• |
ide | kryesore

Këshilli Bashkiak i Shkodrës dhe “mbajtja peng” e jetës së qytetit

Arkiva, Lajme, Të fundit
Këshilli Bashkiak



Shtyrjet e disahershme të mbledhjeve të Këshillit Bashkiak të Shkodrës kanë ngadalësuar ecurinë e projekteve të qytetit. Me një konfigurim atipik, ku përpara zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023, Këshilli Bashkiak zotërohej plotësisht nga e majta, ndërsa kryetari i bashkisë i përkiste të djathtës, përplasja politike është reflektuar edhe në votën e Këshillit Bashkiak ndaj projekteve që i dërgon për miratim bashkia.

 Redaksia INA

Esmie Verri, nga fshati Oblikë i rrethit të Shkodrës, nënë e dy fëmijëve të mitur 7 dhe 8 vjeç, mbeti e ve dy vite më parë. Që pas vdekjes së bashkëshortit, Esmia bashkë me fëmijët është kthyer te prindërit e saj, të dy të papunë.

Pa asnjë të ardhur ata mbajnë vetëm një lopë e me ato pak para që fitojnë duke shitur qumështin, mbajnë frymën 5 persona. E vetmja e ardhur në këtë familje është ndihma ekonomike prej 7.000 lekësh në muaj që merr Esmia për të rritur dy të vegjlit e saj.

Të ardhurat e pakta, të fituara nga emigracioni, që i la bashkëshorti, u zhdukën që në muajt e parë pas fatkeqësisë. Që prej atëherë ka marrë ushqime me listë, por vonesat në shlyerjen e tyre e kanë futur në listën e “borxhlinjve të këqij”, ndaj nuk i japin më pa lekë në dorë.

Edhe e ardhura minimale nga ndihma ekonomike shpeshherë mbetet peng e përplasjeve në Këshillin Bashkiak të Shkodrës, ndaj mbërrin me vonesë te kjo kategori familjesh. Esmia tregon se ka pasur raste, kur ndihma ekonomike iu është vonuar edhe me dy muaj, duke e detyruar të marrë borxh edhe bukën.

“Ndihma ekonomike është e vetmja e ardhur që kam për të mbajtur veten edhe dy fëmijët e mi. Asnjëherë nuk e marrim në kohë, në disa raste kjo ndihmë është vonuar edhe deri në dy muaj e për bukën e gojës kam marrë edhe borxh”, rrëfen Esmia për Investigative Network Albania-n.

Esmie Verri, banore në Shkodër

27-vjeçarja ka kërkuar shpeshherë punë, por jetesa në fshat ia ka bërë të pamundur si pasojë e mungesës së transportit. Vetëm me 8 klasë shkollë ajo e ka të vështirë të gjejë punë, ndërsa rrëfen se ka mbetur “peng” e fëmijëve për shkak të largësisë së shkollës.

“Edhe fëmijët e kanë shkollën 30 minuta larg dhe më duhet t’i shoqëroj në mëngjes dhe t’i marr sërish ne drekë, sepse janë shumë të vegjël”, tregon e dorëzuar e reja.

Po njësoj si Esmia, edhe 191 familje, të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike në Bashkinë e Shkodrës, përballen me vonesa të herëpashershme të kësaj mbështetjeje financiare.

Shkak vazhdimisht ka qenë dështimi i mbledhjeve të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, duke lënë pezull mjaft vendime, që prekin direkt jetën e banorëve.

Përgjatë vitit 2022 Këshilli Bashkiak i Shkodrës i anuloi mbledhjet në katër raste, ndërsa një mbledhje u arrit të zhvillohej vetëm herën e tretë.

 

Këshill Bashkiak, vetëm me një ngjyrë

Me një konfigurim atipik, për shkak se i përkisnin vetëm një force politike, 51 këshilltarët e Shkodrës, së legjislaturës së kaluar, i kanë anuluar disa herë mbledhjet e Këshillit Bashkiak.

Përgjatë vitit 2022, u shtynë 4 mbledhje të Këshillit Bashkiak, më e fundit ajo e datës 20 dhjetor 2022.

Rekordet për anulim të mbledhjes i mban ajo e shtatorit 2022, e cila u realizua pas tri shtyrjesh. Arsyet kishin të bënin me mungesën e këshilltarëve dhe mosplotësimit të numrit të nevojshëm të tyre. Në këtë mbledhje duhet të miratoheshin 12 projektvendime, nga të cilat 6 pika të rendit të ditës kishin të bënin me buxhetin e vitit 2023, si dhe disa rialokime fondesh në kuadër të projektbuxhetit afatmesëm, 2022-2024.

Shtyrja e projektvendimeve ka sjellë zvarritje të projekteve. Janë 1.2 milionë euro investime në infrastrukturë, që për shkak të shtyrjes së miratimit në Këshill Bashkiak është shtyrë edhe nisja e realizimit të tyre, që do të thotë se nuk kapen afatet dhe qytetarët mbeten pa shërbime”, thonë burime zyrtare nga Bashkia e Shkodrës.

Rëndësia e këtyre projektvendimeve është e lartë, pasi bllokojnë investimet për qytetin, lëvrimin e fondeve për vitet në vijim, duke qenë se flitet për buxhetin afatmesëm, 2022-2024, por edhe për miratimin e disa ndryshimeve të planit buxhetor të vitit 2023”, thotë Fatlum Nurja, njohës i politikave të pushtetit lokal.

Mungesa e këshilltarëve dhe mosplotësimi i numrit të nevojshëm për të miratuar projektvendimet ka qenë shkaku i shtyrjes së mbledhjeve, që do të thotë se nga 51 këshilltarë, nuk janë paraqitur as 26 prej tyre.

Në mbledhjen e shtatorit të vitit 2022 pika e parë kishte të bënte me përdorimin e fondit shtesë mbi fondin e kushtëzuar për ndihmën ekonomike për muajin korrik 2022. 191 familje u penalizuan vetëm nga mos-mbajtja e mbledhjes në kohë për tërheqjen e këtij fondi në muajin korrik.

Shkodra është një bashki, që është vënë shpesh nën darën e motit ekstrem. Përmbytjet e shpeshta apo edhe zjarret gjatë muajve të verës bëjnë që emergjencat civile të jenë përherë në gatishmëri, mirëpo projektvendimi për miratimin e rishpërndarjes së fondit për emergjencat civile është gjithashtu një tjetër projektvendim i shtyrë në mbledhjen e shtatorit, duke penguar punën e strukturave të emergjencave civile pranë bashkisë, të cilat ndërhyjnë në raste zjarri në sipërfaqet publike të bashkisë ose në raste përmbytjesh apo edhe në mirëmbajtjen e akseve problematike etj.

Në fillim të muajit mars banorët e Dukagjinit dolën në protestë për rrugën. E lënë prej vitesh në mëshirë të fatit, fshatrat e kësaj njësie administrative e kanë të pamundur të mbijetojnë pa rrugë.

Në shtator të vitit 2022 Këshilli Bashkiak i Shkodrës mori dy vendime për shtim fondesh për mirëmbajtjen e kësaj rruge dhe një vendim në muajin nëntor, por dy prej tyre u refuzuan nga prefektura, e cila edhe ajo drejtohet nga socialistët, duke e lënë pa mirëmbajtje këtë rrugë.

Bashkia e Shkodrës fajësoi prefekturën për bojkot dhe kërkoi fonde nga qeveria për të investuar në këtë segment rrugor.

Bashkia e Shkodrës shpreh keqardhjen që ndodhin të tilla refuzime, bllokime dhe mungesë investimesh nga qeveria shqiptare dhe përfaqësuesit e saj edhe në pushtetin vendor të Shkodrës”, deklaroi në një dalje publike nënkryetari i Bashkisë së Shkodrës së kohës.

Këshilli Bashkiak i kaluar e mori mandatin në gusht të vitit 2019, menjëherë pas zgjedhjeve lokale të po këtij viti. Këto zgjedhje patën zyrtarisht vetëm një kandidat, atë të Partisë Socialiste, pasi Partia Demokratike vendosi të mos merrte pjesë. Si rrjedhojë, edhe këshilltarët e përzgjedhur dhe të mandatuar në këtë Këshill ishin të gjithë të një kahu politik.

Ky Këshill pati një marëdhënie konfliktuale të vazhdueshme me kryetarin e Bashkisë, si me Znj. Ademi, po ashtu edhe me Z. Spahia, i cili u zgjodh në këtë post në zgjedhjet të pjesshme vendore të marsit 2022. Ky konflikt çoi në një ngërç i cili krijoi dhe probleme të shumta për komunitetin.

Ervin Gjini, aktivist i shoqërisë civile

Ervin Gjini, aktivist i shoqërisë civile dhe njohës i pushtetit vendor, tregon për Investigative Network Albania-n se të gjitha mbledhjet e shtyra të legjislaturës së kaluar kanë qenë në dëm të qytetit.

Asgjë e mirë nuk vjen nga bllokimet e këshilltarëve, pasi në bazë të vendimeve të tyre funksionon administrata. Kemi parë bllokime të qenësishme për Bashkinë e Shkodrës, si rialokimi i fondeve apo edhe vonesa për miratimin e fondeve për emergjencat civile”, thotë ai.

Ai akuzon se si pasojë e këtyre bllokimeve, që mund të kenë edhe prapavijë politike, Shkodra ka vuajtur gjatë përmbytjeve.

Bllokimi i fondeve sjell bllokimin e bashkisë për operim. Bashkia e Shkodrës e ka vuajtur këtë pjesë sidomos në kohën e përmbytjeve. Janë bllokuar dy herë rialokimet dhe ky mund të jetë edhe një orientim politik”, thotë ai, duke argumentuar se skema të tilla janë të pritshme, sa kohë kishim të bënim me një këshill monokrom.

Rialokimi i fundit i fondeve nuk u miratua deri në tetor dhe pas datës 15 të muajit tetor me VKM nuk arrin të bësh më prokurime publike, ndaj fondet kanë kaluar me vonesë dhe këtë vit [2022] nuk kemi akoma investime”, argumentoi aktivisti Ervin Gjini.

Tereza Brigja, ish-këshilltare, Këshilli Bashkiak, Shkodër

Disa herë e kam ngritur zanin për mospjesëmarrje të këshilltarëve në mbledhjet e Këshillit Bashkiak, pasi janë disa pika të rendit të ditës, që duhet medoemos të marrësh pjesë”, thotë Tereza Brigja, e mandatuar në Këshillin Bashkiak të kaluar.

Ajo e konsideron të turpshme shtyrjen e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak, pasi ngelen pa u miratuar vendime shumë jetike për banorët e Shkodrës e sidomos për shtresën më të varfër të qytetit.

Mbetet pa u miratuar 6% e dikush s`e ka ndoshta bukën në darkë për fëmijët e vet, ndërsa ne nuk e përfaqësojmë aty. Anulohet mbledhja e Këshillit Bashkiak! Për mua është e turpshme”, shton Tereza me revoltë.

Sipas saj, pjesëmarrja e këshilltarëve është detyrë ndaj atyre që i kanë votëbesuar, për të qenë zëri i tyre në Këshill.

Dikush nuk e ka këtë parim, nuk e ka problem, pse nuk shkon në mbledhjet e Këshillit Bashkiak. Ku di unë se pse! Kjo nuk është e keqe, por shumë e keqe, sepse ka njerëz në nevojë”, shton ajo.

Ajo tregon se ka mbajtur shënim çdo mbledhje të anuluar dhe të dhënat nuk janë aspak optimiste.

Të paktën 1/3 e mbledhjeve janë anuluar, tash tre vjet që jam unë aty. Mungesat më të mëdha i bëjnë drejtorët, ata që kanë funksione e s`e di si iu duket Këshilli Bashkiak”, shton Tereza Brigja.

Arbis Vjerdha, ish-këshilltar, Këshilli Bashkiak, Shkodër

Ish-këshilltari Arbis Vjerdha e pranon problemin e shtyrjes së mbledhjeve si pasojë e mungesës së këshilltarëve dhe madje shton se pas anulimit të parë mbledhjet janë shtyrë deri në një muaj.

Një herë mbledhja është vonuar një muaj, ndërkohë që dikush nuk kishte bukë në shtëpi”, -thotë Vjerdha.

Ai thekson faktin se e njëjta mbledhje është shtyrë disa herë me radhë, derisa është realizuar.

Dy herë është shty ajo mbledhje, të tretën herë është miratu”, thotë Arbis Vjerdha, ish-këshilltar.

Reagim në rrjetet sociale i ish-këshilltares Age Martini, Këshilli Bashkiak, Shkodër

Në qoftë se do të mbahet mend për diça ky Këshill Bashkiak, me patjetër ka me kenë për mbledhjet që s’ka zhvillu”, – ka reaguar në rrjetet sociale një tjetër ish-këshilltare, Age Martini.

Reagimi i saj erdhi më 6 qershor 2022, një ditë pas anulimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak.

Edhe deputetja e Partisë Socialiste, Edona Bilali, iu ka tërhequr vëmendjen këshilltarëve të Bashkisë së Shkodrës, që të jenë më të përgjegjshëm dhe të marrin pjesë në mbledhje, të cilat për ta janë një detyrim që duhet patjetër të kryhet me përgjegjësi.

Ish-kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahija, thotë për Investigative Network Albania-n se shtyrja e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak mbante peng projektet dhe investimet, si dhe ka krijuar ngërç në mbarëvajtjen e punës së administratës.

Shtyrja e mbledhjeve ndikon në vendimmarrje, sidomos në ato projektvendime me afate kohore për t`u përmbushur, me shërbime ndaj qytetarëve, por edhe detyrimet ndaj palëve të treta. Ka pasur raste, kur Këshilli ka rrëzuar edhe propozimet që lidheshin me investime e shërbime, që vetë komuniteti i kishte kërkuar. Pengesat e vetme në Këshill vijnë nga këshilltarët”, thotë ish-kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahija.

Kthim përgjigjeje e ish-kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahija

Ai pranon se situata që ka kaluar Bashkia e Shkodrës nuk ka qenë aspak normale në aspektin politik dhe në atë të përfaqësimit. Sipas tij, duke qenë vetëm i një force politike, ngjyrat e Këshillit Bashkiak kanë infektuar edhe vendimmarrjen e tyre.

“Sigurisht që janë bërë pengesë, thotë Spahija. – Ata kanë qenë shumicë e vetme në Këshill, pa rivalë politikë, që të bëjnë oponencë. Gjithçka e kanë vendosur, duke e peshuar në peshoren e tyre politike dhe ne kemi raste, kur na janë rrëzuar propozimet tona si administratë, që lidheshin drejtpërdrejt me investimet dhe shërbimet ndaj komunitetit”.

Më konkretisht ai sqaron se bëhet fjalë për rialokime fondesh apo për përcaktim prioritetesh të investimeve.

“Ndonëse dëgjesat publike ishin kërkuar nga vetë qytetarët, vota e Këshillit Bashkiak i ka shtyrë apo i ka rrëzuar me argumente politike”, thotë ai.

 

Një qytet i tërë, “peng” i mbledhjeve

Bashkia e Shkodrës prej vitesh ankohet se është lënë pas dore nga qeveria qendrore, për shkak të përfaqësimit politik. Si pasojë, kjo bashki ëashtë përballur me një buxhet anemik, krahasuar me nevojat reale të qytetit. Brenda vitit një bashki si e Shkodrës shpenzon 32-33 miliardë lekë ose deri në 28 milionë euro, përdorimi i të cilave miratohet nga trupa vendimmarrëse e Këshillit Bashkiak.

Në këtë situatë, shtyrja e ndihmës ekonomike për kategoritë më vulnerabël apo zvarritja e miratimit të planeve afatgjata, si buxheti, të cilat kanë një procedurë që zgjat me disa muaj, i shton edhe më shumë vështirësitë e kësaj bashkie.

Fatlum Nurja, ekspert i qeverisjes vendore, mendon se kjo sjellje e këshilltarëve, më shumë se abuzim, është një mungesë përgjegjësie. Ky këshill, sipas tij, ka vepruar në mënyrë të gabuar.

“Këshilli Bashkiak në mënyrën e kryerjes së detyrës së tij ka një gabim thelbësor, që mblidhet, vetëm kur administrata bën gati projektvendimet. Në fakt, kur ka mbledhje Këshilli Bashkiak, po atë ditë administrata vjen me projektvendime. Këtu ndodh e kundërta”, sqaron Nurja.

Puna dhe angazhimi i këshilltarëve është sanksionuar me ligjin numër 139/2015 “Për qeverisjen vendore”.

“Ligji organik e ka të përcaktuar qartë në nenin 49, germa e, ku sanksionohet se, mandati i këshilltarit hiqet, nëse ai ose ajo nuk merr pjesë për një periudhë 6-mujore në mbledhjet e Këshillit”, ka sqaruar nëpërmjet një përgjigjeje zyrtare ish-kryetarja e Këshillit Bashkiak, Briselda Kadija.

“Këshilltarët janë të angazhuar edhe në sektorë të tjerë punësimi, sektorë publikë apo privatë, dhe në pjesën më të madhe mungesat kanë qenë për rrjedhojë të këtyre angazhimeve”, justifikon mungesat e këshilltarëve ajo.

Megjithatë, pavarësisht justifikimeve, një vështrim i shpejtë mbi vendimmarjen e Këshillit Bashkiak Shkodër krahasuar me Këshillat Bashkiak të qyteteve të tjera kryesore në Shqipëri, tregon një mungesë përkushtimi ndaj detyrimeve të këshilltarëve të Bashkisë Shkodër. Ndërkohë që ky këshill, për periudhën 2019-2023 ka marë vetëm 247 vendime për administrimin dhe funksionimin e qytetit, Këshilli bashkiak Tiranë ka marë plot 573 të tilla, Këshilli i Bashkisë Durrës, 564, Këshilli i Bashkisë Vlorë 375 dhe ai i Bashkisë Fier mbi 432. Edhe Këshillat Bashkiakë në Bashkitë Lezhe dhe Vau Dejës, bashki me një popullsi, aktivitet ekonomik dhe social më të vogël se bashkia Shkodër, kanë pasur një performancë më të lartë në vendimmarrje, me 625 dhe mbi 320 vendime respektivisht, për të njëjtën periudhë.

Fatlum Nurja, ekspert i qeverisjes vendore

“Është dëmsjellëse, pasi dëm nuk bën, vetëm kur bën gabim; dëmi bëhet edhe me mosveprim. Është një marrëveshje, e cila shkelet. Ti nuk mund të përfaqësosh interesat, nëse nuk je i pranishëm, aty ku vendosen interesat e komunitetit”, shton Nurja.

Duket se ky Këshill tashmë, në fundin e mandatit të tij, ka shkelur një sërë të drejtash të qytetarëve të Shkodrës.

“Nuk ka një zgjidhje ligjore për këtë, është vetëm një vullnet politik, ku qytetari duhet të reagojë në zgjedhjet pasardhëse”, – thotë Fatlum Nurja, ekspert i qeverisjes vendore.

Megjithatë, situata e nfgërçit politik e vërejtur për më shumë se 4 vjet, e cila pati një ndikim negativ në cilësinë e jetës së qytetarëve të Shkodrës, mori fund me zgjedhjet për pushtetin lokal të 2023, në të cilat kreun e Bashkisë e mori Partia Socilaiste, së bashku me 18 anëtarë të Këshillit Bashkiak.

Trembëdhjetë pozicione në Këshill i fitoi koalicioni politik Bashkë Fitojmë, 12 partia Socialdemokrate, 5 Partia Demokratike dhe nga një Këshilltar Aleanca Liberale e Djathtë, Partia Levizja e Legalitetit dhe Fryma e Re Demokratike.

Pavarësisht pamundësisë për penalizimin e ish-anëtarëve të Këshillit Bashkiak për braktisje të detyrimeve që i kishin lindur nga ky pozicion, shpresa qendron që një Këshill bashkiak më i larmishëm do të sjellë dhe një përfaqësim më të shëndetshëm të interesave të qytetarëve të Shkodrës, dhe sidomos të shtresave që varen nga vendimmarrja e këtij organi.

Ky artikull u botua pranë “Investigative Network Albania”



5 Comments

  1. A është Sali Berisha ai që duhet të pretendojë e akuzojë strukturën e re të drejtësisë për pasivitet?! Vetë ai ka qenë arkitekti dhe mbështetësi i drejtësisë së korruptuar dhe njerëzve të saj, që u pasuruan paturpësisht mbi drejtësinë e munguar ose të shtrembëruar. Mbi çfarë kriteresh morali flet doktori, kur ende nuk ka kërkuar falje publike për çka pushteti i tij prodhoi në afera korruptive, përfshirë edhe kontrollin politik të drejtësisë që ishte akti kryekorruptiv i demokracisë.

  2. qe nga 2005 kudo ku ka kandidate apo anetare te PD se Berishes neper keshille bashkiake ka bllokime e njerezit torturohen neper sportele. E nisen me Tiranen ne 2005 kur erdhen ne pushtet duke bllokuar cdo gje e vazhdojne sot ne 2023 ne Shkoder

  3. O të paemra.Fyellit me një vrimë ju patronazhista.Fajin e ka Sala dhe PD.Artikulli flet për këshillin Bashkiak të Shkodrës nga 2019 deri 2023 kur ky këshill ishte tërësisht i kuq dhe refuzonte çdo vendim të kryetares që ishte demokrate. Kështu kur je injorant.

    1. ptuj rrace e poshter!! Jeni ju robqira qe na cate trapin per 8 vjet qe Berisha ka ik apo cpune keni me Berishen se Berisha s’eshte me e tani rrini si muta. He ka ik apo ska ik Berisha… kudo shkoni ju vec rremuje, vec zhurme, vec destabilizim. E niset me tritol shtyllave te tencionit te larte, qr edhe armikut me te madh te kombit Shqiptar sdo i kishte vajt ne mendje me hedh ne ere shtyllat e tensionit te larte. 6 vjet e bllokuat Tiranen me kshu lorash e kshu zhurme, i futet nje shkaterrim sheshit Skenderbej e ndertuat nje lines ne mes te Tiranes, i futet nje te shkaterruar mbikalimit te zogut te zi e tani pa pike turpi kaloni e u zgjidh pune ai i sheshit shquiponja. Ptuj rrace e poshter qe prej jush vetem di te zi ka pare Shqperia, me muaj te tere ndersenit njerezit me blloku unazen tek Astiri nderkohe sot ajo unaze ka cliru komplet trafikun ne ate zone e dilet nga Tirana per 2 min. Kurre mos ardhte me ne pushtet soji i Berishizmit dhe e gjith e zeza, shkaterrimi, dhuna, rremuja, shpifja qe perfaqeson

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *