• |
ide | kryesore

Udhëheqësit e NATO-s mblidhen për samitin në Vilnius/ I pranishëm edhe Rama

Lajme, Të fundit



Udhëheqësit e aleancës ushtarake të NATO-s, mes tyre edhe kryeministri Edi Rama, mblidhen sot dhe nesër në Vilnius të Lituanisë. Samiti zhvillohet në një kohë kritike për sigurinë në Evropë, pasi lufta në Ukrainë është në mesin e një kundërofensive të Kievit. Samiti vjen, gjithashtu, një vit pas takimit të Madridit, ku aleatët e NATO-s kanë rënë dakord për një koncept të ri strategjik, i cili e ka veçuar Rusinë si kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë.

Udhëheqësit e vendeve anëtare të organizatës më të madhe ushtarake në botë pritet të diskutojnë për një gamë të gjerë temash, në mesin e të cilave do të dominojnë përpjekjet e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO, si dhe pranimi i Suedisë në aleancë.

Gjatë samitit nuk pritet që Ukrainës t’i bëhet ftesë për anëtarësim, gjë që, sipas procedurave të NATO-s, është hapi i parë drejt anëtarësimit të plotë. Këtë e ka konfirmuar tashmë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ka thënë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë derisa lufta në këtë vend vazhdon. Pritjet janë që aleatët të shfaqin disa mospajtime se si t’i qasen këtij problemi në deklaratën përfundimtare. Vendet e Evropës Lindore besojnë se Ukrainës duhet t’i ofrohet një udhërrëfyes, ndërsa ato perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë, janë më të kujdesshme sa u përket veprimeve që do të mund ta sillnin aleancën më afër luftës me Rusinë.

Drita jeshile për Suedinë

Tema e Suedisë, praktikisht, ka përfunduar më 10 korrik, një natë përpara samitit të aleancës, kur presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, ka pranuar që t’ia përcjellë Parlamentit të vendit të tij kandidaturën e Suedisë për anëtarësim në NATO. Suedia – ashtu si edhe Finlanda – ka qenë tradicionalisht vend neutral sa u përket aleancave ushtarake, por ajo ka kërkuar pranimin në aleancë pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë, më 24 shkurt të vitit të kaluar.

Finlanda është bërë anëtare e plotë e NATO-s në prill të këtij viti. Ndonëse të dyja vendet kanë kërkuar njëkohësisht pranimin, Turqia e ka bllokuar deri më tash procesin e anëtarësimit për Suedinë, duke pretenduar se ky vend strehon anëtarë të grupeve militante, që Ankaraja i konsideron terroriste. Në takimin që Stolteberg ka organizuar më 10 korrik me presidentin e Turqisë dhe kryeministrin e Suedisë, Erdogan ka pranuar që ta heqë veton, duke hapur mundësinë që Suedia të bëhet anëtare e NATO-s. Anëtarësimi i plotë do të ndodhë kur të gjitha vendet ta ratifikojnë protokollin e pranimit.

Kosova jashtë agjendës

Në samit nuk pritet të diskutohet fare për Kosovën, pavarësisht rritjes së tensioneve në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe. Trazirat e fundit atje kanë çuar në sulme të protestuesve serbë kundër ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR, por, megjithatë, Kosova është jashtë agjendës zyrtare të diskutimeve.

Masa të rrepta për sigurinë

Për mikpritësen e samitit të NATO-s, Lituaninë, kjo ngjarje është më e madhja në historinë e këtij vendi. Për sigurinë janë angazhuar tri njësi kundërajrore gjermane, Patriot, ashtu si edhe avionë shtesë luftarakë. Gjithashtu, mbi 1.000 ushtarë nga vende të ndryshme të NATO-s do të kujdesen për sigurinë. Lituania kufizohet me rajonin rus të Kaliningradit në jugperëndim, si dhe me Bjellorusinë – aleate e Rusisë – në lindje dhe në jug.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *