• |
ide | kryesore

Ndërtuesit parashikojnë të rrisin sërish çmimet e apartamenteve në tre muajt e ardhshëm

Lajme, Të fundit



Çmimet e apartamenteve u rritën ndjeshëm tre vitet e fundit, ndërsa në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, tendenca duket se u qetësua, duke shënuar rënie të lehtë. Por, ndërtuesit sërish mendojnë që të rrisin çmimet në muajt në vijim. Sipas vrojtimit të besimit të bizneseve të publikuara nga Banka e Shqipërisë, që ka intervistuar ndërtuesit, këta të fundit kanë shtuar pritshmëritë për rritjen e çmimeve në qershor, pas një pesimizmi në dy muajt e mëparshëm.

Ndërtuesve u bëhet pyetja: Si prisni të ndryshojnë çmimet që ju do të vendosni gjatë 3 muajve të ardhshëm?

  1. Do të rriten
  2. S’do të ndryshojnë
  3. Do të bien

Balanca e përgjigjeve për këtë pyetje u rrit në qershor, duke arritur në 26.2 (kjo balancë nënkupton që 26.2% më shumë ndërtues mendojnë se çmimet do të rriten në raport me ata që mendojnë të kundërtën).

Ndërtuesit janë optimistë dhe për rritjen e aktivitetit të tyre në muajt në vijim. Sipas Bankës së Shqipërisë, Treguesi i Besimit në Ndërtim (TBN) u rrit me 2.2 pikë përqindje në muajin qershor, duke shënuar nivelin më të lartë historik.

Ky tregues qëndron 37 pikë përqindje mbi nivelin e mesatares afatgjatë. Rritja këtë muaj u përcaktua si nga vlerësimet më të mira për aktivitetin aktual ndërtues ashtu dhe për nivelin e porosive aktuale. Ndërkohë, si pritjet për punësimin ashtu edhe ato për çmimet në të ardhmen shënuan rritje.

Optimizmi i biznesit të ndërtimit duket i lidhur me përmirësimin e porosive, ndonëse balanca e përgjigjeve për pyetjet “Si i vlerësoni porositë (kontratat porositëse) aktualisht?” është negative në -10, por gjithsesi është niveli më i mirë që është regjistruar ndonjëherë që nga viti 2016, kur raportohen të dhënat.

Çmimet ishin në rënie për herë të parë në gjysmën e dytë të vitit 2022

Sipas Indeksit Fischer të çmimit të banesave, që llogaritet nga Banka e Shqipërisë me bazë 6-mujore, çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë 6-mujorit të dytë 2022 rezultoi në rritje me 16.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por është ulur me 9.1%, në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo ecuri sugjeronte se rritja e çmimeve mund të ketë hyrë në një fazë normalizimi, pas një rritjeje prej 28.4% në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022 (kundrejt gjashtëmujorit paraardhës).

Çmimet e apartamenteve kanë shënuar rritje të ndjeshme vitet e fundit. Po sipas Indeksit Fischer, që nga viti 2013, që është viti bazë, deri në 6 muorin e parë 2022, indeksi i çmimeve të banesave u rrit me afërsisht 110%, shumë më lart se shtetet e Bashkimit Europian ku që nga nga viti 2010 deri në 3-mujorin e dytë të 2022, apartamentet janë shtrenjtuar me 48%.

Tirana dhe bregdeti, më të shtrenjtat

Në Tiranë, apartamentet janë shtrenjtuar me ritme të shpejta. Në kullat në qendër çmimi ka arritur deri në 6 mijë euro për metër katror, ndërsa në periferi tashmë luhatet në 1000 euro/m2 dhe në zonat brenda Tiranës në rreth 1500-3500 euro, në varësi të pozicionit.

Bregdeti, sidomos Jugu, është një tjetër zonë që po tërheq blerës, për shkak të çmimeve ende më të lira në raport me vendet e rajonit si Budva në mal të Zi, apo Kroacia, duke bërë që në resortet luksoze të arrijnë në 3500 euro/m2.

Teksa çmimet e apartamenteve janë rritur me ritme më të shpejta se të ardhurat e familjeve dhe individëve, fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm, duke i bërë hyrjet në Shqipëri ndër më të shtrenjtat në Europë.

Tregu i pasurive të paluajtshme arriti rekord në T I

Që nga tremujori i parë i vitit 2021 tregu i pasurive të paluajtshme është rritur me ritme shumë më të shpejta në krahasim me periudhat e mëparshme

Të dhënat e publikuara nga INSTAT bëjnë të ditur se prodhimi i brendshëm bruto me çmime korente në aktivitetin e pasurive të paluajtshme, që mat vlerën e transaksioneve ekonomike në këtë sektor, arriti në 32.3 miliardë lekë, ose gati 300 milionë euro në tre muajt e parë të vitit.

Ky është niveli më i lartë i transaksioneve të tregut të pasurive të paluajtshme i regjistruar ndonjëherë, që kur INSTAT raporton të dhënat./ Monitor



4 Comments

  1. “Teksa çmimet e apartamenteve janë rritur me ritme më të shpejta se të ardhurat e familjeve dhe individëve, fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm, duke i bërë hyrjet në Shqipëri ndër më të shtrenjtat në Europë.”
    ptuj robq… fare e keqe po si mor gazetar sherbetor thua qe fuqia blerese ka rene ku po shiten apartamentet qe ne themel. Ne Tirane te Re aty ku cmimi eshte me i shtrejti ska ngel apartament pa u shitur o gazetar idiot

  2. Zonja Osmani tashmë është në linjë të drejtpërdrejtë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe mund të çojë vendin në zgjedhje në mënyrë që të mos lejojë një konfrontim të hapur të qeverisë aktuale në raport me faktorin ndërkombëtarë për ndonjë veprim të caktuar në pjesën veriore

  3. keta te monitorit vetem per reviste ekonomike sbejn, para zgjedhjeve thane qe po bie euro se po hedh qeveria shume para per fushate e doli qe euro po bie me shume tani nga fluksi i turizmit e ka 2 muaj qe kan mbaruar zgjedhjet

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *