• |
ide | kryesore

Përgjimet e Breçanit për trafikun e drogës: “O dajlok, presim dhe këtë javë! Ai tha do nisë 500”

Arkiva, Lajme, Të fundit
Breçanit



Është zbardhur dosja e plotë hetimore për grupin e narkotrafikut nga Amerika Latine në drejtim të Evropës, goditur së fundmi nga SPAK, ku në pranga ranë disa persona, mes tyre zyrtarë dhe ish zyrtarë policie. Ndërsa në kërkim u shpall djali i Erzen Breçanit, Eralbi Breçani dhe Ervin Mata, një personazh i njohur për drejtësinë.

Sipas dosjes, Ervin Mata duket se ka pasur rolin e ndërlidhësit në trafikun e drogës midis bashkëpunëtorëve të tij në Amerikën e Jugut dhe Eralbi Breçanit, djalit të madh të ish-nëndrejtorit të policisë së Tiranës, Erzen Breçanit, të cilit i kishte dhënë motrën për grua. I gjithë aktiviteti i tyre nis dhe zbulohet pas sekuestrimit të disa sasive me lëndë narkotike të kapura në portet e Evropës dhe që vinin nga Amerika e Jugut.

“Në muajin maj të vitit 2023 SPAK ka kërkuar informacione nga Brazili përmes letërporosisë për tentativën për trafikimin e një sasie prej 69 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, e sekuestruar më datë 18 maj 2021, me nisje nga Sao Paolo Brazil dhe destinacion portin e Valencias, në Spanjë. Po kështu SPAK i ka kërkuar informacion edhe Kolumbisë, ku kërkohen të dhëna lidhur me tentativën për trafikimin e një sasie lënde narkotike të llojit kokainë prej 1 100 kg, ngarkesë e cila është gjetur dhe sekuestruar nga shërbimet e doganës në portin Santa Marta në muajin Mars 2021”, thuhet në dosje.

Po kështu SPAK i ka kërkuar informacion Mbretërisë së Holandës, ku kërkohen të dhëna lidhur me tentativën për trafikimin e një sasie lëndë narkotike të llojit kokainë, dërguar nga vendet e Amerikës së Jugut me konteinerin me numër SUDU8014835 me destinacion Antwerp dhe destinacion final shkarkimin në një magazine në Hollandë.

Konteiner që rezulton se është transportuar nga Antwerp drejt Hollandës me kamion. Menjëherë pasi SPAK mori informacione lidhur mbi këto ngarkesa me drogë që po pushtonin ndërkohë Evropën dhe grupin kriminal shqiptar që dilte të ishte i përfshirë, kërkoi nga homologët e tij francezë, informacione mbi bisedat që ata kishin kryer në platformën e komunikimit Sky ECC. Aty nga ku nisi të zbardhej roli i ‘Bolit’, nofka me të cilën thirret Ervin Mata dhe të burrit të motrës së tij, Eralbi Breçani.

“Në ngjarjen e datës 5 janar 2021, ku rezulton se është sekuestruar një sasi prej 446 kg lëndë narkotike e llojit kokainë në Holandë, rezulton se informacioni i ardhur nga Oficeri i Kontaktit pranë Ambasadës së Mbretërisë së Holandës është si më poshtë: Ai ka informuar se ishte kontrolluar kontejneri në zonën e quajtur ‘Maasvlakte’ në portin detar të Roterdamit, Holandë. Gjatë kontrollit në kontenier u zbulua një sasi droge si edhe u arresuar dy shtetas holandezë. Kontejneri rezulton se ishte ngarkuar në portin detar të Guayaquil në Ekuador.

Gjatë analizimit të bisedave në Sky ECC, mes Ismail Zenelit me nofkën ‘Daja’, apo ‘Dajloki’ dhe “Transporter”, Eralbi Breçani me nofkën ‘Boli’ ose ‘Toni’, Besmir Murtati me nofkën ‘Kukësi” dhe përdoruesit të paidentifikuar me nofkën ‘Elb’ ose ‘Elb Nissan’, del në pah bashkëpunimi ndërmjet këtyre shtetasve dhe funksionimi i tyre si një grup i strukturuar kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve. Po kështu evidentohen rolet e secilit për realizimin e trafikimit të narkotikëve nga vendet e Amerikës së Jugut në drejtim të portit të Antwerpit, Belgjikë dhe Roterdamit, Hollandë”, thuhet në dosje.

Bazuar në punët për të cilat ata ishin ngarkuar të kryenin, gjithsecili prej shqiptarëve të përfshirë në këtë aktivitet kishte një detyrë të posaçme për të çuar deri në fund. Kështu, sipas grupit hetues, Ismail Zeneli mbante rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës si edhe të sigurimit të daljes së lëndës narkotike nga porti i Valencias në momentin kur ajo mbërrinte në këtë port e transportuar me kontenier.

Eralbi Breçani kishte rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike në vendin e origjinës. Po kështu për shkak të lidhjeve të tij, kryesisht në Amerikën e Jugut, ai kishte krijuar kontakte edhe me anëtarë të tjerë të grupit që kishin udhëtuar në këto shtete, me qëllim organizimin e aktivitetit të paligjshëm të trafikimin të lëndëve narkotike.

Në lidhje me Besmir Muratin, ky i fundit del se ishte porositësi dhe financuesi për blerjen e lëndës narkotike në Brazil. Por pjesa më interesante e të gjithë hetimit, janë bisedat tashmë të çkoduara midis grupit, por veçanërisht midis Ismail Zenelit dhe Eralbi Breçanit. Këta të dy diskutojnë rreth dërgimit të një ngarkese prej 500 kg të llojit kokainë nga Amerika e Jugut drejt Valencias.

Ismail Zeneli i shkruan Eralbi Breçanit dhe i dërgon mesazhe zanore: “Kam fol por mtha për kët javë 100% do bëj 500 cop me dysheme….”

Eralbi Breçani: “O dajlok se jam në makinë dhe nuk jam duke të shkrujt dot se edhe nuk shof mirë. Ça me të thënë, po presim këtë javë se ai tha po nisim këtë javë 500. Presim edhe kët javë ça me bo….”

Në një tjetër bisedë në vazhdim Ismail Zeneli flet me Besmir Murtatin, ku duket se punët nuk janë edhe aq mirë dhe dikush nuk e ka mbajtur fjalën. Ismail Zeneli flet me Besmir Murtatin për çështjen e drogës.

Murtai është i nxehur: ‘Tani më tha kam për Brazilin. Po leje thash ore na bëj ktë punën e Ekuadorit. Ai lekt smi ka dhënë mua mbrapa a kupton. I q…. robt mor burrë, jo sot, jo nesër, ma nxiu ftyrën”.

Në një tjëtër bisedë Ismail Zeneli kujdeset me Eralbi Breçanin të ndajnë si duhet punët dhe po kështu edhe fitimet që nuk duken fort të këqija.

Ismail Zeneli bisedon me Eraldi Breçanin për ndarjen e drogës: “Gjithsej jemi 6 persona. Unë dhe…mbajmë nga 13.5 që bëjnë 27. Dhe ju te katërt nga 7 copë që bëjnë 28. Total unë me dy qunat e mi do paguj 27.5. Dhe ju keni, ‘Kuksi’ dhe ‘Toni’ 27.5. Kjo është them e drejta. Po jeni dakord na thuni. Duhet ti keni parasysh se tek 55 na marrin 30%”.

Por duket se një situatë e papritur, e pakëndshme ua ka prishur sërish humorin, çunave. Të cilët po përballen me faktin që një pjesë e grupit që ishte angazhuar për nxjerrjen e drogës nga porti, ishte tërhequr nga kjo punë. Ismail Zeneli, personi përgjegjës për nxjerrjen e drogës nga porti, ka problematika lidhur me personat që do nxjerrin lëndën, pasi ata janë tërhequr dhe në chat-grup ka nisur debati rreth kësaj situate.

Ismail Zeneli flet me Eralbi Breçanin dhe Murtatin për personat që kanë marrë përsipër nxjerrjen e drogës: “Daje të lutem thuj atyre sot a e boni punën, po ose jo, se janë përgjësi o daj. Un i mora punën përsipër atyre edhe grupi duhet të jet i sigurt, e bon ose se bon. Për mendimin tim ato jan tremb se nuk e bëjn dot punën mbase”.

Pas kësaj bisede Ismail Zeneli dhe Eralbi Breçani që janë dy kokat e grupit, shfaqin një tjetër hall. Atë se si do ta kalojnë drogën në skaner pa u vënë re. Ismail Zeneli flet ne grup me Eralbi Breçanin dhe Besmir Murtatin. Ata shprehin shqetësim se si do kalojë ngarkesa në skaner: “Dajlok e bëjm prove 150-200 si fillim, Ska problem pse marrin 25 %. Ta shikojm si pun…”

Murati: “Nuk njofin humbje?…”

Grupi flet që nëse nuk njihet humbja në Brazil këta nuk do të njohin humbjen në Valencia. Por duket se grupi dështoi në transfertën e drogës nga porti holandez dhe më tej. Kjo pasi lënda narkotike u kap nga autoritetet ligjzbatuese në këtë vend, gjë që vihet re edhe në bisedat midis tyre, të cilat janë të shqetësuara.

“Në bisedën e zhvilluar këtë datë, dyshohet se është gjetur dhe sekuestruar nga policia holandeze një sasi prej 446 kg kokainë e fshehur në dyshemenë e konteinerit. Kjo sasi, dyshohet se ka lidhje me bisedën e dates 16 dhjetor 2020 ku D…. i thotë shtetasve Ismail Zeneli, Besmir Murtati dhe Eralbi Breçani që në ngarkesë ka futur edhe 10 kg për secilin nga to”.

Kjo është arsyeja përse personat janë aktivë dhe interesohen se si është kapur ngarkesa e kokainës. Një tjetër episod i trafikimit të drogës nga Brazili në Evropë, është edhe ai i 69 kg kokainë në portin e Valencias. Ku edhe në këtë transport emrat e përfshirë janë ata të Eralbi Breçanit, Ismail Zenelit dhe Besmir Muratit. /BW



1 Comment

  1. Lefter Koka dhe Jamarbër Malltezi akuzohen nga SPAK për të njëjtat vepra penale. Edhe pse në gjendje të rëndëar shëndetësore, Lefter Koka mbahet në burg që nga viti 2021 pa një vendim të formës së prerë, ndërsa Jamarbër Malltezi u lirua për disa ditë.

    Çekiçi i drejtësisë në duart e Iliriana Olldashit ka shkarë edhe në raste të tjera.

    Në korrik të vitit 2018, gjyqtarja liroi nga burgu ish-drejtuesi i ARRSH-së dhe funksionarin e LSI Dashamir Xhika, i akuzuar për “korrupsion” dhe “shpërdorim detyre” gjatë ndërtimit të aksit Tiranë-Elbasan.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *