• |
ide | kryesore

Dhuna në Bregun Perëndimor, zyrtarët izraelitë dhe palestinezë ulen në tryezën e bisedimeve

Arkiva, Planet
Dhuna



Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Yoav Gallant, dhe një zyrtar i lartë palestinez kanë diskutuar për dhunën në Bregun e pushtuar Perëndimor. Zyra e Gallant tha se ka ofruar siguri se qëllimi i Izraelit është që të shtypë trazirat e kolonëve hebrenj.

Biseda telefonike dhe ky njoftim ishin një ngjarje e pazakontë për Qeverinë nacionaliste dhe fetare të Izraelit. Biseda po ashtu vjen pasi Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësim për situatën në Bregun Perëndimor, në zonat ku jetojnë palestinezët dhe ku kërkojnë që të krijojnë shtetin e tyre në të ardhmen.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara bëri thirrje të martën “që të gjitha palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme që do të nxisnin më shumë tensionet” dhe kërkoi uljen e tensioneve dhe shmangien e përshkallëzimit të mëtejmë.

Gjatë takimit të këshillit, zëvendësambasadori amerikan në OKB, Robert Wood, tha se Uashingtoni po punon me Izraelin dhe Autoritetin Palestinez për të ulur tensionet dhe për të rikthyer besimin, në përpjekje për të krijuar kushte që palët të kthehen në tavolinën e bisedimeve.

 

 

Gjatë një sulmi të Hamasit u vranë katër civilë izraelit afër një vendbanimi në Bregun Perëndimor. Kjo ngjarje nxiti dhunë për disa ditë dhe inkursione brenda fshatrave dhe qyteteve të banuara me palestinezë nga grupe të kolonëve hebrenj. Dymbëdhjetë të dyshuar janë arrestuar nga policia izraelite.

“Izraeli e trajton seriozisht dhunën e shkaktuar ndaj civilëve palestinezë gjatë ditëve të fundit nga elemente ekstremiste”, citohet t’i ketë thënë Gallant Hussein Al-Sheikh, zyrtar i Organizatës për Çlirimin e Palestinës.

Ende nuk ka ndonjë reagim nga zyra e Al-Sheikh.

Në 15 muajt e fundit, forcat izraelite kanë intensifikuar bastisjet ndaj militantëve të dyshuar palestinezë dhe do të vazhdojë të kryejë operacione të tilla, tha Gallant.

Po ashtu të martën, presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka biseduar me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, me rastin e festës së Kurban Bajramit, ka njoftuar Presidenca izraelite./REL



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *