• |
ide | kryesore

Fusha e keq, dëmtimi i Skukës e zëvendësimi i Carës: Shehi flet për gjithçka, Devolli i bindur te mbijetesa

Sport
Shehi



“Ishte një ndeshje që e kishim vlerësuar. Sigurisht që ndeshja kishte momente të veçanta. Dhe fusha na penalizoi ashtu siç donim të luanim. Në fund morëm dhe masa duke futur lojtarë të gjatë në zonë. E bëmë mbrojtjen me 3″. Orges Shehi i gëzohet fitores së dytë radhazi, që këtë herë erdhi në Kupë 1-0 ndaj Kukësit. Tekniku i Partizanit e sheh veten pranë gjysëmfinales, duke marrë përgjigje të rëndësishme nga lojtarët: “Jemi të kënaqur, sepse Buxhelaj luan për herë të parë 90 minuta. Preka vjen nga dëmtimi dhe luan për herë të parë 90 minuta. Komplimente meriton Mehmeti, i cili u fut shumë mirë në lojë. Kemi marrë sinjale pozitive nga të gjithë ata që kanë luajtur më pak nga momenti kur kam ardhur unë”.

Shehi ka shpjeguar situatën me Carën, njeriu që shërbeu topin e golit, por sërisht i zëvendësuar: “Cara ka luajtur më shumë se 60 minuta në derbi. Duhet të kuptojmë që është lojtar shumë i rëndësishëm. Po na ndihmon në fazën mbrojtëse, ka konsum. Sot nuk e ndërruam për gjendjen fizike, por që ta ruajmë. Fusha ishte e rënduar dhe kishim frikë mos pësonte një dëmtim”.

Lexo më tejVideo/ Partizani sheh gjysëmfinalen: ish-kapiteni Taipi dënon Kukësin, Shehi humb Skukën

Një dëmtim që në fakt nuk e shmangu dot Skuka. Dalja me barrelë e sulmuesit mban në ankth teknikun Shehi: “Informacioni i parë është që mund të ketë kontraktim, shpresoj të jetë vetëm kaq. Shpresojmë dhe urojmë që mos të ketë tërheqje, sepse do ta mbajë jashtë fushave për një periudhë të gjatë”.

DEVOLLI: “I KEMI ARMËT PËR MBIJETESË”

“Ndeshjen e nisëm mirë. pastaj 10 minuta patëm probleme me treshen e mesfushës, sepse nuk ndanim kundërshtarët. Mora disa sinjale të mira sot dhe duhet të fillojmë punën sepse kemi një finale të dielën me një kundërshtar direkt”. Bledar Devolli debutoi me humbje në pankinën e Kukësit, edhe pse përballë ishte Partizani. Tekniku gjirokastrit sidoqoftë, ka parë gjëra pozitive në ekip, që e bëjnë optimist në këndvështrimin e mbijetesës: “Ngaqë bëjmë këtë profesion, i shohim të gjitha ndeshjet. E njoh ekipin. Mendoj se i kemi armët, i kemi cilësitë për të kaluar këtë moment të vështirë. Nga porta deri në sulm, kemi lojtarë me eksperiencë, kemi lojtarë të rinj. Kaq na duhen”.

Në fund një mesazh edhe për Rashitin: “Kemi nevojë, sidomos në këtë situatë për të gjithë. E presim Rashitin, kishte probleme fizike. E presim sa më shpejtë, sepse në këtë situatë kemi nevojë për të gjithë lojtarët që janë nën kontratë me Kukësin”, u shpreh Devolli.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *