• |
ide | kryesore

3 ditë liri në Milenium

Blog
3 ditë liri në Milenium



Nga Edi Lesi

Ata që po hyjnë këtë të mërkurën pasdite në sallën e Kinema Milenium në Tiranë, nuk ngjajnë shumë me gjindjen rreth e rrotull që është lëshuar për qef të vet në tavolinat e bollshme në atë zonë të bukur të metropolit. Një grusht me burra e gra janë ende të interesuar për krimet e komunizmit, e kjo nuk është pak në një shoqëri vanitoze që shkel e rrumbullakos me të pasmet e saj shumëçka para të cilës duhej të ndalej për një hop. E të reflektonte, jo në kuptimin e thellë metafizik ndoshta, po qoftë dhe për brengat e ditës që kemi nëpër gishta. Sigurisht s’do të qe aspak e tepërt të sillte në mendje edhe gjëmat që i ndodhen vendit jo në një kohë e botë tjetër, por bash pak vite më parë.

Luli Progni është nga ato gazetare e aktiviste që e mban ende ndezur llambën në dramat e barbaritë e regjimit të shkuar.

Na ka ftuar në publikimin e një dokumentari për Revoltën e Spaçit. Dëshmi tronditëse dhe realizim mahnitës. Ylber Merdanin me siguri pak vetë e njohin, por nëse ky material do transmetohej në media, siç do të ishte e udhës, patjetër që ai e shumë të tjerë të dënuar të ferrit të Spaçit, do ta bënin audiencën më humane dhe më të mirë të pakten për një ditë, pasi të dëgjonin rrëfimin e tyre.

3 ditë liri pati Shqipëria dhe ajo hapsanë mes maleve, në Spaç, atëbotë, në majin e vitit 1973. Ato 72 orë të dënuarit me një kurajo të çmendur arritën të merrnin burgun e të rrëzonin sistemin e torturave, e hekurave shtrënguar në kyçe.

Ato 3 ditë lirie, ku këndohej me kitarë e mbaheshin fjalime për Shqipërinë që e duam si gjithë Europa, u paguan me 4 ekzekutime, ende pa varre.

Ata që mbijetuan, ja dolën kryesisht duke dorëzuar anën njerëzore. Siç thotë Primo Levi, që pohon se mbeti gjallë prej kampit nazist, pasi xhelatët u hoqën shtresen humane, duke i shpëtuar padashur. Po të kishin ruajtur ndjenjat, brengat e merzitë, shpall ai, do të kishin plasur.

Shumë studiues e mendje të pakompromis janë marrë këto vite me krimet e komunizmit e kanë punuar jo pak. Por indiferenca ka qënë prore më e madhe.

Përpjekjet e Luli Prognit apo Admirina Peçit si milingona të pandalshme, me iniciativën e Agron Shehajt përmes fondacionit ‘Kujto’, ja kanë dalë të ngrenë një institucion përballë murit arrogant të harresës. Modest, por të gjallë.



2 Comments

  1. Sh.mirë Edi(Lesi)por, pa sens dhe moral më duket analiza dhe promocioni i këtij dokumentari shumë domethënës për të zezat e komunizmit në portalin e një pinjolli të diktaturës. Kjo është si shpëlarje e memories të ish- të burgosërve dhe të persekutuarve në atë sistem.Mendoj se siç pretendohet që ish-punonjësit e atij sistemi, pasardhësit(fëmijë,nipër,mbesa etj.të nomenklaturës komuniste janë të detyruar moralisht për të bërë mea-culpa ndaj paraardhësve të tyre.Ndryshe ç’kuptim ka që kërkohet falja të bëhet nga S.Berisha etj(funksionar i partisë) dhe aq më pak nga E.Rama,djali i një skulptori që aksidentalisht është bërë pjesë e kësaj nomenklaturës?

    1. Parashkruesit duket qarte se i eshte skalitur lufta e klasave aq thelle, sa kerkon qe te kerkojne falje djemte, niperit, sterniperit, kusherinjte e trete dhe cfare i mban dera me soj e sorollop cdo individ qe ai e sheh te lidhur me diktaturen.
      Nuk kerkohet falje per ate qe s’e ke bere! Ku ndryshon ti nga ata qe denonin njerezit se qe djali, nipi, apo kusheriri i trete i gruas se nipit te dikujt qe denohej ne diktature? Pak ose aspak! Ti s’ke asnje te drejte (morale, etike, ligjore e cfare te kesh qejf) t’i kerkosh dikujt te kerkoje falje per dicka qe nuk e ka bere (nje padrejtesi, krim apo ku di une se cfare) ose per te cilen s’ka asnje pergjegjesi, faj apo merite (qe eshte i lidhur nga gjaku me dike tjeter). Kaluan mbi 30 vjet dhe nuk u kuptua as kaq te pakten, dicka fare minimale, e pallogaritshme.
      Me pelqen te besoj se po te ishin gjalle ata kater te vdekur te pakallur te permendur me siper, nuk do kerkonin kurre dicka te tille.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *