• |
ide | kryesore

“Shkrova edhe unë historinë”. Shehi në ekstazë pas triumfit kundër ish-skuadrës së tij, Ahmataj: “U rrëzuam”

Sport
Shehi



“Ndjehem mirë, ndjehet mirë e gjithë skuadra, për shkak të rëndësisë që ka ndeshja. Derbi nuk luhet vetëm për vete, por edhe për tifozët, ndaj më vjen mirë që dolëm fitimtarë. Më vjen mirë që fituam derbin, që shkrova edhe unë historinë”. Orges Shehi, trajneri i Partizanit, nuk e fsheh entuziazmin, pas fitores kundër ish-skuadrës së tij. Të kuqtë morën suksesin 2-1 në derbi, duke përmbysur Tiranën: “Kjo ia shton vlerat më shumë se morëm një gol në kundërsulm dhe pastaj bëhet më e vështirë. Skuadra tregon që ka karakter e shpirt gare dhe e ktheu që në pjesë të parë. Në të dytën, është normale t’i lësh pak territor kundërshtarëve, por ishim agresivë dhe kishim raste të tjera”.

Shehi nuk është ende i kënaqur me performancën e skuadrës së tij. Që kur tekniku është ulur në pankinë janë marrë 8 nga 18 pikë të mundshme: “Në ditët e fundit është bashkuar grupi komplet, përveç Kekos dhe Bytyçit. Kur plotësohet grupi, të jep mundësi të ndryshosh, edhe pse në këto ndeshje nuk jemi me hap kampioni, por hap normal. Kërkonim të fusnim sa më shumë eksperiencë se në fushë, në derbi, është e rëndësishme. Trysnia është e madhe, kërkuam të futnim lojtarë që kanë mbi supe eksperiencë për të ndihmuar pjesën tjetër. Me plotësimin e skuadrës, mund të bëjmë ndryshime. Kemi katër sulmues e mund të ndryshojmë nga ndeshja në ndeshje. Nuk është e lehtë për të ndryshuar çdo javë por do të mundohemi”, e mbylli Shehi.

AHMATAJ: PSIKOLOGJIKISHT U RRËZUAM

“Më vjen keq për ambientin, për tifozët, për humbjet që pësuar. Një ndeshje shumë e mirë, u prish në një moment. Psikologjikisht u rrëzuam. Mungesë eksperiencë në disa pika kyce të lojës”. Julian Ahmataj nuk arrin ta pranojë që ka dalë i mundur edhe në këtë derbi, që e nisi në avantazh. Tekniku i Tiranës shpjegon diferencën që e ndan me Partizanin: “Eksperienca e lojtarëve në një ndeshje derbi del në pah. Është një moment i lojës që prishet. Deri në momentin e gabimit, Partizani nuk kishte gjuajtur asnjëherë në portë. Duhet eksperiencë në një ndeshje kaq të rëndësishme. Na dhemb shumë kjo humbje, por ky është futbolli”.

Lexo më tej: Video/ Shehi hakmerret me Tiranën, Skuka e Cara përmbysin derbin: Ahmataj tani rrezikon ‘Final Four’

Referenca është për gabimin e portierit Abdullahu, që Ahmataj nuk ngurron ta evidentojë: “Stabilizimi i portës duhet të vijë me një portier me eksperiencë. Humbëm Bekajn, Selmani u dëmtua në ndeshjet e para. Kozi dhe Abdullahu janë të rinj dhe herë pas here shfaqin oshilancione. Nuk kemi dëshirë që të rrezikojmë sidomos në ndeshje derbi”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *