• |
ide | kryesore

Një fitore në nëntë ndeshje e tani vjen derbi: Tirana sfidon Dinamon për një vend në Final 4

F1, Sport
Tirana



Tirana-Dinamo prej kohësh kishte kaluar në plan të dytë, me derbin e vërtetë të kryeqytetit që konsiderohet ajo mes bardhebluve e Partizanit. Rivaliteti i këtyre të fundit dihet, por përplasja mes Tiranës e nëndetëses e humbi kuptimin e një derbi në 12 vitet e fundit, kur Dinamo ra nga kategoria u end gjatë në një vegjetim që u duk i pafund, për të ndërtuar tani ringritjen, me përpjekjet e sforcot e këtij sezoni që nisi keq, por ndryshoi trend me Mehmetin në pankinë.

Në 7 ndeshjet e fundit, tekniku dhe të tijtë i janë dorëzuar vetëm një humbjes, duke mbërritur në ndërqytetase krejt ndryshe nga rivalët e tyre, që me trajnerin e tretë të sezonit në pankinë, kanë marrë vetëm një fitore në nëntë ndeshjet e fundit, edhe atë 2-3 me Kukësin e vendit të fundit. E tani si asnjëherë në këto 12 vjet Tirana e Dinamo e gjejnë veten krah për krah, me 36 pikë, të përqafuara edhe në ambicjen për tu futur në Final Four, në një garë të ashpër me Skënderbeun që ka një pikë më shumë e mban vendin e katërt.

Erbim Fagu e ka të qartë se në këtë ndeshjen nuk ka favoritë, ose në ka është Dinamo, jo vetëm për serinë pozitive nga e cila vjen, por edhe sepse ka një ndeshje për të rikuperuar kundër Teutës, që mund ta diferencojë në pikë e pozicione. Statikisht pastaj Tirana e Dinamo janë aty aty, me nëndetësen që barazon më pak por ka ekuilibër perfekt mes fitoreve e humbjeve, ndërsa bardheblutë kanë fituar po aq sa kanë humbur e barazuar, 9 në secilën kolonë. Edhe golat, ndonëse lojtarët e Fagut shënojnë diçka më shumë, janë +3 me +2, praktikisht e papërfillshme për tu diferencuar.

DERBI NË “AIR ALBANIA”

Derbi i kryeqytetit mes Tiranës e Dinamos do të luhet në Arena Kombëtare. Është përcaktuar tashmë impianti ku dy skuadrat do të zbresin në fushë për javën e 28 të Superiores, që hap edhe fazën e fundit të kampionatit. Tirana i luan zakonisht ndeshjet në Elbasan Arena ose Arena Egnatia të Rrogozhinës, me stadiumin e shtëpisë Selman Stërmasi që e ka fushën të papërshtatshme për një ndeshje futbolli të këtij niveli, por këtë ndeshje, me bardheblutë pritës, klubi ka vendosur ta trajtojë si një derbi të vërtetë, duke i dhënë skenën më të madhe.

Lexo më tej: ‘Mallkimi’ i dëmtimeve te Partizani: edhe kundër Teutës Shehi ka katër titullarë jashtë

Dinamo në anën tjetër i luan ndeshjet brenda në Niko Dovana në Durrës e tani do të kthehet në kryeqytet, edhe pse si vizitor. Dy skuadrat do të zbresin kështu në Arena Kombëtare, të dielën në orën 17, në kërkim të një vendi në Final Four, për momentin vetëm një pikë larg, por me blutë që kanë edhe një ndeshje për të rikuperuar, atë të javës së kaluar me Teutën e shtyrë për shkak të kushteve atmosferike.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *