• |
ide | kryesore

PS i bën qokën natën vonë Skënder Gjinushit

Arkiva, Lajme, Të fundit



Me një procedurë të kontestuar, socialistët futën në rend dite dhe votuan projektligjin që i jep mundësinë kreut aktual të Akademisë së Shkencave që të kandidojë për një mandat të dytë. Po ashtu, mazhoranca kaloi me votat e saj ligjin e penalizimeve për mjekët e rinj dhe legalizimin e kanabisit mjekësor. Ora shënonte 5 e mëngjesit të së premtes, kur Kuvendi votoi një ligj të kontestuar që i jep mundësinë Skënder Gjinushit që të kandidojë për një mandat të dytë në krye të Akademisë së Shkencave, pavarësisht kontestimeve që shoqëroi diskutimin dhe miratimin e tij në komisione.

Projektligji u fut në rend dite në nisje të seancës së fundit plenare të Kuvendit për këtë sesion parlamentar, ndërkohë që mandati i parë i Gjinushit ka përfunduar dhe me ligjin në fuqi ai nuk kishte të drejtë rikandidonte për një mandat të dytë radhazi. Opozita kërkoi me ngulm mosfutjen në rend dite, duke e cilësuar procedurën në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit, pasi ishte miratuar në komisionin përgjegjës për Edukimin në mënyrë të njëanshme nga socialistët, jashtë afateve të parashikuara.

Relatorja e e opozitës për këtë projektligj, Ina Zhupa, tha se Kuvendi po zhytej në paligjshmëri dhe po ndërhynte hapur në procesin zgjedhor të një institucioni të pavarur.

“Po ndërhyni në garë që t’i jepni një mandat të dytë Gjinushit, Kuvendi po bëhet vegël e ambicieve personale të një individi”, tha Zhupa.

Deputetja demokrate i kërkoi kryetares së Kuvendit që ta shtynte miratimin e tij edhe për arsye teknike të parashikuara në rregullore. “Një projektligj nuk futet në votim pa raportin e relatorëve”, tha ajo, duke shtuar se “unë dhe relatorja e PS-së, Blerina Gjylameti e kemi marrë draft-raportin 10 minuta para nisjes së seancës”.

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi mazhorancën se po shkelte rregulloren e parlamentit për interesa politike, duke zbatuar sipas tij “marrëveshjen Rama-Doshi-Gjinushi”.

Gjinushi ishte kryetar i Partisë Socialdemokrate para se këtë parti ta merrte në drejtim aleati politik i PS-së, Tom Doshi.

“Kushtetuta e parlamentit thotë në mënyrë tekstuale, se një ligj nuk mund të hyjë në rend dite pa kaluar 48 orë. Ti kryen një shkelje të rëndë ligjore të barabartë me banditët Rraja që rrihni qytetarët me shkopa bejsbolli”, akuzoi Berisha kryetaren e Kuvendit.

Gjinushi u investua personalisht që ligji të kalonte brenda këtij sesioni parlamentar. Ai ishte prezent në mbledhjen e komisionit, ku mbrojti nenet që i zgjasnin mandatin dhe debatoi me deputetët e PD-së, duke refuzuar opinionin nga Këshilli i Ministrave për efektet financiare.

Deputetja demokrate, Merita Bakiu, e cila drejton Aleancën e Grave në Kuvend e akuzoi Gjinushin se kishte përdorur gjuhë seksiste në komision dhe ftoi deputetet gra që të mos e votonin projektligjin.

“Gjinushi ka përdorur gjuhë seksiste, intimiduese në komision”, ndërsa shtoi se: “është turp që ai të jetë në krye të Akademisë së Shkencave”.

Edhe kryetarja e komisionit të Edukimit, Flutura Açka në një njoftim për mediat u bëri thirrje grave deputete që të mbanin qëndrim ndaj gjuhës që ai përdori në mbledhjen e komisionit.

“Ju këtu shisni edhe pjeshkë”, citoi ajo Gjinushin, duke e akuzuar se kishte ngritur një kurth në bashkëpunim me drejtuesit e parlamentit për të kaluar projektligjin.

Seanca plenare e fundit e sesionit zgjati 19 orë dhe në fund me votat e socialistëve u votuan dhe projektligji për legalizimin e kanabisit mjekësor si dhe projekti i debatueshëm i qeverisë që synon të pengojë largimin nga vendi të mjekëve të rinj përmes masave penalizuese./BIRN



2 Comments

  1. Ky parlament gjoja do ta pastroje administaten nga bashkepuntoret e sigurimit kur Gjinushi qe doli nga haleja e Ramiz Alise ne takimin me studentet e dhjetorit,atekohe minister i qeverise komuniste te PPSh u dashka te qendroje deri sa te ngordhe ne poste drejtuse.Pijani lengun reformes ne drejtesi.Ky vend nuk behet.Ikni sa me shpejt ju qe mundeni

    1. O USA nuk faj Partija Socjaliste as Edi Rama dhe as Evis Kushi per Skender Gjinushin por fajin e kan Akedemiket qe zgjodhen Gjinushin Evis Kushi ka shum te drejte se ne albanologji jan ber një ser paqauresh dhe shkelje dhe Evis Kushi nuk genjen kurre esht shum e drejte dhe shum e sinqerte dhe Evis Kushi nuk e do poliken mashtruese dhe as Gjinushin prandaji Akademiket duhet ta vodojn kundra Gjinushin se dhe Gjinushi një kumbull pjerth me Sali non graden

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *