• |
ide | kryesore

“Sikur kemi shkelur m*t”. Martini akuzon lojtarët për mungesë karakteri, Tetova: “Të paktën s’fitoi Partizani”

Sport
Martini



“Është e disata herë që na ndodh. E dinim kë kishim përballë, por si erdhi loja, ta fitosh në minutën e 95 e ta pësosh në të 96 është e pafalshme. Karakteri duhet më i fortë, u futëm të gjithë brenda, por nuk luftuam as për topin e parë dhe as për topin e dytë. Më vjen keq që të pësosh atë gol në fund është e pafalshme”. Edi Martini nuk e fsheh zhgënjimin dhe një lloj nervozizmi për fitoren që i shpëtoi nga duart në fund fare. I ashpër tekniku i Teutës, pas barazimit 2-2 me Egnatian: “Kjo është mungesë karakteri se kanë hyrë nën presionin e pikëve. Janë të trembur, ia lënë njëri-tjetrit në dorë, nuk del dikush të thotë që ky top nuk kalon, pikë. Duhet vendosmëria në fushë, duhet karakter fitues që të kalosh atë vuajtje të minutave të fundit”.

Teuta kaloi përpara me Dacin dhe u arrit në minutën e 88 nga Lemine, përpara se Karabeci të shënonte me penallti avantazhin e dytë në të 96′ e Musta të barazonte 60 sekonda më vonë: “Ky është stres i paparë, më vjen keq se djemtë po luajnë. Më vjen të plas se duket sikur kemi shkelur diçka të keqe e nuk po arrijmë ta heqim nga trupi”, e mbylli Martini.

Lexo më tej: E pabesueshme në Durrës, Egnatia shpëton në minutën e 97′: Musta i heq fitoren ish-skuadrës së tij

TETOVA: “NË TË NJËJTAT POZITVA ME PARTIZANIN”

“Në pjesën e parë Teuta na bllokoi dhe nuk ishim mirë në manovër. Në pjesën e dytë ndryshuam skemë dhe gjithçka ishte për ne. Gjithsesi, vendosi shpirti i madh i gjithë lojtarëve”. Edlir Tetova mjaftohet me pikën e marrë përballë Teutës, e kuptueshme duke parë si erdhi ndeshja. Tekniku i Egnatias eviton polemikat, por ndonjë kënaqësi edhe e ka: “Në pjesën e dytë ka episode loje, siç ishte penalltia, por gjithë kohën e kishim topin në zotërim dhe ishim para portës kundërshtar. Një episod ishte te penalltia për Teutën, nuk e di nëse ishte apo jo”. Në fund të fundit, dëmet u limituan, sepse edhe ndjekësit më të afërt nuk fituan: “Jemi në të njëjtat pozita me Partizanin edhe pas kësaj jave dhe më vjen mirë që nuk humbëm. Një pikë e shtrenjtë si shkoi ndeshja”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *