• |
ide | kryesore

Jazxhi dënon Teutën: Tirana shpëton fytyrën me ruletën e penalltive e shkon në gjysmëfinale të Kupës

F1, Sport
Jazxhi



Pas Egnatias e Kukësit, edhe Tirana prezantohet në gjysëmfinale të Kupës së Shqipërisë. Bardheblutë rrezikuan shumë dhe iu desën penalltitë për të kaluar Teutën. Avantazhit të Peposhit iu përgjigj Latifi në minutën e 97’. Në shtesë bardheblutë goditën edhe shtyllën, para se nga pika e bardhë të gabonte penalltinë e gjashtë Jazxhi. Festojnë bardheblutë, zhgënjimi ishte i gjithi për durrsakët.

Të besuarit e Edi Martinit e nisën mirë ndeshjen, në ekuilibër të plotë për 0-0 e vajtjes. Fagu e pa ekipin e tij në vështirësi, sidomos pas penalltisë së shndërruar në gol nga Peposhi në minutën e 28’, për prekje me dorë të Përgjonit. U shty përpara me forcë Tirana në pjesën e dytë, por rrezikoi kapitullimin në minutën e 56’ kur Kozi bëri pritjen e dyfishtë ndaj Jazxhi e Dacit, me traversën që i erdhi në ndihmë. Hoxhallari kishte mundësinë në minutën e 61’, por Vata ishte shpëtimtar në goditjen nga afër të mbrojtësit.

Episodi që mund të ndryshonte rrjedhën e lojës erdhi në të 73’ kur goditja e Latifit u ndal nga Gjini në dukje me dorë. Ferataj akordoi penallti, por pas rishikimit me VAR, e anuloi vendimin, duke shkaktuar shumë polemika. Në minutën e 97’ pastaj, në sulmin e fundit të bardhebluve, Latifi barazoi rezultatin, duke e çuar ndeshjen me shtesë e më pas penallti. Llotaria e tyre i dhuroi kualifikimin bardhebluve në goditjet e gjashta. Të gjithë të saktë me përjshtim të Jonuzit e Kotobellit, që humbën penalltitë e treta. Gabimi vendimtar ishte i Jazxhi, që i kushtoi eliminimin Teutës. Tirana shkon në gjysmëfinalen e Kupës, ndërsa Teuta mund të merret tani vetëm me mbijetesën në kampionat.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *