• |
ide | kryesore

FOTO/ Gurë mbi autobusin e Lyon, 12 qepje për teknikun Fabio Grosso: nuk luhet ndeshja me Marseille

-Instant, Sport
grosso



Ndeshja e Ligue 1 mes Olympique Marseille të Gattuso dhe Lyon të teknikut Fabio Grosso është shtyrë. Jashtë stadiumit Velodrome, autobusi i ekipit mik u bë shënjestër e një sulmi me gurë nga ultrasit vendas. Pjesa e djathtë e mjetit ka pësuar dëmtime më të mëdha me disa xhama të thyer. Tekniku i OL Fabio Grosso u godit keq dhe u largua nga autobusi i gjakosur. Një problem me sytë ka edhe zëvendësi i tij Longo.

12 QEPJE PËR TEKNIKUN

Me një hap të pasigurt dhe i mbajtur nga dy persona, me duart që i mbulonin fytyrën e gjakosur, Fabio Grosso u shoqërua në infermierinë e stadiumit të Marsejës, ku një mjek e trajtoi për plagët e marra. I goditur në ballë dhe sipër syrit të majtë, ish-kampioni i botës në Gjermani 2006, tani trajner i Olympique Lyon në Ligue 1, ka patur nevojë për 12 qepje. Ai u largua nga infermieria me një fashë të madhe të mbështjellë rreth kokës.

Folësi i stadiumit Velodrome njoftoi për 60 mijë shikuesit e pranishëm se ndeshja ishte shtyrë për një datë të mëvonshme pas incidenteve jashtë stadiumit. Arbitri Letexier zyrtarizoi vendimin: “Pas dëmtimeve të pësuara nga anëtarët dhe duke marrë parasysh mendimin e OL që nuk ka dashur të fillonte ndeshjen dhe protokollin e vendosur, kjo ndeshje nuk do të luhet. Do të përpilohen raportet përkatëse për autoritetet kompetente”.

Por John Textor, presidenti i Lyon, zbuloi: “Nuk kërkova që të anulohej ndeshja. Ligue 1 na tha se ata do të flisnin me ekipin. Lojtarët tanë, kapiteni ynë, ishin të jashtëzakonshëm në dhomën e zhveshjes, ata donin të luanin. Ata ishin gati për të luajtur. Vendimi nuk varej nga ne, por erdhi kur ishim jashtë stadiumit”.

Në lidhje me teknikun Grosso shtoi: “Ai ishte në gjendje shoku. Nuk mund të fliste normalisht, kishte copëza xhami në fytyrë. Jam i tërbuar, lojtarët tanë, trajneri ynë, ishin përgatitur për këtë mbrëmje, tifozët donin të shihnin ndeshjen”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *