• |
ide | kryesore

Autoriteti i Konkurrencës po heton tregun e qumështit

Lajme, Të fundit



Autoriteti i Konkurrencës ka hapur një procedurë të hetimit paraprak në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nënprodukteve të qumështit.

Hetimi është hapur qysh në muajin shkurt të këtij viti, megjithatë vendimi nuk është bërë publik, për të mos ndikuar procedurën hetimore.

Nga monitorimi i tregut që Autoriteti zhvilloi gjatë muajit shkurt, pas raportimeve në media për rritje të paralajmëruar të çmimeve, rezultoi se çmimet e nënprodukteve të qumështit, kryesisht djathit të bardhë, djathit kackavall dhe gjalpit, janë rritur deri në 38% nga disa prej ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtari në tregun e prodhimit dhe tregtimit me shumicë të nëprodukteve të qumështit. Rritja ka ndodhur në një periudhë të përafërt kohore.

Sipas Komisionit të Konkurrencës, rritja e fortë dhe e njëkohshme e çmimit të nënprodukteve të qumështit (kryesisht djathë e gjalpë) mund të jenë shenja të caktimit të çmimeve si pasojë e marrëveshjeve dhe/ose praktikave të bashkërenduara ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve, sipas parashikimeve të nenit 4 dhe 9 të ligjit nr. 9121 datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Për këtë arsye, Komisioni vendosi hapjen e një hetimi paraprak për të vlerësuar sjelljen e ndërmarrjeve në periudhën kohore nga 1 Janar 2022 deri në 31 Mars 2023.

Nga informacioni i administruar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit rezulton se në tregun e prodhimit, përpunimit dhe tregtimit të qumështit në territorin e Republikës së Shqipërisë ushtrojnë veprimtari rreth 240 subjekte, ku janë të përfshirë dhe personat fizikë të cilët përpunojnë qumësht në zona të kufizuara gjeografike dhe me sasi shumë të vogla.

Bazuar në të dhënat e depozituara, Autoriteti i Konkurrencës ka filluar kryerjen e inspektimeve pranë ndërmarrjeve që zotërojnë pjesë të konsiderueshme të tregut të prodhimit, përpunimit dhe tregtimit të qumështit në qytetin e Tiranës, Durrësit, Kavajës, Divjakës, Lushnjës, Fierit, Vlorës, Beratit, Krujës dhe Shkodrës.

Në fillim të muajit shkurt 2023, mediat paralajmëruan një rritje të çmimit të nënprodukteve të qumështit, kryesisht të deles.

Por, në një reagim pak ditë më vonë, Shoqata Industria e Përpunimit të Qumështit nëpërmjet një komunikimi për shtyp u shpreh se rritja e çmimeve për produktet e bulmetit është lajmëruar vetëm nga një kompani, kryesisht për produktet me qumësht dele dhe dhie, për shkak të rritjes së fortë çmimit të grumbullimit të qumështit nga fermerët.

Sipas shoqatës, operatorët e tjerë nuk patën lajmëruar rritje të çmimeve të këtyre produkteve, ndërsa nënvizonte se asnjë kompani përpunuese në treg nuk synonte të rriste çmimet e produkteve të bulmetit të lopës.

Megjithatë, pavarësisht argumenteve të sjella nga Shoqata, Autoriteti I Konkurrencës në monitorimin e tregut ka konstatuar rritje të çmimeve nga disa prej ndërmarrjeve dhe ka vendosur hapje të procedurës së hetimit paraprak. /MONITOR



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *