• |
ide | kryesore

E vërteta e UFO-ve/ Zbulohet raporti që Pentagoni i ka dërguar Kongresit amerikan

Arkiva, Lajme, Të fundit
UFO



“Një shtim i raportimeve për UFO në vitet 1950-1960 u shkaktua nga testet e avionëve të avancuar të spiunazhit amerikan dhe teknologjisë hapësinore” – përfundon një raport i Pentagonit. Zyrtarët amerikanë thonë se nuk ka “asnjë provë” se qeveria amerikane ka hasur në jetë alienësh. Shumica e raportimeve për UFO ishin objekte të zakonshme nga Toka. Këto janë qëndrimet e mbajtura në një raport të dorëzuar në Kongresin amerikan këtë të premte. Por zyrtarët e Pentagonit pranojnë se hulumtimi i tyre nuk pritet të shuajë teoritë popullore për vizitorët jashtëtokësorë.

“Përhapja e programeve televizive, librave, filmave dhe sasia e madhe e përmbajtjes së internetit dhe mediave sociale e përqendruar në tema të lidhura me UFO-t ka shumë të ngjarë të ketë ndikuar në idenë publike mbi këtë temë dhe ka përforcuar këtë besim brenda disa pjesëve të popullsisë” – thuhet në raport.

Raporti është pjesë e një përpjekjeje që po bën qeveria amerikane për të zbardhur të vërtetën e UFO-ve ose siç i quajnë zyrtarët, “fenomene anormale të paidentifikuara”. Përpjekja ka përfshirë takime publike me zyrtarë të NASA-s dhe seanca dëgjimore në Kongres. I lëshuar nga Zyra e Zgjidhjes së Anomalive në Pentagon (AARO), raporti vë në dukje se opinioni publik është ndikuar nga kultura pop.

“Një arrativë veçanërisht e zakonshme”, thanë studiuesit, është se qeveria amerikane ka rikuperuar anije kozmike dhe mbetje alienësh dhe ka komplotuar për të mbajtur sekret aktivitetet e saj kërkimore për alienët. Një zëdhënës i Pentagonit tha se zyrtarët i ishin qasur raportit me mendje të hapur, por nuk kishin gjetur prova të vizitorëve jashtëtokësorë.

“Të gjitha përpjekjet hetimore, në të gjitha nivelet e klasifikimit, arritën në përfundimin se shumica e pamjeve ishin objekte dhe fenomene të zakonshme dhe rezultat i keqidentifikimit” – u tha gazetarëve gjeneralmajor Pat Ryder. Sipas një sondazhi të Gallup të vitit 2021, pak më shumë se 40% e amerikanëve mendojnë se anije kozmike aliene kanë vizituar Tokën. Shifra kishte njohur rritje pasi vetëm 2 vjet më parë ishin 33% që besionin një gjë të tillë.

AARO ekzaminoi arkivat dhe dosjet e klasifikuara dhe shqyrtoi të gjitha hetimet zyrtare të qeverisë që datojnë që nga viti 1945. Studiuesit gjurmuan thashethemet rreth anijeve kozmike aliene dhe zbuluan, për shembull, se një memorandum i supozuar i 1961 i rrjedhur rreth UFO-ve ishte joautentik dhe se një mostër “anijeje kozmike aliene” e gjetur nga një organizatë hetuese nuk ishte bërë nga një material i botës tjetër, por ishte bërë kryesisht nga magnezi, zinku dhe bismuti.

Raporti rendit teknologjitë e reja që studiuesit besojnë se çuan në rritje të raportimeve për UFO në vitet 1950 dhe 1960. Ato përfshinin balona në lartësi të mëdha, njëra prej të cilave frymëzoi një valë spekulimesh për UFO-t kur u rrëzua pranë Roswell në New Mexico në 1947 si dhe avionin spiun U-2. Sipas një vlerësimi të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, më shumë se gjysma e raporteve të UFO-ve të hetuara në atë kohë u përcaktuan se ishin fluturime zbulimi të SHBA-së.

Një numër projektesh kërkimore sekrete përfshinin zhvillimin e avionëve që dukeshin në formë rrethore ose në formë pjate – që përputhen me imazhin e anijeve kozmike aliene në imagjinatën popullore – siç është bombarduesi kanadez VZ-9AV Avrocar, i cili ishte projektuar për t’u ngritur dhe ulur vertikalisht.
Gjatë dekadave, qeveria amerikane drejtoi një numër programesh kërkimore mbi UFO-t, megjithatë pjesë të mëdha të kërkimeve për jashtëtokësort u mbajtën sekrete. Megjithëse Lufta e Ftohtë përshpejtoi zhvillimin teknologjik, raporti vuri në dukje se “çështja e UFO-ve në kulturën popullore është më e përhapur tani se kurrë”, një prirje që studiuesit ia atribuojnë mungesës së besimit në qeverinë amerikane dhe popullaritetit të përmbajtjeve të lidhura me alienët në internet.

Raportimet për UFO vazhdojnë me një normë prej 50 deri në 100 në muaj dhe spekulimet rreth fshehjeve të qeverisë kanë vazhduar. Në vitin 2023, ish-oficeri i inteligjencës David Grusch dëshmoi para një komiteti të Kongresit se ai beson se qeveria amerikane mban trupa alienësh dhe anije kozmike. Grusch tha se ai i bazoi deklaratat e tij në dokumente, regjistrime dhe biseda me kolegët. AARO ka premtuar të nxjerrë një raport të mëtejshëm që shqyrton pamjet dhe thashethemet më të fundit në një datë të mëvonshme. ©BBC, LAPSI.al



3 Comments

  1. UFO=UNIDENTIFIED FLY OBJECT = Objekt fluturues i paidentifikuar jo “fenomene anormale të paidentifikuara” o shoku gazetar,

  2. Lajm shum i dobët lapsi, po fare fare …. Keni marrë një paçavure nga bbc dhe e keni bërë akoma më keq.

    UAP – Unidentified Aerial Phenomena
    UFO – Unidentified Flying Object

    Çfarëdo që të thoni, teknologjia aliene (ufo) është tërësisht e vërtetë dhe shumë nga “shpikjet” teknologjike të sotme janë kopjuar nga kjo teknologji jashtëtokësore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *