• |
ide | kryesore

Masakra e Frosinones/ Shqiptari që qëlloi kyç gojën para hetuesve

Arkiva, Lajme, Të fundit
shqiptari



Shqiptari Mikea Zaka, i akuzuar se ka vrarë bashkëkombasin e tij, Kasem Kasmi, 27-vjeç, si dhe për plagosjen e 3 personave të tjerë në Frosinone të Italisë nuk ka pranuar të flasë për grupin hetimor. Pasi fillimisht rrëfeu deri në në orën 3 të mëngjesit të së dielës versionin e tij për atë që ndodhi në lokalin “Shake” 23-vjeçari ka zgjedhur tashmë të shfrytëzojë të drejtën për të mos u përgjigjur.

Hetimi, siç u shpjegua, nga prokurori Antonio Guerriero, është larg nga përfundimi. Motivi i ngjarjes është ende i paqartë. Arma e krimit, një pistoletë e kalibrit 22 me cilën ai qëlloi nuk është gjetur ende. Ai tha se e hodhi nga ura mbi lumin Cosa në Via Verdi, aty ku zjarrfikëset dhe policia e kanë kërkuar prej disa ditësh pa rezultat.

Të hënën ai u mor sërish në pyetje. I mbrojtur nga avokati Marco Maietta, tashmë ai thotë se ndihej i rrezikuar nga një hakmarrje e mundshme nga grupi rival ndaj ishte dorëzuar vetë në polici. Përballë gjyqtares Ida Logoluso dhe prokurorit Samuel Amari, shqiptari ndryshoi strategjinë. Ai ia bëri të qartë gjykatësit se kishte thënë atë që duhej të thoshte natën e parë dhe për këtë arsye ai do të përfitonte nga e drejta për të mos u përgjigjur.

Prokurori tha se grupi i Zakës, i përbërë nga 5 persona, ishin ulur dhe po hanin në një tavolinë në ambientin e jashtëm. Papritur mbërritën personat e tjerë, që pasi parkuan makinën, një Lancia Y e marrë me qira, me motorin e ndezur pranë lokalit, janë nisur drejt grupit të Zakës. Ndoshta po i kërkonin. Ndoshta ata donin të zgjidhnin ndonjë çështje të papërfunduar.

Fakti është që shpërtheu menjëherë një përleshje (nga video shihet se sherri vazhdon edhe pas të shtënave të para) derisa Zaka të ngrihet dhe nis një seri të shtënash kundër rivalëve të tij. Dëgjohen 6 të shtëna me radhë, më pas një e shtatë, ndoshta ajo që vrau Kasem Kasmin, i njohur si “Carletto”. Ky i fundit është goditur 3 herë, plaga në qafë duket se ka qenë fatale, por autopsia do ta sqarojë këtë pikë.

I plagosur ka mbetur edhe vëllai i viktimës, i cili i është nënshtruar një operacioni, si dhe dy të tjerët të plagosur në shpatull dhe në këmbë. Policia ka pyetur të katër miqtë e Zakës, të cilët kanë dhënë të njëjtin version, të konfirmuar edhe nga pamjet e vëzhgimit. Ndaj tyre nuk është marrë asnjë masë. Në të ardhmen, është e mundshme që edhe ata mund të hetohen për ngjarjen. Gjatë marrjes në pyetje, Zaka tha se ishte mbrojtur dhe se ishin të tjerët ata që po e sulmonin dhe që e kishin sulmuar edhe në të kaluarën për shkak të një vajze.

Zaka tha se ai po takohej me një grua që më parë po ishte e lidhur me viktimën. Kjo, sipas të arrestuarit, nuk i ka pëlqyer grupit tjetër. Megjithatë prokuroria është e kujdesshme për të përcaktuar motivin. Versioni i tyre është duke u vlerësuar me kujdes. Kur të jenë më mirë edhe të plagosurit e tjerë do të duhet të pyeten. Ata që po hetojnë çështjen nuk e përjashtojnë që mund të ketë diçka tjetër pas një ngjarjeje kaq të përgjakshme.

Dyshohet një përplasje e lidhur me trafikun e drogës apo tregun e prostitucionit. Vitet e fundit ka pasur përplasje, mes tyre edhe me armë për shkak të konflikteve të këtij lloji. Verën e kaluar Zaka u ndalua nga policia, e cila i gjeti 20 mijë euro brenda banesës. Për këtë arsye ka lindur hipoteza se ai mund të ishte anëtar i një bande. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *