• |
ide | kryesore

“Bravo iu qoftë lojtarëve që shtriheshin”: Martini shpërthen ndaj Tiranës, Ahmataj nuk gëzohet

-Instant, Sport
Martini



“U goditëm nga dy goditje standarde. U munduam që të ndryshojmë në pjesën e dytë e u ndëshkuam tek penalltia. Pastaj s’kishim mundësi çfarë të bënim. Bravo iu qoftë lojtarëve të Tiranës që uleshin në tokë dhe fusnin mjekët në fushë. Na ulën ritmin e ndeshjes, por dhe kjo është meritë dhe bravo iu qoftë”. Edi Martini nuk përmbahet pas humbjes me Tiranën. Teuta, pas asaj me Partizanin, merr një tjetër rezultat negativ ndaj kryeqytetasve.

Tekniku i durrsakëve kërkon të motivojë të tijtë, duke i kërkuar edhe sakrifica: “I kërkoj sulmuesve që të fusin kokën dhe këmbën aty ku duhet, goli duhet të hyjë me dhunë. Na mungon sulmuesi, na mungon goli, shpërdorojmë shumë. Ata kanë ritëm kanë dëshirë, punojmë por nuk arrijmë tek goli. Na mungon cilësia para portës, pikët janë ata që të vënë në presion, kështu vazhdon situta. Besoj që fitorja do të vijë shumë shpejt me këtë lojë që djemtë po bëjnë” tha Martini.

AHMATAJ: RENDITJA MË MËRZIT

“Situatat nuk rikthehen me një fitore. Duhet kohë që të stabilizojmë lojën tonë. Një gjë më vjen mirë, që nuk pësuam gol, një element që na ka dëmtuar në fazën e parë dhe duhet ta përmirësojmë. Terreni nuk të lejon të luash dhe duhet të jemi më cinikë e të kujdesshëm. Ishim më të thjeshtë dhe zgjidhëm gjërat në mënyrë të mirë sot”. Julian Ahmataj mori fitoren e dytë në pesë ndeshje në detyrë dhe nuk mund të jetë i kënaqur. Tekniku të paktën ndali serinë negative, edhe pse 2-0 i arritur ndaj Teutës ishte i vuajtur. Ka arsye, sipas Ahmatajt dhe një prej tyre ishte fusha: “Qarkullimi i topit ndikohet shumë nga terreni dhe situata në të cilën skuadra është. Por do të vijë gradualisht se është armë e fortë e jona që do vijë duke u përmirësuar. Problemet në mbrojtje janë të thjeshta për t’u rregulluar por duhet përqendrim”.

Lexo më tej: Hasani i shpëton fytyrën Ahmatajt: Tirana thyen 2-0 Teutën e kthehet te fitorja pas 3 javësh

Ahmataj pastaj u ndal te situata në të cilën ndodhen bardheblutë, për të cilën është i sigurtë se nuk kalohen me një fitore: “Rezultatet dhe pozicioni i Tiranës është ai që të jep mërzi. Ne ndonëse fituam, jemi të mërzitur për renditjen ku është Tirana. Ne gjithmonë duhet të fitojmë e jemi lart. Unë padiskutim pres më shumë ndaj nuk kam emocion me fitoren”, tha ai pas ndeshjes.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *