• |
ide | kryesore

Protesta kundër Putin ditën e fundit të zgjedhjeve në Rusi

Arkiva, Lajme, Të fundit
putin



Zgjedhës rusë u grumbulluan pranë qendrave të votimit, në ditën e fundit të zgjedhjeve presidenciale tre-ditore, me sa duket, duke iu përgjigjur thirrjes së opozitës për të protestuar kundër presidentit Vladimir Putin. Opozita ruse tha se ajo që u cilësua si “Mesdita kundër Putinit” ishte një protestë paqësore, por politike kundër rizgjedhjes së tij.

Vladimir Putin pritet të zgjasë sundimin e tij edhe me gjashtë vjet të tjera, në një proces zgjedhor që vjen pas sulmeve të ashpra të Kremlinit ndaj kundërshtarëve politikë. Bashkëpunëtorë të ish udhëheqësit të opozitës ruse, Alexei Navalni u kishin bërë thirrje atyre që janë të pakënaqur me Putinin dhe luftën në Ukrainë që në mesditë të dilnin në qendrat e votimit, strategji të cilën e njoftoi vetë Navalni, disa ditë para se të vdiste në burg, muajin e kaluar.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, mijëra vetë dolën në qendrat e votimit në mbarë Rusinë të dielën, në atë që opozita ruse tha se ishte një protestë paqësore, por politike kundër rizgjedhjes së Presidentit Vladimir Putin. Nën moton “Mesdita kundër Putinit”, sipas opozitës, rusët dolën në qendrat e votimit të dielën në mesditë për ta hedhur si të pavlefshme fletën e votimit, ose për të votuar për një nga tre kandidatët kundër Putinit.

Përpara vdekjes së tij, ish udhëheqësi i opozitës ruse, Aleksei Navalni pati ofruar mbështetjen për këtë nismë nëpërmjet një mesazhi në mediat sociale. Më pas e veja e tij dhe ekipi vijuan me këtë formë proteste. Nuk ka të dhënë të pavarur se sa nga 114 milionë votuesit e Rusisë morën pjesë në protestat e opozitës, në mes të sigurisë jashtëzakonisht të rreptë që përfshinte dhjetëra mijëra policë dhe zyrtarë të sigurisë.

Gazetarët e agjencisë Reuters panë një rritje të fluksit të votuesve, veçanërisht të rinjve, në mesditë në disa qendra votimi në Moskë, Shën Petersburg dhe Yekaterinburg. Disa thanë se po protestonin, edhe nuk kishin ndonjë shenjë të dukshme për t’i dalluar nga votuesit e zakonshëm.

“Ne nuk presim asgjë të re, megjithatë nuk doja të qëndroja në shtëpi dhe erdha këtu”, thotë Nikita, një banore në Moskë. “Unë do të doja të shikoja ndryshim. Nuk e di nëse kjo do të ndodhë apo jo, por besoj se zëri im mund të bëjë një ndryshim”, thotë një tjetër banore nga Moska.

Denisi, një banor po në kryeqytetitn rus mbërriti në qëndrën e votimit fiks në orën 12 me orën lokale dhe tha se ishte i lumtur që shikonte kaq shumë njerëz, veçanërisht të rinj, që prisnin në radhë. “Më vjen mirë që shoh kaq shumë të rinj, më vjen mirë që njerëzit po grumbullohen duke dashur të marrin pjesë në zgjedhje”, thotë ai.

Protestat më të mëdha të rusëve kundër presidentit Vladimir Putin u zhvilluan nëpër ambasadat e Rusisë në botë. Kur e veja e Navalnyt, Julia, u shfaq në ambasadën ruse në Berlin, ku rusët prisnin të votonin, disa nisën të brohorisnin emrin e saj. Mbështetësit e Navalnyt në mërgim transmetuan pamjet e protestave në YouTube.

Presidenti i Rusisë pritet të zgjasë sundimin e tij edhe me gjashtë vjet të tjera, në një proces zgjedhor që pason një goditje të pashembullt të Kremlinit ndaj kundërshtarëve. Votimi tre ditor për zgjedhjet presidenciale që mbyllet këtë të dielë mbahet në kushtet e një kontrolli të fortë. Nuk lejohet asnjë kritikë publike ndaj Presidentit Putin dhe luftës që ai ka nisur ndaj Ukrainës.

Zgjedhjet janë fiktive dhe nuk përbëjnë sfidë për presidentin 71-vjeçar, pasi kundërshtarët politikë të tij janë në burg, ose në mërgim dhe kundërshtari më i ashpër i tij, Alexei Navalny vdiq në burg. Tre kandidatët e tjerë në fletëvotim janë politikanë të profilit të ulët nga partitë opozitare që ndjekin vijën e Kremlinit.

Zoti Putin, i cili erdhi në pushtet në vitin 1999, pritet të sigurojë mandatin e tij të pestë, dhe nëse e arrin këtë, ai do t’ia kalonte Josef Stalinit dhe do të bëhej udhëheqësi më jetëgjatë i Rusisë që prej 200 vitesh. Sipas autoriteteve vendase, në Rusi është shënuar pjesëmarrje e lartë në zgjedhje. Udhëheqësit perëndimorë i kanë cilësuar zgjedhjet në Rusi si fyerje për demokracinë. /VOA



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *