• |
ide | kryesore

BIRN: Prokuroria lehtëson akuzat ndaj Rrajave dhe ua faturon hetimin viktimave

Arkiva, Lajme, Të fundit
prokuroria, Rraja



Një muaj pas dhunës barbare të ushtruar nga 9 anëtarë të fisit Rraja në Fushë-Krujë, Prokuroria e Tiranës ka lehtësuar akuzën dhe u kërkon viktimave të dhunës që të ushtrojnë ankim, ose në të kundërt nuk mund të vazhdohet me ndjekjen penale ndaj autorëve.

Prokuroria e Tiranës e regjistroi procedimin penal më 8 korrik për “plagosje të rëndë me dashje”, pas publikimit të videos së dhunës [link] që shkaktoi zemërim publik, por përmes një shkrese që mban datën 8 gusht, i njëjti institucion thotë se bazuar tek ekspertizat mjeko-ligjore, akuza është “plagosje e lehtë me dashje”, e parashikuar nga neni 89 i Kodit Penal.

“Vepra penale plagosje e lehtë me dashje, parashikuar nga neni 89 i K.Penal, nuk bën pjesë në ato vepra për të cilat ndjekja penale fillon kryesisht,” – shkruan prokurori Ylli Bashaj një kërkesë për depozitim ankimi ndaj vëllezërve Maja.

“Në këto kushte, Bilbil dhe Jashar Maja si viktima të veprës penale kanë detyrimin që të shprehen nëpërmjet ankimit të tyre nëse, kërkojnë ndjekje penale ndaj të gjithë personave të cituar më sipër,” thuhet më tej në dokument.

Kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja u rrahën barbarisht me shkopa bejsbolli dhe u kanosën me armë nga të afërmit e deputetit të zonës, Rrahman Rraja më 6 korrik – në shenjë hakmarrje ndaj ankesave dhe denoncimeve që ata kishin bërë për dëmtimin e shtëpive të tyre nga një gurore në pronësi të Rrajave.

Ngjarja u komentua nga publiku i gjerë si tregues i kontrollit të bandave mbi territorin e vendit dhe pafuqishmërinë e Policisë së Shtetit për të ushtruar detyrën e vet kryesore, kontrollin e territorit. Ajo u pasua me dorëheqjen e Rrajës si deputet dhe largimin e Bledi Çuçit nga Ministria e Brendshme.

Sipas shkresës së Prokurorisë së Tiranës, akti i ekspertimit mjeko-ligjor për Jashar Majën tregoi plagë në lëkurën e kokës, shembje të indeve të buta të trupit dhe dëmtime të shkaktuara nga mjet i fortë prehës, ndërsa në trupin e Bilbil Majës u konstatuan edhe thyerje e kockës frontale-parietale e anës së djathtë të kokës si dhe thyerje e kockës ulnare të parakrahut të majtë, përveç dëmtimeve të tjera.

Por sipas ekspertizës, këto dëmtime kanë sjellë humbje të aftësisë së përkohshme në punë, por nuk kanë qenë të rrezikshme për jetën.

Mbështetur në këto konkluzione, prokurori i Tiranës, Ylli Bashaj ka konkluduar se në këtë rast, nëntë të proceduarit Ineidi Rraja, Andi Rraja, Eni Kullaj, Përparim Rraja, Xhelal Rraja, Flamur Rraja, Rexhep Rraja, Klajdi Rraja e Edison Meta kanë kryer veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.

Prokurori Ylli Bashaj refuzoi të komentonte mbi pyetjen e BIRN për lehtësimin e akuzave mbi dy viktimat e dhunës. Ndërsa Prokuroria e Tiranës njohu ndjeshmërinë e madhe të opinionit publik për ngjarjen, përmes një reagimi pasdite, ku deklaroi se po vijonte veprimet e tjera proceduriale në lidhje me procedimin penal. Prokuroria nuk sqaroi nëse kushërinjtë Maja kishin bërë ankim dhe se kush ishin veprimet e tjera hetimore që po kryenin.

Rrahman Rraja ishte deputet i Partisë Socialiste që nga viti 2017, por ai u bë i njohur për publikun e gjerë në vitin 2018, kur një vajzë 25 vjeçare denoncoi të birin e tij Rexhepin, për dhunë. Një ish-oficer policie, Emiljano Nuhu, kërkoi strehim politik në Zvicër pasi deklaroi se ishte kërrcënuar nga familja Rraja. Në vitin 2021, një anëtar tjetër i familjes, Redjan Rraja, u arrestua i dyshuar për pjesëmarrje në atentatin kundër ish-prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja dhe Landi Muharremit, i njohur edhe si Rrumi i Shijakut, një figurë e njohur e krimit të organizuar, aktualisht në kërkim.

Kodi Penal parashikon dënime nga 3-10 vjet burg për plagosjen e rëndë me dashje dhe nga gjobë deri në 2 vjet burg për plagosjen e lehtë me dashje; kjo e fundit vetëm me kushtin që viktimat të paraqesin ankim.

Lehtësimi i akuzës ndaj anëtarëve të fisit Rraja u komentua nga ish-kryeministri Berisha si “skandal”.

“… Thyerja e kockave të kafkës dhe ulnës së parakrahut të qytetarit nga banditët e klanit të partisë mafioze Rraja është plagosje e lehtë. E rëndë jo e jo, po as e mesme. Skandal” – shkroi Berisha. /Reporter.al

LEXO EDHE: Katër momentet kur shteti la në baltë viktimat e Rrajave të Fushë-Krujës



4 Comments

  1. Mos kritikoni reformën perfekte ne drejtesi ju opozitare te poshter. Keni per te pare si do zgjidhen padrejtesit e shqiptareve per nja 100 vjet…haaaaa

    1. Ky prokuror ja eshte i Shantazhuar qe do ta bente nje frikacak rrjedhimisht te pa afte e jo adekuat per poziten e prokurorit, ose eshte i Korruptuar qe do ta bente Krimb qe ha shoqerin shqiptare duke nxit drejtsin kanunore. Ky prokuror dhe shume si keta do prodhojn vetem “zgjidhje” me pasoja te vazhdushme, padrejtesisht. Drejtsi me pasoja padrejtesin, eshte drejtesia vetem e te fortit shpirtlige. Vetem ne savanat e Afrikes, mund ta gjesh nje shembull kaq real, ku luani i fort dhe shpirtlig ha drerin me gjith te voglin mbrenda ne bark. Vertet tragjike. SPAK duhet te spastroj, nese s’eshte be ende pjese e zingjirit alegorik.

  2. Ky prokuror ja eshte i Shantazhuar qe do ta bente nje frikacak rrjedhimisht te pa afte e jo adekuat per poziten e prokurorit, ose eshte i Korruptuar qe do ta bente Krimb qe ha shoqerin shqiptare duke nxit drejtsin kanunore. Ky prokuror dhe shume si keta do prodhojn vetem “zgjidhje” me pasoja te vazhdushme, padrejtesisht. Drejtsi me pasoja padrejtesin, eshte drejtesia vetem e te fortit shpirtlige. Vetem ne savanat e Afrikes, mund ta gjesh nje shembull kaq real, ku luani i fort dhe shpirtlig ha drerin me gjith te voglin mbrenda ne bark. Vertet tragjike. SPAK duhet te spastroj, nese s’eshte be ende pjese e zingjirit alegorik.

  3. Ka ngelur vetëm që t’i japin nai dekoratë për detyrën që kanë bërë ndaj partisë dhe kumandarit si Rahjave dhe prokurorëve. Kështu ju do Partia. Armikut kokën tua thyeni!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *