• |
ide | kryesore

Joe Barone nuk i mbijetoi infarktit: drejtori i Fiorentinës humbi jetën, një ditë para ditëlindjes

F1, Sport
Barone



Joe Barone nuk ia doli dot. Drejtori i përgjithshëm i Fiorentinës, i shtruar në terapi intensive në spitalin San Raffaele në Milano që prej të dielës në mbrëmje, pas infarktit të pësuar në hotel para ndeshjes (të shtyrë) kundër Atalantës, u nda nga jeta sot në moshën 57-vjeçare. Në krah të tij ishin deri në fund familja e tij, bashkëshortja Camilla, katër fëmijët e tij, Pietro, Salvatore, Giuseppe dhe Gabriella dhe gjithashtu nipi i tij 11 muajsh, të ardhur nga SHBA. Mungonte presidenti i Fiorentinës Rocco Commisso, që pritej të mbërrinte pranë shtratit të mikut dhe drejtuesit të tij të mërkurën.

Barone, i cili nesër do të mbushte 58 vjeç, ishte i lidhur me atë që quhet ‘resurrection machine’, një pajisje moderne që përdoret për rastet më të rënda dhe që ka shpëtuar shumë jetë.

Deklarata e fundit e Fiorentinës për gjendjen e tij daton në orën 12:00 të së hënës: “Joe Barone mbetet i shtruar në njësinë e kujdesit intensiv kardiokirurgjik të spitalit San Raffaele në Milano në kushte kritike klinike, pas një arresti kardiak jashtë spitalit. Funksionet vitale mbështeten nga teknikat e mbështetjes mekanike artificiale”.

KOMUNIKATA E FIORENTINËS

“Me dhimbje të thellë dhe pikëllim të jashtëzakonshëm, Fiorentina sot humbet një nga pikat e saj të referencës. Një figurë që ka shënuar historinë e fundit të klubit dhe që nuk do të harrohet kurrë. Drejtori i Përgjithshëm Giuseppe Barone, pas sëmundjes që ndodhi të dielën, humbi jetën sot në spitalin “San Raffaele” në Milano.

Rocco Commisso dhe familja e tij, Daniele Pradè, Nicolas Burdisso, Alessandro Ferrari, Vincenzo Italiano, Cristiano Biraghi dhe e gjithë Fiorentina janë shkatërruar nga humbja e tmerrshme e një njeriu që ofroi profesionalizmin e tij të madh, zemrën dhe pasionin e tij për këto ngjyra, e një miku të disponueshëm dhe gjithmonë të afërt në të gjitha momentet, si ato më të lumturat dhe mbi të gjitha ato më të vështirat.

E gjithë bota Viola mblidhet rreth gruas së tij Camilla, fëmijëve dhe të gjithë familjes Barone, në këtë moment dëshpërimi të madh”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *