• |
ide | kryesore

Zonat rurale po mbeten pa mjekë e infermierë, numri i tyre u ul me 23%

Lajme, Të fundit



Numri i mjekëve dhe infermierëve të shërbimit parësor që përfshihen qendrat shëndetësore, ambulancat dhe poliklinikat vijon të ketë rënie. Pakësimi i stafeve mjekësore është më i lartë në zonat rurale.

Nga të dhënat e mbulimit shëndetësor për vitet 2019-2022 të vendimit për profilin e zgjeruar kombëtar të emigracionit për vitet 2019-2022 rezulton se në shërbimin parësor rënia më e lartë është te mjekët e familjes.

Pranë shërbimit parësor të zonave urbane për vitin 2022 ishin të punësuar 814 mjekë. Numri i tyre ra 3% krahasuar me një vit më parë. Numri i infermierëve ishte 3,693 në vitin 2022. Në raport me 2021 numri i tyre u rrit 31%.

Ndërsa në shërbimin parësor të zonave rurale numri i mjekëve për 2022 ishte 637. Krahasuar me vitin paraardhës numri i tyre ra 4%. Ndërsa numri i infermierëve për 2022 u pakësua 23%.

Sipas strategjisë migrimi i brendshëm është faktori kryesor që ka ndikuar në konfigurimin e stafeve mjekësore dhe qasjen në shërbime.

“Migrimi i brendshëm i popullsisë kryesisht prej zonave rurale drejt zonave urbane ka ndikuar pashmangshmërisht edhe në ndryshimin e raporteve të mjekëve dhe infermierëve me popullsinë e këtyre zonave. Rënia më e theksuar është në grupimin e mjekëve të zonave rurale, edhe për shkak të prirjes së njëjtë që shfaq edhe popullata e mjekëve për të lëvizur drejt zonave urbane”, citohet në vendim.

Mjekët e familjes pohojnë se rënia e stafeve mjekësore po krijon vështirësi në marrjen e shërbimeve, veçanërisht nga pensionistët, pasi të moshuarit dhe te sëmurët kronike nuk mund të marrin dot recetat e rimbursueshme, që fillimisht firmosen nga mjeku i familjes.

“Mjekësia familjare është kapilare dhe nënkupton shërbimin sa më afër pacientit. Duke munguar mjekët e familjes pacientët nuk marrin shërbimin e duhur e në kohë. Bëhet fjalë për të sëmurë kronike që duan kujdes të vazhdueshëm . Bie cilësia e ofrimit të shërbimit, të sëmurët nuk arrijnë të pajisen në kohë me ilaçet e rimburisimit ose rekomandimet e duhura.

Aq me tepër këto mungesa të mjekëve të familjes ndjehen në situata virozash si kjo që po kalojmë. Mbingarkesa e mjekëve të familjes me pacientë ose në disa raste dhe mungesa e mjekut në atë zonë shkakton probleme te të sëmurët që detyrimisht do t’i drejtohen urgjencave të spitaleve bashkiake ose QSUT-së”, pohon Elizabeta Musta mjeke e familjes në Qendrën Shëndetësore të Kamzës.

Për vitin 2022 sipas të dhënave të INSTAT pranë qendrave shëndetësore, ambulancave dhe poliklinikave janë kryer rreth 8,4 milionë vizita nga mjekët. Numri i vizitave mjekësore është rritur 3,5% në raport me vitin paraardhës.

Në qendrat shëndetësore për vitin 2022 sipas të dhënave të INSTAT numri më i lartë i vizitave ka qenë për pacientët e moshës mbi 14 vjeç. Numri i vizitave për këtë kategori pacientësh arrinin në 2,8 milionë vizita. Ndërsa numri i vizitave mjekësore për pacientët mbi 60 vjeç arrinte në 1,7 milionë vizita.

Edhe në ambulancë numri më i lartë i vizitave të kryera nga mjekët për 2022 ishte për pacientët e moshës mbi 14 vjeç me përkatësisht 1,4 milionë vizita. Numri i vizitave për pacientët mbi 60 vjeç arriti në 692 mijë vizita./Monitor



1 Comment

  1. UN NUK E DI CA QUNI JU ZONA RURALE APO KU FILLOJN ATO POR NE QENDREN SHENDETSORE QE SHKOJ UN DIHET ME HY SKIC SE AQ SHUM SHUM PERSONEL KA QE VIJN SI PORDHA PER BREK SE SDIN CA TE BOJN.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *