• |
ide | kryesore

“Lojtarët dëgjuan bilbilin e lanë lojën”. Deliallisi i tërbuar për humbjen, Nica: “Të bëhemi skuadër shtëpie”

-Instant, Sport
Nica



“Ne duhet të bëhemi skuadër shtëpie, Kukësi duhet të ndjejë fushën vet, ambientin e vet. Duhet të ketë më tepër grinte në shtëpinë e vet dhe autoritet. Pastaj pjesa tjetër, i mbetet orientimit taktik”. Stavri Nica gjen zgjidhjen për të shpëtuar Kukësin në këtë sezon të vështirë. Tekniku, pas rezultatit të tretë pozitiv radhazi, mund të jetë i kënaqur duke qenë se la vendin e fundit për herë të parë në shtatë javë. “Po të besosh te stërvitja, te trajnimi, te forcat që ke, sigurisht që edhe rezultati vjen. Po ngacmove shpirtin, do vijë rezultati”.

Tekniku pastaj paralajmëron të tijtë, i pakënaqur sidomos nga pjesa e parë. Kukësi e përmbysi ndeshjen vetëm në pjesën e dytë me dygolëshin e La Torre: “Asnjë nuk e ka vendin e sigurt, e merr ai që lufton. Në pjesën e dytë Hasaj luftoi e mori përsipër. Përderisa ka cilësi e shpirt gare, pse të mos luajë. Do të futet në fushë ai që ka shpirt gare dhe i shkon disiplinës taktike të skuadrës”.

DELIALLISI: REZULTATI NUK ËSHTË I DREJTË

“E kishim rezultatin pozitiv në pjesën e parë dhe ndeshjen nën kontroll, por u goditëm nga dy episode. Te goli i parë që pësuam, lojtarët kanë dëgjuar një bilbil dhe menduan se ishte ndalur loja. Patëm kontrollin dhe dominuam ndaj mund të fitonim edhe 4 apo 5 me zero. Rezultati nuk është i drejtë”. Alfred Deliallisi nuk e pranon dot humbjen. Erzeni i tij u ndëshkua në pjesën e dytë në mënyrën më të pakonceptueshme për teknikun. “Nuk më ka shkuar kurrë mendja se do humbja ndeshjen. U çudita te goli parë, pasi nuk ishte vetëm një, por të gjithë lojtarët e ndalën lojën. Lojtarët më thanë se dëgjuan një bilbil ndaj erdhi ajo stepje te goli i parë. Kjo ndeshje ishte e dominuar në çdo aspekt nga ne, më vjen keq si e humbëm”.

Lexo më tej: Video/ La Torre ‘çmend’; Kukësin: Nica përmbys Erzenin dhe i bashkohet trenit të skuadrave

Deliallisi pastaj i vuri kapakun humbjes, duke mohuar euforinë për shkak të fitores me Tiranën: “Nuk bëri dëm fitorja me Tiranën, ndaj nuk pati asnjë shenjë nënvleftësimi. Këtë lloj ndeshje vetëm unë dhe djemtë mund ta humbasim. Me aq shumë raste të krijuara, të humbësh ndeshjen me dy episode është e pafalshme”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *