• |
ide | kryesore

Përplasjet mes policisë dhe anëtarëve të MEK/ Detaje nga hetimet e prokurorisë, akuzat

Lajme, Të fundit



Prokuroria e Durrësit po kryen veprime hetimore për përplasjet e djeshme në kampin Ashraf në Manëz të Durrësit.

Hetimet po bëhen pas pretendimeve të banorëve për dhunë policore por edhe për kundërshtim nga ana e tyre të punonjësve të policisë në tentativat për të ndaluar ekzekutimin e urdhërit të gjykatës së posaçme.

Të paktë 6 persona janë proceduar penalisht në radhët e muxhahedinëve. Ndërkohë sa i përket hetimeve të SPAK, që çoi në kontrolli e djeshëm, mësohet se ky hetim është regjistruar për disa vepra penale.

Prokuroria e Posaçme ka dyshime se disa anëtar të MEK, janë përfshirë janë përfshirë në aktivitet kriminal ndërsa veprat penale për të cilat po hetohet janë: Përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike; Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike; Ndërhyrje në sistemet kompjuterike; Keqpërdorim i pajisjeve.

Njoftimi i policisë:

Kundërshtuan me dhunë punonjësit e Policisë së Shtetit dhe dëmtuan automjetet e Policisë, me qëllim pengimin e ekzekutimit të vendimit të GJKKO-së për të ushtruar kontrolle në vendqëndrimin e organizatës MEK, procedohen penalisht 6 shtetas, drejtues të organizatës MEK

Më datë 20.06.2023, shërbime të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bazë të planit operacional të hartuar me qëllim ekzekutimin e vendimit penal nr. 262, të datës 19.06.2023, të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kanë ushtruar kontrolle në ambientet e vendqëndrimit të organizatës MEK, në njësinë administrative Manzë, Durrës, për gjetjen dhe sekuestrimin e sendeve të kundërligjshme që mund të gjendeshin në ambientet e rezidencës.

Gjatë kryerjes së veprimeve procedurale konform ligjit, shërbimet e Policisë janë ndeshur me kundërshtimin e dhunshëm dhe të vazhdueshëm të shtetasve që strehoheshin në rezidencë, të cilët tentuan të pengonin shërbimet e Policisë për të vijuar kontrollet dhe për të sekuestruar provat materiale, objekt i vendimit të GJKKO-së.

Si pasojë e kundërshtimeve të dhunshme dhe të vazhdueshme, janë dëmtuar 15 punonjës policie dhe automjete të Policisë së Shtetit. Pavarësisht dhunës së ushtruar ndaj tyre, punonjësit e Policisë janë vetëpërmbajtur deri në ekstrem, duke mos iu përgjigjur proporcionalisht dhunës që po ushtrohej ndaj tyre.

Në kuadër të veprimeve hetimore të kryera për këtë qëllim, si dhe pas konsultimit me prokurorin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” , “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”, për 6 shtetas iranianë, rezidentë në vendqëndrimin e organizatës MEK, konkretisht:

H.N., 73 vjeç; M.B., 72 vjeç; A.A., 72 vjeç; B.S., 63 vjeç; A.A., 61 vjeç dhe D.F., 70 vjeç.

Strukturat hetimore të DVP Durrës dhe ato të Departamentit të Policisë Kriminale të DPPSH-së, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, vijojnë hetimet e thelluara për të dokumentuar me prova ligjore, veprimet e kundërligjshme të kryera nga shtetasit rezidentë në vendqëndrimin MEK, gjatë zhvillimit të operacionit të kryer nga Policia e Shtetit, në zbatim të vendimit të GJKKO-së, për kontrollin në ambientet e brendshme të rezidencës.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *