• |
ide | kryesore

Intervista e fundit e Ina Kasimatit për Lapsi.al

Lajme, Të fundit



Ka mbyllur sytë përgjithmonë mësuesja dhe aktivistja Ina Kasimati, e cila prej disa vitesh ishte në luftë me një sëmundjen e rëndë të kancerit të gjirit

Përherë një zë i fuqishëm kundër kësaj sëmundjeje, e njëkohësisht pjesë aktive e fushatave kundër dhunës ndaj grave, ajo u shua në vendlindjen e saj Vlorë, ashtu siç e kishte ëndërruar.

Prej dy vitesh është mjekuar në Francë pas sëmundjes së rëndë, të cilën fatkeqësisht nuk ka mundur ta mposhtë.

Muajt e fundit, ajo kishte kërkuar të kthehej pranë familjes në Vlorë nga Strasburgu, ku mbahej në jetë nga aparaturat, prej të cilave nuk mund të shkëputej.

Intervista e saj e fundit ishte për Lapsi.al në muajin tetor të vitit të kaluar. E gjendur e vetme dhe e shtruar në një spital në Strasburg, ku po merrte trajtimin, Ina vendosi të flas pas shumë vitesh edhe një herë për sfidën që jeta i rezervoi asaj.

Mes të tjerash, Ina Kasimati rrëfente për gjendjen “mjeruese” në të cilën ndodhet spitali Onkologjik në Tiranë.

Rrëfimi i fundit i Ina Kasimatit:
“Sepse spitali onkologjik i Tiranës më ishte kthyer në tmerr. Nuk mu dha trajtimi i duhur sipas protokollit kur u operova pasi u diagnostikova për herë të parë në 2018. Më caktuan të trajtohesha vetëm me Tamoksifen . Protokolli përcaktonte edhe Zoladex, pasi kisha ende mensturacione, isha 47 vjeçe. I kam shkruajtur drejtorit të përgjithshëm në QSUT, Ministres së shëndetësisë , por nuk morra asnjë përgjigje. Në fund i dërgova sms Kryeministrit e më pas ma dhanë Zoladexin që kishte disa muaj që mungonte në spital .
Onkologet që më ndiqnin , njëra në spital dhe tjetra në poliklinikë , plotësonin vetëm fletat që më duheshin për të bërë terapinë çdo tre muaj në spital apo analizat, ekot çdo 6muaj. Doktoresha e poliklinikës të priste me një fytyrë të ftohtë , as të ftonte të uleshe në karrige , të mbante në këmbë e të pyeste : Pse ke ardhur? Përse do i bësh analizat ?
Asnjë vizitë kontroll në dhomat e tyre, as ndonjë flet drejtimi për të bërë skanerin, pasi gjatë tre viteve pas operacionit në gji kisha patur edhe dy diagnostikime të tjera tumorale në mitër dhe tiroide.

Zalodexi është një nga medikamentet kryesore për trajtimin e kancerit të gjirit, e si rrjedhoj edhe medikamenti i rëndësishëm në trajtimin e Inës, por që mungonte në QSUT. E gjendur në vështërsi ekonomike dhe neglizhencën e institucioneve, Ina vendosi të kontaktoj me ish studenten e saj në Strasburg që të siguroj trajtimin atje.

Në janar të 2022 kur më filluan shenjat e dhimbjeve të forta në trup, vështirësi në frymëmarja , shkova në spital për terapinë dhe ja tregova doktoreshës gjendjen.
E ke nga lodhja në punë – më tha .

Asnjë vizitë me stetoskop , as të më kontrollonte gjoksin apo zonën ku isha operuar.
Fillova vet të merrem me analizat , eko dhe u diagnostikova me rritje të markusave tumoralë , shenja të kancerit në zonën që isha operuar 3 vjet e gjysëm më parë. I shkrujta doktoreshës në spital sms .Nuk mu përgjigj.
I shkruajta kirurgut që më kishte operuar.Ai më tha hajde shpejt në spital. Të nesërmen e takova dhe më dha fletë për të bërë skaner urgjent. E bëra skanerin dhe doli që kanceri ishte në stad të avancuar dhe mushkritë ishin me ujë. Kirurgu më lidhi me një doktor në Senatorium dhe kërkoi të bëja biopsinë.

Ndërkohë që ikja nga Onkologjiku tek Senatoriumi, kisha kontakte me shoqatën në Boston , Albanians fighting cancer USA , të cilët më mbështetën të parët financiarisht për të realizuar në një spital privat në Tiranë Pet scanerin, si dhe hapën një llogari në internet për të grumbulluar fond për mua që të kisha mundësi të trajtohesha jashtë. Pastaj u organizua edhe një hapje tjt llogarie nga një ish nxënësja ime dhe një mikesh.
Gjatë dy javëve që mblidhej fondi , unë isha e mpirë nga gjendja që po kaloja , dhe nuk e kuptoja se sa shumë miq e mikesha , të njohur e të panjohur derdhnin para në dy llogaritë e hapura ..Sa shumë njerëz më donin (e vazhdojnë të më duan.)..Unë isha spitaleve.Brenda dy javëve kam hequr 3 herë ujë nga mushkria.Bëra edhe biopsinë , dokumentat për raport në punë, proçedurat për pasaportë , pasi më kishte skaduar prej dy vitesh .Gjatë kësaj kohe tre gazetare më kërkuan të dilja në Tv .I kam pranuar ftesat vetëm për të shprehur mirënjohjen të gjithëve që po më mbështesnin , pasi nuk mundesha ti ndiqja në rrjetet sociale .Por në emisionin Weak up në Tchn.e ngacmuar nga historia e mungesës së terapive në spitalin pediatrik ku trajtoheshin fëmijët me kancer , rrëfyer nga gazetari Osman Stafa, unë tregova edhe peripecitë e mia në spitalin onkologjik.

Pas atij programi unë shkova në spitalin onkologjik të merrja rezultatet e biopsisë dhe mbi bazën e të dhënave edhe nga pet scaneri do më jepej terapia.Mirëpo në spital më kishin ndjekur në Tv dhe nuk ju kishte ardhur mirë që kisha folur. Madje kaluan në hakmarrje. Duhet të presësh për përgjigjet specifike të biopsisë. Ndoshta një muaj . Nuk ke terapi për të nisur pa këto të dhëna.
Përse fole në tv?
Ja bëre gjithë këtë luftë të merrje Zoladexin dhe ja ku je tani, prap tu përsërit sëmundje ….
Ti kërkove Zoladexin që mungonte , por që ta kanë dhënë ty , ja kanë hequr një pacienti tjt…

Atë ditë kam qenë në një gjendje akoma më të rënduar dhe kur në mbrëmje më telefonoi një ish nxënësja ime që jetonte në Strasburg e më kishte parë nga tv, vendosa të ikja menjëherë bashkë me djalin , që edhe atij ja nxorra pasaportën brenda 24 orëve.
Në spitalin onkologjik gjithmonë tek dera ishte një polic dhe një koordinator , që i shtynin njerëzit të rrinin në rrugën para spitalit dhe të hynin kur i thërrisnin ata.Pastaj hyje në spital e prisje sërisht në këmbë( edhe një orë ndodhte ) tek dera e doktoreshës .Hyje tek dhoma e saj e vogël , ku ishte edhe një doktor tjt me pacientin e vet, një komunikim i përgjithshëm plotësim kartele , merrja Zoladexin tek farmacia e spitalit pastaj e bëja tek salla e kemioterapive. Kjo terapi ishte si një vaksinë , rrija 2-3 min.dhe ikja me vrap nga spitali.

Në atë spital kam bërë edhe një vizitë gjinekologjike me shefen e spitalit , pasi më përpara kisha bërë një vizitë në Spitalin onkologjik të Barit dhe atje onkologia konstatoi që nuk më ishte dhënë terapia e duhur , kurse gjinekologia konstatoi diçka që duhet ta konsultoja me një kirurge gjinekologjie në Tiranë.

Vizita në spitalin onkologjik që më bëri shefja ,Dr.Çeliku , në dhomën e gjinekologjisë ( çuditërisht më e madhja në katin e parë, përball dhomës së vetme të kimioterapive , pa tualet dhe pa një perde për të siguruar privatësinë pacientes gjatë vizitës ) do ishte për mua një tmerr tjetër.Unë u vizitova në prani të pacienteve të tjera që ishin në dhomë, specializantëve , kolegëve të tjerë të doktoreshës , e cila nuk më tha asgjë rreth asaj që kisha shkuar e të konsultohesha. Si mbaroi vizitën doktoresha , e pyeta rreth problemit tim dhe ajo para të gjithëve më kërkoi të ngrija edhe njëherë fustanin e të më shihte . Kam ndjerë neveri sesi mund të trajtohet kështu një pacient. Mua më ishte caktuar në fillim terapia vetëm me Tamoksifen , dhe onkologët dhe gjinekologët e dinë shumë mirë që kjo terapi në efektet anësore në mitër.
Unë nuk morra asnjë këshillë nga doktoresha e as nga kolegët e saj në atë dhomë , përveç njërit që më tregoi një shifër të grave që mund të kishin pasoja në mitër , kur diagnostikoheshin me kancer në gji
Atë ditë nga spitali kam ikur me vrap e me të qara , njësoj si ditën që u diagnostikova për herë të parë me kancer.
Unë ndoqa këshillën e gjinekologes në spitalin e Barit, që më vizitoi e më bërë pap testin , për të patur mitrën më shumë në kontroll me vizita .Dhe pas 5 muajsh që isha operuar në gji, unë hyra prap në sallë të operacionit për të hequr dy polipe të mëdhaja në mitër që ishin zhvilluar gjatë kësaj periudhe.Por operacionin e bëra në spitalin * Koço Glozheni*…..

Ina Kasimati tregoi ndryshimet mes dy institucioneve spitalore obkologjike, atë të Tiranë dhe të Francës.

Unë kam ardh në Francë dhe po shoh që ndryshime me spitalin onkologjik të Tiranës është si dita me natën që kur hyn në spital , komunikimi me pacientin, protokolli që ndiqet bëhet nga një grup mjekësh përveç onkologut, ndjekja me analiza hap pas hapi, bëj fizioterapi ,
Në fakt sëmundja ka avancuar , me metastaza .Doktori më ka ndryshuar 4 terapi dhe tani do marr të 5.Asnjëherë doktori nuk është bërë pesimist .Gjithmonë më jep shpresë për trajtimin .Më sqaron për efektet e terapisë e marr trajtinet përkatëse.
Tani jam lidh edhe me një shoqatë që mbështet pacientët me kancer dhe do të nis falas trajtimin estetik të fytyrës , masazhe, Yoga , këshillim me dietolog, psikologen, me një grup çdo të enjte do bëj marshim nordik….

Unë do të doja të kthehesha në Tiranë , sepse aty kam punën , familjarë, miq e mikesha , njerëz që i dua e më.duan e që më mungojnë shumë , por gjëndja shëndetsore më kushtëzon shumë. Kam vetëm një sigurim shëndetësor që më mundëson ti marr falas shërbimin, ilaçet, analizat , por nuk kam mbështetje tjetër financiare. Shpresoj shumë të përmirësohem e të kthehem në Tiranë, por kontrollet do doja ti mbaja me spitalin ICANS këtu në Strasburg ose në ndonjë spital tjt jashtë Shqipërisë…Kur në ndonjë moment mendoj spitalin onkologjik të Tiranës ende më bën të ndjehem keq….
Edhe kur dua të jap mesazh për diagnostikimin e kancerit të gjirit , them me vete…Diagnostikohu , por ik në një spital në Greqi, Turqi, Itali, Spanjë, Francë, Gjermani, Austri…Nëse ke njerëz që të ndihmojnë , ik…



5 Comments

  1. Tmerr. Me vjen shume keq per zonjen qe ka kaluar kete rrufe te gjate e te veshtire. Fatkeqesisht, nuk ia doli 🥲

    1. Sistemi mjeksor lëndon nga korrupsioni galoçant i 34 viteve, por sigurisht ket dekade ka shpërthyer bomba. Vetem batanije supe dhe serume gjenden ne spitale

  2. Paska shpëtuar!

    Në spitalet tona shumica e mjekëve dhe infermiereve, më shumë duken se punojnë punë të detyruar dhe jo se paguhen, biles edhe me ryshfete. Mungon edhe minimumi i njerzillëkut!

  3. Në spitalet tona punojnë vetëm -veterinerë dhe zoteknikë-të kohës se mjekët dhe infermierët e mirfilltë kanë marrë arratinë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *