• |
ide | kryesore

Rusët mund të votojnë në Tiranë e Shkup, në Kosovë ka gjasa për votim online

Arkiva, Lajme, Të fundit
Rusët mund të votojnë në Tiranë e Shkup, në Kosovë ka gjasa për votim online



Ambasada ruse në Shqipëri ka konfirmuar se në selinë e saj në Tiranë do të hapet një qendër votimi për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Rusi, të cilat janë caktuar për 17 mars.

Siç thuhet në përgjigjen dërguar Radios Evropa e Lirë, qytetarët rusë me të drejtë vote do të mund të votojnë ditën e zgjedhjeve. Në përgjigje, Ambasada ruse tha se do të njoftojë më vonë se në çfarë orari do të hapet qendra e votimit brenda ndërtesës.

REL-i po ashtu mori konfirmim nga Ambasada ruse në Shkup se qytetarët rusë në Maqedoninë e Veriut do të mund të votojnë në këtë ambasadë, duke mos dhënë më shumë detaje.

Megjithatë, REL-i nuk arriti të merrte informacione mbi mundësinë e votimit të qytetarëve rusë në Mal të Zi. Sipas të dhënave që REL-i ka siguruar nga Policia në Mal të Zi, që janë të korrikut të vitit 2023, në këtë shtet afër 25.000 rusë kanë leje qëndrimi.

Nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, tri janë në listën ruse “të vendeve armike”, në të cilën aktualisht gjenden 49 shtete. Mes tyre janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Lista e “shteteve armike” është krijuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë në prill të vitit 2021, rreth dy muaj pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, të cilit Perëndimi iu përgjigj me sanksione kundër Moskës.

Rusia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, në këtë shtet ajo ka një Zyre Ndërlidhëse.

Deri më tani nuk ka asnjë konfirmim apo mohim nga Moska se votimi për zgjedhjet presidenciale ruse do të mundësohet në ambasadat e ndonjërës prej “shteteve armike”, ku përfshihen edhe 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Rreth votimit në Kosovë, Serbi dhe Bosnje

Në një bisedë telefonike me Radion Evropa e Lirë, nga Zyra ruse në Kosovë thanë se qytetarët rusë që punojnë në Kosovë do të mund të votojnë online. Nga kjo Zyre thanë po ashtu se bëhet fjalë për një numër “shumë të vogël” votuesish, por nuk u specifikuan detajet e tjera për mundësinë që ata të votojnë përmes internetit.

REL-i ka mësuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnje e Hercegovinës se përfaqësuesit kompetentë të Rusisë i janë drejtuar këtij shteti me kërkesën për mbajtjen e zgjedhjeve, përkatësisht të mundësisë së votimit në Ambasadën ruse në Bosnje.

Megjithatë, në kërkesën ruse, sipas po të njëjtit burim, Këshilli i Ministrave, i cili merr vendimin përfundimtar, ende nuk ka miratuar kërkesën ruse për shkak të disa “mangësive ligjore” në kërkesë. Por, burimi i REL-it nuk tregoi se për çfarë mangësish bëhet fjalë.

Ambasada ruse në Sarajevë nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it lidhur me mundësinë që qytetarët rusë të votojnë në Bosnje e Hercegovinë.

Ndërkaq, sa i përket Serbisë aktualisht nuk ka informacione nëse qytetarët rusë do të mund të votojnë nga ky shtet. Kërkesës së REL-it për koment lidhur me këtë çështje nuk iu përgjigj Ambasada ruse në Beograd, por as institucionet kompetente të Serbisë.

Pas nisjes së luftës në Ukrainë, një numër i madh i qytetarëve rusë kanë shkuar në Serbi. Të dhënat e fundit për rusët që kanë qëndruar në Serbi janë publikuar tetë muaj më parë. Më pas, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë i tha REL-it se pothuajse 30.000 rusë janë duke banuar në Serbi, të cilët kanë qëndrim të përkohshëm.

Cila është procedura e zgjedhjeve në Rusi?

Sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Rusi, lista përfundimtare e zgjedhësve do të plotësohet 45 para votimit, që i bie më 29 dhe 30 dhjetor. Mundësia e korrigjimit të listës në raste të veçanta është e mundshme, por këto përmirësime mund të bëhen o më vonë se pesë ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.

Sipas procedurës së mëtejshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbaron procedurën e marrjes së nënshkrimeve në mbështetje të kandidaturave për president. Lista e kandidatëve pritet të shpallet në ditët e para të shkurtit.

Mbajtja e zgjedhjeve presidenciale ruse u shpall më 7 dhjetor të vitit 2023. Një ditë më vonë u njoftua se presidenti aktual rus, Vladimir Putin, do të garojë si kandidat i pavarur.

Deri më tani, Putin ka fituar katër herë postin e presidentit: më 2000, 2004, 2021 dhe 2018. Kësaj radhe, zgjedhjet po zhvillohen në një atmosferë që përshkruhet me presion gjithnjë e më të theksuar ndaj disidentëve politikë dhe kundërshtarëve të luftës kundër Ukrainës, por edhe mes izolimit perëndimor të Rusisë. (REL)



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *