• |
ide | kryesore

BIRN: Ndryshimet në qeveri kur PS po përballet me skandale korrupsioni

Arkiva, Lajme, Të fundit
qeveri



Pas një fjalimi të gjatë në Asamblenë e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama vendosi të largojë pesë ministre nga kabineti i tij qeveritar, ndërsa përsëriti premtimin se ai dhe Partia Socialiste nuk do të mbronin asnjë pushtetar që do të përballet me drejtësinë.

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, ajo e Bujqësisë, Frida Krifca, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, Edona Bilali si dhe ministrja e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, Milva Ikonomi nuk do të jenë më pjesë e Këshillit të Ministrave.

Xhaçka ka shërbyer në qeveri prej vitit 2017, si ministre e Mirëqenies Sociale, e Mbrojtjes dhe së fundmi në krye të diplomacisë.

Vitin e fundit, Xhaçka po përballet me kërkesën e opozitës për heqjen e mandatit të deputetit pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi, u shpall investitor strategjik nga qeveria. Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme do të drejtohet nga Igli Hasani, një diplomat karriere, ish-ambasador, aktualisht koordinator i OSBE-së për ekonominë dhe klimën.

Edhe Frida Krifca ikën nga Bujqësia pak muaj pasi Bashkimi Europian njoftoi pezullimin e fondeve IPARD në bazë të dyshimeve për korrupsion nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, AZHBR, e drejtuar më parë prej saj.

Në vend të Krifcës, Rama rikthen në kabinet deputeten Anila Denaj, që më herët ka drejtuar ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Rama njoftoi gjithashtu se kishte zhvendosur Olgerta Manastirliun nga Ministria e Shëndetësisë në atë të Arsimit. Manastirliu e drejtonte këtë dikaster që nga vitit 2017, ndërkohë që do të zëvendësohet nga Albana Koçiu, drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj shkarkohet nga kjo detyrë për t’iu besuar një ministri më e vogël dhe pa portofol, si ajo e Sipërmarrjes. Në krye të Financave, Rama emëroi Ervin Meten, ish-zëvendësministër në këtë dikaster, që mbante aktualisht postin e drejtorit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Kryeministri njoftoi krijimin e një ministrie të re pa portofol, që sipas tij do të koordinojë punën mes pushtetit qendror dhe atij vendor, duke marrë në kabinet për këtë detyrë nënkryetarin e bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku.

Ndryshimet vijnë në një moment kur në mandatin e tretë qeverisës, PS po përballet me skandale korrupsioni dhe me dosje hetimore që përfshijnë ministra apo ish-ministra.

Në fjalimin e gjatë para socialistëve, Rama nuk dha arsyet që e çuan drejt këtyre ndryshimeve, por pranoi se partia që ai drejton ndodhet përpara një sprove të vështirë, atë të përballjes me drejtësinë, të cilën tha se do ta kalojë “gjallë, a vdekur”.

Ai tha se nuk i kishte asnjë borxh askujt që futej në borxh me këtë drejtësi, pavarësisht se sipas tij, edhe ajo ishte e gabueshme.

Rama po ashtu propozoi emrat për sekretariatin e ri të partisë, pasi shkarkoi pak javë më parë sekretarin e përgjithshëm, Damian Gjiknuri.

Ardian Çela, Eduart Ndreca, Evis Kushi, Etjen Xhafa, Romina Kuko dhe Milva Ikonomi janë emrat që do të drejtojnë sekretariatet e PS-së, pasi të votëbesohen në Kongresin e Jashtëzakonshëm, të cilin Rama e njoftoi për në muajin tetor. /Reporter.al

LEXO EDHE: Kokat e prera si apologji e pamjaftueshme



5 Comments

  1. nese lexon statusin e Berishes, vihet re me sy te lire se ndryshimet ne qeveri i sheh me nje realitet te permbysur, duke treguar qarte se as i mban mend keto ndryshime.

    Ndryshe s’kishte si te ndodhte qe Maznikun e propozuar per minister shteti per Pushtetin Vendor, e ‘con’ tek Ministria e Jashtme ne vend te Xhackes.

  2. KUMANDARI VENDOS, E SERVILET DUARTROKASIN, U SHQYEN NE DEBATE, SA QE KUMANDARIT I VANE DJERSET CURKE. HAJDE PARTI, HAJDE, VETEM KESHTU NUK ESHTE. NJE GRUMBULL SERVILESH, SI TE TREDHUR QE DEGJOJNE E U DRIDHEN KEMBET NGA I PARI.UNE THESHTE MBRETI, UNE JAM ZEUSI, UNE JU VE E KOMANDOJ NE DETYRA, PO KUR VIDHNI E MASHTRONI UNE AS QE DI GJE, ANDAJ JEMI PARTI I BANDAVE, HAJDUTEVE, DROGES, MASHTRIMEVE, SE VETEM KESHTU ME JU, MBAHET PUSHTETI.E NDERA NXIHEJ, SYTE SI GERDALLE, KRUHEJ E KRUHEJ SE E HANTE MIZA, POR KUR TA HAJE, DO E HAJE NJE HERE E MIRE. SUKSEK KULISHEVE TE KONGRESIT.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *