• |
ide | kryesore

Kishte fshehur një kamerë në tualetin e grave, arrestohet drejtori i postës italiane

-Instant, Arkiva, Lapsi Leaks
kamerë



Drejtori i një filiali poste në periferi të Tarantos në Itali ka përfunduar në arrest shtëpie i akuzuar se kishte vendosur një kamerë të fshehtë në banjën e kolegëve të tij. Gazzetta del Mezzogiorno shkruan se hetimet nisën në mars të 2022 kur një punonjëse kishte vënë re pajisjen e fshehur pranë një kontejneri në tualetin e femrave. E tronditur nga ajo që kishte zbuluar, punonjësja i kishte bërë një video me celular pajisjes që dukej e lidhur me një kabull dhe me një bateri.

Pasi doli nga banja ajo kishte gjetur një kolege të cilës i kishte rrëfyer gjithçka. Të dyja gratë vendosën të zbulonin se kush e kishte vendosur pajisjen. Ato gjetën kartën e memories së kamerës dhe vendosën që të shkarkojnë pamjet e saj në një kompjuter. Në atë moment ato bënë zbulimin shqetësues. Mes videove të ndryshme të gjetura në kartë ishte një që kishte fiksuar drejtorin e tyre që vendoste kamerën. Më pas ato ua kanë treguar ngjarjen edhe kolegëve të tjerë dhe i kanë kërkuar shpjegime autorit.

Shefi i tyre ishte përpjekur të jepte një version sipas të cilit ai e kishte gjetur atë kamera më herët dhe e kishte vendosur sërish në vend në përpjekje për të identifikuar autorin e vërtetë të atij veprimi. Kjo teori nuk i kishte bindur aspak femrat të cilave drejtori u kishte thënë se do të kërkonte transferimin për të mbrojtur veten.

Më pas ngjarja përfundoi në polici e cila nisi zyrtarisht hetimet. Pak javë më vonë hetuesit kryen një kontroll në shtëpinë e personit në fjalë dhe sekuestruan laptopë dhe telefona. Nga analizat e këtyre aparaturave rezultoi se drejtori, dukshëm i vetëdijshëm për rreziqet me të cilat po përballej, kishte kryer një pastrim të pajisjet. Një veprim që megjithatë nuk i ndaloi hetuesit të cilët, nëpërmjet përdorimit të një sërë softuerësh, gjetën një sërë videosh dhe 120 mijë foto që shfaqnin kolegët e tij duke përdorur tualetet.

Dhe jo vetëm. Hetuesit kuptuan se ky person nuk i kishte fshirë të gjitha pamjet e mbledhura mes viteve 2019 dhe 2022. Disa ishin transferuar në një të ashtuquajtur “cloud”, hapësirë virtuale që vepron si një lloj “magazine” për ruajtjen e sigurt të dokumenteve. Pas gjetjes së këtyre të dhënave prokurori i kërkoi gjykatës masën arrest shtëpie për drejtorin. Gjyqtari e konfirmoi masën. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *