• |
ide | kryesore

Zbërthehet Duka: biletat e Europianit, e ardhmja e Sylvinho dhe skema e re kampionatit

F1, Sport
Duka



Shqipëria ka përmbyllur një 2023 plot kënaqësi dhe po bëhet gati për një 2024 që mund të dhurojë të tjera, nëse gjërat përballen me mënyrën e duhur. Ka një kampionat europian për të luajtur dhe në këtë konteskt janë të mëdha pritshmëritë, pavarësisht shortit të pamëshirshëm. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka është ndalur mbi të gjithë në shqetësimin e parë të tifozëve, që nuk janë Spanja, Italia e Kroacia.

BILETAT E EUROPIANIT

Biletat janë një kalvar, për pjesën më të madhe të tifozëve i pasukseshëm. E vështirë, në fakt, të gjendet një biletë për një nga ndeshjet në grupe të kuqezinjve. Por a do të ketë një shans të ri? “Stadiumet në të cilat ne do të luajmë janë stadiume shumë të mëdha – tha Duka -. I pari me kapacitet 67 mijë dhe dy të tjerët me kapacitete më të mëdha dhe besoj se do të plotësohen kërkesat e të gjithëve për të qenë të pranishëm në stadium. Procedurat e shpërndarjes së biletave kanë filluar që në dhjetor. Nuk e di nëse janë shitur të gjitha kapacitetet, pasi menaxhimin e tyre e bën UEFA”.

Lexo më tejNis misioni Gruda: ja e vërteta e udhëtimit të teknikut Sylvinho në Gjermani

Duka pastaj sqaroi edhe aludimet e ndryshme që bëhen me biletat: “Realisht edhe ne kemi marrë një pjesë të biletave, të cilat ua kemi shpërndarë grupimeve të tifozëve, si Tifozat Kuqezi dhe sponsorave dhe anëtarëve të Federatës së Futbollit. Ky procesi i joni ka përfunduar që me 12 dhjetor. Nuk kam informacion nëse është shitur 100% e kapaciteteve apo do të ketë dhe një rishpërndarje të re”.

RINOVIMI I SYLVINHO

Pas Europianit do të jetë edhe koha të diskutohet kontrata e re e teknikut Sylvinho. Braziliani dhe FSHF ende nuk janë prononcuar për një rinovim të raportit, por mënyra me të cilën Sylvinho po i bën punët me në fokus të ardhmen, të bën të besosh se dëshira është: “Unë uroj që Sylvinho, i gjithë ekipi dhe të gjithë ne të bëjmë mirë në Europian. Pastaj padyshim, ose më përpara, duhet të diskutojmë për vazhdimin e bashkëpunimit të FSHF-së me Sylvinho dhe stafin e tij. Si gjithë opinioni edhe ne jemi pozitiv për vazhdimin e bashkëpunimit dhe vetë stafi dhe trajneri po ashtu, por më besoni që realisht gjatë gjithë muajit janar nuk jemi takuar, sepse lëvizjet kanë qenë vërtetë të mëdha, qoftë tonat, të stafit kryesisht për organizimin dhe problemet e përgatitjeve në Europian”, shpjegoi Duka.

FORMULA E RE E SUPERIORES

E në kohën kur për Kombëtaren bien të gjithë dakord, silurimet janë të gjitha mbi kampionatin e Superiores dhe formulës së tij të re me Final-Four. Kritikat kanë vërshuar mbi zhvleftësimin e 36 javëve dhe të cdo avantazhi pikësh të krijuar në këtë periudhë, për ta vendosur me dy ndeshje, ku i katërti nga i pari kanë pothuaj shanse të barabarta për titullin. Duka në këtë pikë mbron idenë e tij: “Nëse nuk do të mendoja që do të jetë i suksesshëm nuk do ta kisha mbështetur. Por nëse rezulton ashtu siç mendoj unë apo jo, duhet të presim deri sa të përfundojë. Ka disa që çfarëdo që të bësh do ta komentojnë negativisht, edhe fakti që jemi në Europian nga disa komentohet negativisht, këtyre ne nuk kemi çfarë t’i bëjmë” përfundoi Duka.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *