• |
ide | kryesore

Liderët opozitarë takohen me Osmanin pas sulmit në veri, Haradinaj: Pasiguria vazhdon ende!

Arkiva, Lajme, Të fundit



Liderët e partive opozitare në Kosovë janë takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti, pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë më 24 shtator.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se në takim u informua për gjendjen e sigurisë në Kosovë pas sulmit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe tre sulmues të dyshuar.

“Kam shprehur mirënjohjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të gjithë në shërbim. Kam shprehur po ashtu domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia, si shtet sponsorizues e strehues i terroristëve”, tha Abdixhiku përmes një postimi në Facebook.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit deklaroi për mediat se është e rëndësishme që të ketë bashkëbisedim në situata të tilla të sigurisë “për shkak se rreziku për sigurinë vazhdon edhe më tutje”.

Ai po ashtu tha se për ngjarjet e 24 shtatorit duhet të ketë një hetim ndërkombëtar, pasi sipas tij, ky rast është “pastër terrorizëm”, duke fajësuar Serbinë se qëndron prapa tij.

“Serbia nuk e fsheh faktin se është sponsorizuese, trajnuese dhe i ka dhënë udhëzime këtij grupi terrorist. Me qenë se është kështu, është mjaft me interes të Amerikës dhe BE-së të zhvillohet një hetim dhe të vërtetohet që Serbia është prapa këtij sulmi –edhe pse shihet e dihet botërisht – por, të hetohet nga hetuesit ndërkombëtarë, me mundësi edhe të një gjykate, ashtu siç ka ndodhur me Kosovën [të ndodhë] edhe për Serbinë, të gjykohen ata që po e rrezikojnë rajonin me vepra terroriste”, tha ai.

Ndërkaq kreu i subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, do të takohet më vonë gjatë ditës me Osmanin.

Çfarë ndodhi në veri më 24 shtator?

Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i maskuar dhe i armatosur, teksa forcat e rendit po tentonin të largonin barrikadat që ishin vendosur në një rrugë në fshatin Banjskë të Zveçanit – një prej katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe.

Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjkës, prej ku gjatë gjithë të dielës u përlesh me policinë.

Policia dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë thënë se organizator dhe pjesëmarrës i këtij sulmi ishte Millan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Për pjesëmarrjen e Radoiçiqit – i cili është nën sanksione amerikane dhe kërkohet në Kosovë për frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor të njohur si Brezovica – Sveçla ka publikuar edhe një video të incizuar me dron, që tha se e shfaq zyrtarin e Listës Serbe në Banjskë.

Aktualisht, katër persona janë të arrestuar për ngjarjet në Banjskë, teksa Policia ka ekspozuar më 25 shtator armë dhe pajisje të tjera që ka thënë se janë konfiskuar në këtë fshat.

Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sulmin dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë./REL



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *