dhe administrimit të objekteve të konfiskuara, si dhe procedurat e shit-blerjes së godinave të konfiskuara./Reporter.al



1 Comment

  1. Nuk eshte çeshja ai rezistuan oligarkeve apo jo kjo eshte çeshtje preçedenti , eshte çeshtje drejtesie .
    Shkrijeni sa me pare kete gjykate shkerdhatash , kjo eshte gjykate antikushtetuese .
    Kesaj i thone grabit me ligj gjithçka dhe bej ça te duash me pronat .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *