• |
ide | kryesore

Censi 2023/ Pikëpyetje mbi procesin dhe rezultatet

Arkiva, Lajme, Të fundit
Censi



Një hulumtim i media Ditarit nxjerr se hezitimi i INSTAT për të nxjerrë të dhënat në kohë të CENS 2023 ka nxitur dyshime për manipulime me të dhënat e popullsisë. Investimi prej 16.9 milionë euro, pjesërisht me financim donatorësh, nuk garantoi proces të besueshëm teksa tabletët nuk kanë rezultuar tërësisht eficentë. Por çfarë nuk shkoi siç duhet ?!

Censet janë ndërmarrje të rëndësishme statistikore periodike që mbledhin të dhëna demografike, sociale dhe ekonomike për popullsitë. Nisur nga rëndësia e këtij procesi, si për institucionet shtetërore dhe për sipërmarrjet private, ai në Shqipëri është një detyrim ndërkombëtar dhe kryhet me mbështetjen e institucioneve dhe ekspertëve ndërkombëtarë si BE-ja dhe OKB-ja. Censet bëhen çdo 10 vite dhe që nga rënia e komunizmit Shqipëria ka zhvilluar tre cense, në vitet 2001, 2011 dhe i fundit në 2023.

I parashikuar fillimisht në vitin 2020, regjistrimi i popullsisë është shtyrë tre herë duke listuar fillimisht shkaqe si tërmeti i nëntorit 2019 dhe pandeminë. Viti 2021 u cilësua si vit i papërshtatshëm për të kryer Censin, pasi sipas INSTAT direktivat ndërkombëtare këshillojnë që mbledhja e të dhënave të mos bëhet në një vit zgjedhor.

Data e radhës u caktua tetori i vitit 2022, por sërish u shty, pasi nuk u arrit tenderimi i tabletëve, pajisje të cilat shërbyen për grumbullimin e të dhënave në terren vitin që lamë pas. Pas vonesave të shumta, Censi përfundimisht u krye në vitin 2023, i cili gjithashtu ishte një vit zgjedhor.

Çfarë nuk shkoi mirë?

Shtyrjet e shumta të Censit duket se kanë sjellë dhe paqartësi te vetë INSTAT për strategjinë e publikimit të të dhënave. Në planin për publikimin e të dhënave nga INSTAT për Censin e 2023 është parashikuar që rezultatet përfundimtare do të publikohen duke filluar nga qershori i vitit 2024.

Por kjo strategji përbën ndryshim madhor nga i Censi i 2011, në të cilin u publikuan të dhëna paraprake (si popullsia e përgjithshme) në dhjetor, rreth 1 muaj pas mbarimit të regjistrimit. Gjithashtu paraqet edhe ndryshim nga vetë plani fillestar i INSTAT, që në Dokumentin e Strategjisë dhe Planifikimit të përditësuar deri në vitin 2021, parashikonte publikim të dhënash paraprake fill pas mbarimit të Censit. INSTAT nuk është shprehur mbi arsyet e ndryshimit të planit të publikimeve.

Mario Kuçi, aktivist me përvojë në mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, i cili ka ndjekur nga afër zhvillimin e censit 2023, shpjegon se vendimi i INSTAT për të mos publikuar të dhënat paraprake ka nxitur teori konspirative.

“Eksponentë politikë dhe të shoqërisë civile kanë aluduar se INSTAT po synon të fryjë popullsinë në Shqipëri me qëllim që të mbrojë imazhin e qeverisë. Kjo situatë u nxit dhe nga ngurtësia e INSTAT në komunikim dhe në trajtimin e problematikave që u shfaqën gjatë dhe pas procesit”, – shton Kuçi.

Sa i përket problematikave të ndeshura gjatë zhvillimit të censit, Evelina Dëma, anketuese në një prej zonave të Tiranës, liston si problemin kryesor mungesën e fushatave informuese dhe ndërgjegjësuese.

Foto nga regjistruesit në terren të INSTAT

Cens 2023: Problemet me regjistrimin e popullsisë ngrenëCens 2023: Problemet me regjistrimin e popullsisë ngrenë

“Një pjesë goxha e madhe e njerëzve nuk e dinin fare që ne po shkonim për censin. Më pas, një pjesë tjetër nga ata që e dinin, ishin shumë skeptikë dhe na ngatërronin edhe me njerez të qeverisë, me patronazhistët”, – thotë Dëma për Ditar.al.

Këtë e konfirmon dhe kontrollori për Censin e Popullsisë dhe Banesave. “Problematikat kryesore kanë qenë refuzimet nga qytetarët për të kryer intervistën për shkak të mosinformimit për procesin e censit” – shprehet Dejan Culafic.

“Shtyrjet e shumta të Censit kanë ndikuar gjithashtu tek fushata ndërgjegjësuese, pasi praktikisht dukej sikur fushatat e ndërgjesimit sa niseshin ndërpriteshin, duke krijuar konfuzion”, – shton Mario Kuçi per Ditar.al, i cili thekson se në debatet mediatike mbi censin shpesh kishte mungesë përfaqësuesish nga INSTAT dhe se fokusi i këtyre debateve ishte mbi fenë dhe etininë, duke lënë jashtë diskutimit aspektet e tjera teknike të procesit.

Një tjetër problem që anketuesja Dëma liston e që shkaktoi dhe tension ditët e para të punës, ishte sistemi i hartëzimit.

“Problematikat kryesore lidheshin me gjetjen e hartës, pasi ishte e vështirë që fizikisht ta gjenim se cilës i përkiste pjesa në hartë në vendet ku ne shkonim”, – shprehet Dëma, e cila tregon më tej se konfuzioni ka qenë jo vetëm mes anketuesve, por edhe kontrollorëve.

Nga tableti në letër: Investimet miliona euroshe nuk parandaluan ngërçin e sistemit

Kostoja totale e parashikuar për Censin e Popullsisë dhe Banesave ka qenë 16.9 milion euro, nga ku 55.6% e vlerës është mbuluar nga buxheti i shtetit, 28.4% nga Bashkimi Evropian, 9.4% nga Agjencia Suedeze për Zhvillim (SIDA), 4.3% nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe 2.6% nga donatorë të tjerë.

INSTAT po ashtu theksoi në Dokumentin e Strategjisë dhe Planifikimit se do të punësoheshin 6000 anketues në rang kombëtar, 50% më pak se në vitin 2011 (12,000 anketues), si politikë për “të lejuar një proces selektiv të rekrutimit dhe që do të reduktojë kostot e tabletëve”.

Megjithatë, Evelina Dëma tregon se pas shtyrjeve të njëpasnjëshme të thirrjes për anketues terreni, procesi i rekrutimit ishte jo serioz, duke çuar në ulje të cilësisë së mbledhjes së të dhënave.

“Gjatë trajnimit kuptova që kishte edhe njerëz që vinin ditët e fundit të trajnimit dhe thjesht duke marrë një shpjegim sipërfaqësor mund të dilnin në terren të bënin anketimin”, – shprehet ajo.

“Anketuesit që morën pjesë në trajnimet kanë qenë goxha të përgatitur, por ata që u punësuan pas trajnimit kanë hasur veshtirësi”, – shton kontrollori Dejan Culafic.

Nga ana tjetër, pavarësisht shtyrjeve të njëpasnjëshme dhe investimit në teknologji për mbledhjen e të dhënave, tabletët nuk kanë rezultuar tërësisht eficentë.

“Anketuesja e INSTAT erdhi dhe kishte një copë letre dhe një laps me të gjitha të dhënat e fqinjëve të mi të shënuara. Ajo tha që tableti nuk po punon dhe që duhet të të bëj pyetjet bazë në letër”, – rrëfen Alice Taylor, gazetarja britanike që prej disa vitesh jeton në Shqipëri, e cila ngre pikëpyetje mbi ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave.

Alice shpjegon se anketuesja, e cila nuk fliste anglisht, në pyetjen mbi besimin fetar, refuzoi që ta shënonte atë si ateiste, një nga përgjigjet e specifikuara në pyetësorin e INSTAT. Ndërkohë për partnerin e saj, anketuesja e shënoi “të krishterë”, sipas përgjigjes së dhënë nga ai. Taylor ndeshi të njëjtin problem disa ditë më pas, pasi përfaqësues të INSTAT erdhën së dyti herë për të mbledhur të dhënat, kësaj here me tablet.

“Por pastaj, kur erdhën prape me tablet, anketuesi e vuri “tjetër” te pyetja e fesë dhe unë i thashë “jo, ateiste!’”, – thotë Alice Taylor, por anketuesi bëri një shënim mbi përgjigjen e saj, por nuk e ndryshoi zgjedhjen në tablet. Sipas shpjegimit të anketuesit, pasi kishte zgjedhur përgjigjen, nuk mund ta ndryshonte atë.

Megjithatë, INSTAT e parashikon korrigjimin e përgjigjeve dhe po ashtu, është detyrim që ata t‘u tregojnë qytetarëve përgjigjet mbi pyetjet e fesë, etnisë dhe gjuhës në tablet në mënyrë që qytetarët të konfirmojnë përgjigjet individualisht. Në rast se i anketuari nuk i konfirmon përgjigjet, vetë udhëzimi në pyetësor nga INSTAT specifikon që duhet ribërë para se ta mbarojnë pyetësorin dhe më pas ta ngarkojnë në sistem atë.

Minoriteti rom dhe egjiptian ndeshet me probleme diskriminimi

Aktivistja për të drejtat e minoritetit rom dhe egjiptian, Jeta Pera ndau në Facebook përvojën e saj me anketuesin nga INSTAT, ku pyetësori iu reduktua në vetëm pesë pyetje: Të dhënat personale të tre anëtarëve, sipërfaqen e banesës dhe nëse kishte jetuar jashtë. Përgjigjet, si në rastin e Taylor, u mbajtën shënim në një copë letër.

Pas marrjes së këtyre të dhënave, anketuesja nisi të largohej, por Pera i kërkoi t’i bëheshin pyetjet e tjera, duke pasur në fokus përkatësinë etnike, përgjigje që u shënua po në letër.

“Për mua në këtë proces ka qenë e rëndësishme që të gjithe anëtarët e minoriteteve që i përkasin atij rom dhe egjiptian të vetëdeklarohen”, – thekson Pera per Ditar.al duke argumentuar se një proces i rregullt do të korrigjonte rezultatet e censit të vitit 2011, që sipas saj, kanë qenë të ulëta krahas numrave reale të minoriteteve.

Jeta u ankua mbi procesin e zhvillimit të pyetësorit dhe më pas anketuesit u paraqitën sërish për të zhvilluar pyetësorin, kësaj here me tablet. Pas bërjes publike të rastit, ajo shton se shumë anëtarë të minoritetit rom dhe egjiptian pohuan se kishin ndeshur të njëjtin problem.

Ola Tares nga Qendra T’reja, organizatë që ka në fokus minoritetin rom dhe egjiptian, tregon që kanë pasur bashkëpunim të ngushtë me INSTAT, pikërisht që të parandalohen raste të kësaj natyre.

Pjesë e këtij procesi ka qenë dhe angazhimi i anketuesve dhe kontrollorëve nga dy minoritetet dhe kanë arritur të kenë 30 përfaqësues (nga rreth 6000 në total) në qytete si Tirana, Elbasani, Korça dhe Berati.

Tare tregon se kanë pasur si synim që të kishte anktues për zonat ku ka më shumë popullsi rome dhe egjiptiane, por “një pjesë e anketuesve dhe kontrollorëve nuk u vendosën në zonat ku ne kemi pasur më shumë familje të komunitetit rom dhe egjiptian”, – shpjegon ajo, duke e komentuar si një politikë integrimi dhe gjithëpërfshirjeje nga ana e INSTAT.

Kjo ka shkaktuar disa probleme në mbledhjen e të dhënave në zona si Shkoza, Bregu i Lumit apo Selita, ku familjet rome dhe egjiptiane kanë refuzuar të japin informacion. “Banorët nuk kanë dashur të japin informacioni sepse ka qenë i vështirë komunikimi, përdorimi i një gjuhe zyrtare duke marrë parasysh që anketuesit nuk e kanë njohur formimin e tyre, mungesën e arsimit”, – rrëfen Tare.

Nga ana tjetër, anketues të komunitetit rom ose egjiptian janë hasur me diskriminim.

“Në Tiranë na ka ndodhur që njerëzit të shikonin anketues që kishin ngjyrë më të errët të fytyrës dhe nuk ua hapnin derën”, – shton Ola Tare, qasje e cila ndryshonte kur anketuesi shkonte bashkë me kontrollorin që ishte pjesë e mazhorancës.

Tare shpjegon se të anketuarit kanë refuzuar të jepnin informacione mbi elektroshtëpiaket, pasi frikësoheshin se do t’u ndërpritej ndihma ekonomike, ndërsa pyetjet lidhur me banesën qytetarët e lidhën me procesin e legalizimit, çka u zgjoi frikën se mund t’u shembej banesa.

Mario Kuçi argumenton se besueshmëria e ulët dhe mosinformimi kanë prodhuar rezultatet e mësipërme.

“Në rast se qytetarët kanë frikë të deklarojnë të dhënat socio-ekonomike dhe kulturore te anketuesit, rriten gjasat për përgjigje fiktive apo thjesht të pasakta tek këto pyetje”, – përfundon ai .

Ekspertët: Të dhënat e sakta janë vitale në hartimin e politikave sociale

Studiuesi dhe eksperti i ekonomisë Koço Broka tregon se prej viteve 1990 Shqipëria është përballur me valë të mëdha emigrimi, që sipas tij kanë marrë trajtën e një epidemie.

“Pa një matje të saktë e të besueshme të popullsisë zor se mund të bëhen politikat adekuate e në kohë për zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit”, – shprehet ai.

Ai shton se krahas emigracionit, shtesa natyrore e popullsisë është reduktuar drejt zeros dhe pritet të jetë negative, ndërkohë ka rritje me 3% të numrit të personave që dalin në pension dhe rënie të numrit të popullsisë në moshë pune.

“Këto po ndikojnë drejtpërdrejt në mungesën e fuqisë punëtore e cila pritet të intensifikohet sidomos në periudha afatmesme dhe afatgjata”, – përmbyll eksperti Koço Broka. /ditar.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *