• |
ide | kryesore

Berisha në arrest shtëpie, avokatët: GJKKO vrapoi të pranonte kërkesat e SPAK, masa në kundërshtim me ligjin

Lajme, Të fundit



Dy avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi kanë dalë me një deklaratë të përbashkët për shtyp në kundërshtim të vendimit të GJKKO për masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi me mbikqyrje policore’.

Duke bërë një renditje kronologjike të të gjithë procedurave që janë ndjekur deri te arresti në shtëpi për Berishën, avokatët e quajtën masën një vendim politik.

Deklarata e avokatëve;

Gjykata izolon Sali Berishën me urdhër politik në kundërshtim me ligjin. Arben Kraja, ish-oficeri i policisë sekrete i regjimit komunist, i konvertuar në Prokuror Special Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe prokurorja Enkeleda Millonai, e përfolur për lidhjet e saj me rrjetin kriminal të PS, kërkuan për kryetarin e PD-së Sali Berisha arrest shtëpie, me mbikëqyrje policore dhe ndalim të plotë komunikimi.

Gjykata Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) më datë 20.10.2023, pas urdhrave publikë politikë të Edi Ramës, mori vendim për caktimin e dy masave të kufizimit të lirisë ndaj Sali Berishës, ish-president dhe ish-kryeministër i Shqipërisë dhe kreut aktual të Partisë Demokratike të Shqipërisë, përkatësisht ndalim dalje nga vendi dhe detyrim paraqitje dy herë në muaj para prokurorisë.

Këto masa ishin në kundërshtim flagrant me garancitë kushtetuese, të cilat ofrojnë imunitet për deputetët. Masa të tilla si kufizimi i lirive të deputetëve, pengimi i lëvizjes së tyre jashtë shtetit, kontrolli i banesës, si dhe liri të tjera kushtetuese, si ajo e shprehjes, e ushtrimit të funksioneve politike, kërkojnë që autorizimi parlamentar të jepet ex-ante nga Kuvendi i Shqipërisë (neni 73 i Kushtetutës së Shqipërisë).

Zoti Berisha i denoncoi këto masa si antikushtetuese dhe refuzoi t’u bindej, pasi të veprosh ndryshe do të nënkuptonte dhënien e lejes për çdo gjyqtar apo prokuror për të shkruar një kushtetutë sipas urdhrave të qeverisë.

Për shkak të këtij qëndrimi, Prokurori Special i është drejtuar Kuvendit dhe ka kërkuar zëvendësimin e këtyre masave me masat e paraburgimit. Kërkesa nuk u mbështet me asnjë provë, siç parashikohet nga procedura dhe precedentët e përcaktuar, por në vend të kësaj, me vendime gjyqësore antikushtetuese. Duke sqaruar çdo dyshim se kush e drejtonte maskaradën, anëtarët e Partisë Socialiste (PS) të Komisionit Parlamentar të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit nuk hezituan të shfaqnin paragjykimin e tyre publikisht përpara se të merrnin vendimin.

Dhënia e autorizimit të kërkuar nga Kuvendi u bë në shkelje të procedurës së përcaktuar në Rregulloren Parlamentare. Në kundërshtim me Rregulloren dhe procedurën përkatëse që, parashikon që deputetit të prekur i jepet e drejta e fjalës dhe që raporti i Komisionit Parlamentar për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin lexohet në seancë plenare, në mënyrë që deputetët të informohen për vendimin që do të marrin, asnjë nga kushtet për marrjen e një vendimi të vlefshëm nuk u plotësua.

Gjatë seancës së Kuvendit, kryetarja e mazhorancës së Partisë Socialiste, futi mbi 50 policë të Gardës në sallën plenare dhe mori vendimin për miratimin e kërkesës së prokurorisë pa lexuar asnjë nga dy raportet e Komisionit të Mandateve dhe pa i dhënë mundësi Berishës të flasë pa praninë e forcave të Gardës në sallën e Kuvendit.

Pas vendimit të mazhorancës parlamentare të PS-së, prokurori i posaçëm, Arben Kraja, një nga oficerët e policisë sekrete të Enver Hoxhës, i shkarkuar nga detyra në vitin 1996 në përputhje me Ligjin e Lustracionit, dhe i cili e mban sërish detyrën në kundërshtim me ligjin e prokurorisë speciale që ndalon ish-oficerët e policisë sekrete të punojnë si prokurorë, si dhe prokurorja Enkeleda Millonai, e përfolur për lidhjet e saj me rrjetin kriminal të PS, i kërkuan gjykatës të vendosë ndaj Berishës masën e arrestit shtëpiak, nën mbikqyrje policie, dhe ndalimin e komunikimit me këdo përveç anëtarëve të familjes së tij të ngushtë.

GJKKO vrapoi të pranonte kërkesat e prokurorëve politikë, në shkelje të Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale (KPP).

Mbrojtja e zotit Berisha kërkuan që gjyqtarja e çështjes, Irena Gjoka, të përjashtohej nga çështja për anshmëri dhe shkelje të rëndë të përsëritur të ligjit. KPP-ja përcakton se pas një kërkese të tillë, procedura duhet të shtyhet deri në marrjen e vendimit mbi të. Në kundërshtim me ligjin, gjyqtarja Gjoka vazhdoi procedurën dhe pranoi kërkesën e prokurorëve pa u gjykuar kërkesa për përjashtimin e saj. Kujtojmë që Irena Gjoka ka qenë gjyqtare e shkarkuar në vitin 1996 nga KLD e drejtuar nga Sali Berisha, atehere president, dhe kërkesat e mëparshme të avokatëve për përjashtimin e saj nga çështja janë rrëzuar me komandë.

Këto masa kundër Z. Berisha u caktuan ndërkohë që ai çështë vetëm person nën hetim dhe ndaj tij nuk është ngritur asnjë akuzë pavarësisht hetimeve të vazhdueshme trevjeçare. Asnjë nga kriteret ligjore që kërkohen me ligj për caktimin apo përshkallëzimin e masave të kufizimit të lirisë nuk u plotësua në këtë rast. Nuk ka asnjë dispozitë në kodin penal material ose procedural të Republikës së Shqipërisë, që përcakton se liria e komunikimit të një personi mund të kufizohet në kushtet e arrestit të shtëpisë.

Për më tepër, liria e shprehjes dhe e organizimit politik janë liri themelore kushtetuese dhe si të tilla për zbatimin e tyre në rastin e deputetëve të kuvendit duhet të kërkohet autorizim i posacëm nga Kuvendi i Shqipërisë. Çdo vendim i marrë në kundërshtim me këtë procedure është i paligjshëm dhe si i tillë, i pavlefshëm.



7 Comments

  1. Eshte futja e popullit me ane te demokracise. Kshu eshte kur beni tolerantin. Saliu i ka ne terezi gjerat. Ju do hani kar

    1. kesaj rradhe duket, karin e hengri Berisha dhe Familja..Ne kemi 30 vite qe e hajm nga Berisha dhe Rama, por tani po e provon vete edhe ky plehra

  2. Tranzicioni mori fund sot me ndalimin e Berishës dhe mbylljen në shtëpi të tij. Njeriu me të cilin është i lidhur ndryshimi i vitit 1991, 1992; ngjarjet e 1996, 1997 dhe 1998 që e futën Shqipërinë në listën e zezë të vendeve të pasigurta dhe mblidhnin Këshillin e Sigurimit të OKB nëpër natë duke e kthyer vendin në vitin 1912; që u rikthye në vitin 2005 për të hedhur në erë në 2009-ën dhe vrarë në 2011-ën, tashmë i përket historisë.Salihu ka nje jave qe nuk fle gjume as medikamentet e gjumit nuk bejne efekt.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *