• |
ide | kryesore

Megi Doçi firmos me Galatasaray, turqit binden nga 88 golat në një sezon: “Dua Champions”

Sport
Megi Doçi



Nga Shkodra në Stamboll e nga Vllaznia te Galatasaray. Megi Doçi bën transferimin më të bujshëm në historinë e futbollit të femrave në Shqipëri. 27 vjeçarja është prezantuar si blerja më e re e Galatasaray, duke u akorduar për 6 muaj. Zyrtarizimin e ka bërë vetë klubi turk: “Klubi ynë ka nënshkruar kontratë të vlefshme deri në fund të sezonit me lojtaren e lindur në vitin 1996. Lojtarja jonë, e cila është përzgjedhur shumë herë si futbollistja më e mirë e vitit në vendin e saj, Shqipëri, ka fituar edhe çmimin Këpuca e Artë, që i jepet golashënuesit më të mirë të vitit në Shqipëri, me 88 gola të shënuar në Sezoni 2019-20”.

Megi Doçi, kapitene dhe golashënuesja më e mirë e Kombëtares kuqezi është një fituese, duke fituar 11 tituj kampion dhe 10 Kupa të Shqipërisë. Galatasaray ka mundur të admirojë aftësitë e sulmueses edhe në Champions. Shkodrania, në 39 ndeshje ka fiksuar 10 gola dhe 4 asist. Ceremonia e nënshkrimit u mbajt në Kompleksin Sportiv Ali Sami Yen RAMS Park me pjesëmarrjen e anëtarit të bordit të Klubit Sportiv Gallatasaraji, Emir Aral.

DEKLARATAT PAS FIRMËS MBI KONTRATË

“Së pari, jam shumë e lumtur që jam këtu – tha Megi Doçi gjatë prezantimit -. Është një nder për mua të vij në një komunitet të madh si Galatasaray. Kam luajtur më parë në Champions League. Dua të bëhem kampione me klubin dhe të shkoj në Champions League”.

Anëtari i bordit Emir Aral tha: “Me ekipin tonë të femrave, ne ndajmë vendin e parë me kundërshtarin tonë, ashtu si ekipi ynë i meshkujve. Ka përfunduar pjesa e parë e ligës. Ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit nuk do të ketë play-off. Skuadra që përfundon ligën në krye me pikët më shumë do të jetë kampione. Sigurisht, synimi ynë është të fitojmë kampionatin në futbollin e femrave. Ne kishim vështirësi për të shënuar gola në fazën e parë. Ne nënshkruam kontratën sot. Ajo ka përvojë të mëparshme në Champions League. Ka luajtur për vite në Kombëtaren Shqiptare dhe është golashënuesja më e mirë. Ne planifikojmë të jemi më efektivë me të te golit. I urojmë fat. Shpresoj se do të na bëjë të lumtur me golat e saj”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *