• |
ide | kryesore

Kombëtarja, kampionatet dhe e drejta televizive: rrëfimi 360 gradë i Presidentit të FSHF-së Duka

-Instant, F1, Sport, Video
Duka



Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka dhënë së fundmi një intervistë për fshf.org, ku ka analizuar disa tema mjaft të rëndësishme, duke nisur me Kombëtaren A, ekipin Shpresa, ekipet kombëtare të moshave, kampionatin ‘Abissnet Superiore’ dhe Kategoria e Parë, kampionati i moshave, projekti ‘100 Fushat’ dhe projekti ‘Uniforma Ime’, e drejta televizive dhe planet e së ardhmes.

Fillimisht kreu i qeverisë së futbollit shqiptar u ndal te suksesi i dyfishtë i Shqipërisë ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, dy ndeshje të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’. Presidenti Duka u shpreh se skuadra ka bërë vetëm detyrën në këto dy ndeshje, ndërsa nënvizon se dy takimet deçizive të Shqipërisë janë në muajin shtator, kundër Çekisë e Polonisë.

Numri një i FSHF-së jep një mesazh edhe për ekipet shqiptare që nisin nesër rrugëtimin në Kupat e Europës, ndërsa komenton edhe rikthimin e Skënderbeut dhe Dinamos në kampionatin ‘Abissnet Superiore’ si edhe garën e fortë që pritet këtë sezon në kampionatin e Kategorisë së Parë. Presidenti Duka shpjegon arsyen e ndërprerjes së kontratës së të drejtës televizive me kompaninë ‘Oversport’ dhe çfarë pritet në vijim.

Lexo më tej: Raport i ngushtë me Ceferin, Duka ngjit shkallët: zgjidhet kryetar i Komisionit të Medias në UEFA

– President, u mbyllën dy ndeshje të sukseshme në muajin qershor për ekipin Kombëtar. Si e keni parë skuadrën në këto eliminatore?

– Kanë qenë dy nga ndeshjet më të rëndësishme të grupit sepse konsiderohen si të lehta në letër ose ekipet në përgjithësi kanë një lloj nënvlerësimi. Por në këtë grup asnjë ekip nuk është i dobët dhe fatmirësisht ekipi ynë e kaloi me sukses, duke i vlerësuar maksimalisht të dy kundërshtarët, me një paraqitje të mirë dhe me një rezultat pozitiv. Nëse do të kthehemi dhe të shohim rezultatet, fatmirësisht nuk pësuam atë që pësoi Polonia në Moldavi. Por me gjithë optimizmin, frymën e mirë, kënaqësinë e lojtarëve dhe tifozëve, në një lloj mënyre, kemi bërë vetëm detyrën për të shkuar aty ku duhet të shkojmë. Që të shkojmë në Europian duhet të bëjmë akoma edhe më mirë në shtator. Nëse nuk bëjmë mirë në shtator, atëherë do të rrëzojmë edhe punën që kemi bërë në qershor” gjykoi Duka.

– Çfarë prisni nga dy finalet e muajit shtator, nëse mund t’i konsiderojmë të tilla?

– Janë dy ndeshje shumë deçisive, Çekia është ‘kapo’ i grupit dhe Polonia është pretendenti për të qenë në vendin e parë ose të dytë. Ne gjithashtu. Besoj se shtatori do të japë 80% të pamjes se si do të jetë klasifikimi për të qenë se si do të jetë klasifikimi për të qenë pjesë e ‘EURO 2024’. Por nuk do të më pëlqente të thoja dy finale, do të thoja një. Le të shohim Çekinë, një ndeshje shumë e rëndësishme. Çekia është në një moment euforik, të mirë. Ka bërë disa rezultate pozitive, pavarësisht barazimit në Moldavi. Ka fituar kundër Polonisë, është në vendin e parë në grup. Ne duhet të shkojmë aty për t’i sfiduar ata në Çeki. Për të bërë një rezultat pozitiv, për të fituar apo barazuar ndeshjen. Nëse nuk bëjmë rezultat pozitiv në këto dy ndeshje, atëherë do të jetë e vështirë rruga jonë për në Europian.

– Ekipi U-21 luajti miqësoren e fundit përpara debutimit në eliminatore në muajin shtator. Një gjykim për skuadrën e 21 vjeçarëve dhe a besoni te kualifikimi këtij brezi?

– Nuk dua të nxitohem apo të bëj deklarata, por në përgjithësi mendimi i ekspertëve apo teknikëve jo vetëm të FSHF-së, por të gjithë atyre që kanë parë përgatitjet për ndeshjen miqësore kundër Bullgarisë është që kemi elementë pozitivë në ekipin U-21. Nuk nisem vetëm nga rezultati 3-1 ndaj Bullgarisë. Pa dyshim që është i mirë, pasi nëpërmjet fitoreve rritesh akoma më shumë, por edhe nga performanca e ekipit dhe nga përbërja e tij. Jam shumë i kënaqur që sa më shumë nga ata lojtarë të vijnë në ekipin kombëtar A dhe pse jo të shkojnë edhe në Europian. I kanë të gjitha mundësitë, është ekip i mirë, besoj dhe kompetitiv. Por duhet mos të nxitohemi dhe të presim ndeshjet zyrtare për të parë sesa mund të bëjnë dhe sesa larg mund të shkojnë.

– Kthehemi pak te gara. Nesër nis rrugëtimi i ekipeve shqiptare në Kupat e Europës. Keni një mesazh?

– Urojmë që të kemi rezultate pozitive për të katër skuadrat tona në Europë. Të katër kanë kundërshtarë që janë të kalueshëm. Por, varet nga përgatitja që ato kanë bërë dhe nga mënyra se si ekipet do të luajnë. Nuk është e njëjta gjë, çdo kompeticion ka specifikat e veta. Janë kompeticione me sistem eliminimi dhe gabimet duhet të jenë minimale. Kështu që duhet të jesh pragmatist për të bërë rezultat pozitiv. Kam shumë besim te katër ekipet, që të kalojnë të paktën turin e parë. Pa dyshim që nëse kalojnë turin e parë, fillojnë dhe gjërat vështirësohen edhe më shumë. Por, pse jo, uroj që të shohim sa më shumë futboll ndërkombëtar me klubet, për të arritur edhe në muajt e vjeshtës.

– Po afron sezoni i ri i Abissnet Superiores ku rikthehen dy emra historik si Dinamo dhe Skëndërbeu. Si e shikoni këtë sezon të ri që është në prag?

– Kampionati ynë ka një karakteristikë. Jo vetëm sezoni që presim, por e gjithë historia e kampionateve tona, ka shumë kompeticion deri në javën e fundit. Të 10-ta ekipet kanë qenë në nivele të përafërta me njëri-tjetrin dhe shohim kampionatin që sapo mbyllëm apo edhe atë paraardhës, janë kampionate që mbyllen në fund. Rikthimi i dy emrave me traditë si Skënderbeu, që ka fituar 6 tituj kampion rresht, apo Dinamo me një histori të madhe është një vlerë e shtuar për kampionatin në emra. Por duhet të jetë edhe vlerë e shtuar sportivisht, për nga ekipet, përbërja e tyre dhe kontributi që do të japin në kampionat. Uroj që të jetë një kampionat akoma më i mirë se i kaluari”.

“Ne kemi nisur një process diskutimi bashkë me pjesëmarrësit në garë të kampionatit ‘Abissnet Superiore’ – sqaroi Duka – për të ndryshuar skemën e kampionatit në këtë sezon apo në sezonin e ardhshëm. Ideja është që duke pasur parasysh që ndeshjet derbi kanë më shumë interes dhe janë më të shikuara nga publiku, të ofrojmë më shumë ndeshje të nivelit kompetitiv garës së lartë si derbi dhe do ta diskutojmë edhe me klubet nëse mund të kemi një gjë të tillë, me 10 skuadra, por në një mënyrë ndryshe që t’i ofrojmë sa më shumë garë dhe kompeticion spektatorëve dhe tifozëve dhe të kemi më shumë kompeticion për futbollin shqiptar.

– Do kemi një Kategori të Parë me 12 skuadra, me emra të mëdhenj të futbollit shqiptar dhe skuadra me infrastrukturë dinjitoze. Besoni se do të rritet më shumë cilësia?

– Po t’i shohësh emrat, janë emra që të gjithë kanë luajtur gjatë historisë së tyre në Kategorinë Superiore ose në Kategorinë e parë të asaj kohe. Janë emra të mirë. Unë besoj se është një kampionat i bukur, mbase afërsisht si kampionati i Kategorisë Superiore, pavarësisht se është Kategoria e Parë. Këtë e them duke pasur parasysh emrat që ka, Elbasani, Lushnja, Flamurtari e ekipe të tjera. Kështu që gara edhe aty do të jetë e fortë. Edhe ajo për vetë formulën që ka, është një garë që i lë emocionet deri ditën e fundit për të vendosur se kush ngjitet në Kategorinë Superiore apo për të rënë më poshtë.

E gjithë administrata e FSHF po vazhdon përgatitjet për ta përgatitur sa më mirë edhe këtë garë, si Kategoria Superiore dhe gjithë garat e tjera. Pavarësisht se duket në sipërfaqe se futbolli është pushim, në fakt është në punë. Administrata dhe ekspertët punojnë akoma më shumë tani për të përgatitur të gjithë infrastrukturën e domosdoshme dhe të nevojshme për të qenë gati në sezonin e ri që starton në gusht.

– E drejta televizive aktualisht është në ajër. U zgjidh kontrata me Oversport. Çfarë po ndodh me të drejtën televizive?

– Kemi ndërprerë kontratën me “broadcaster”-in që kishim për transmetimin e kampionatit shqiptar, për mos respektim të kushteve të kontratës. Kemi qenë të detyruar për të filluar një proces të ri, proces i cili konsiston në ofrimin në treg të të drejtave televizive, tashmë të lira, pa asnjë detyrim me partner tjetër. Do të shohim se çfarë do të ofrojë tregu, çfarë do të ofrojnë televizionet. Stafi i FSHF ka përgatitur mënyrën se si do t’i ofrohet tregut, diferencimin e paketave të ndryshme, qoftë për të pasur të drejtën e golave në vete, të drejtën e transmetimit, ekskluziv, jo ekskluziv”, tha Duka.

“Të gjitha këto bëhen për të arritur në një pritshmëri financiare që ne kemi – tha Duka – ose në shifrën që ne kemi objektivat apo kishim vitin e kaluar për klubet. Nëse tregu nuk do të ofrojë këtë, padyshim kemi edhe një plan të dytë. Gjithsesi duam t’i ofrojmë në mënyrë kualitative shikuesve, por edhe klubeve financat e pritshme brenda pritshmërive. Ka një ndryshim, kemi ndryshuar prodhuesin teknik të ndeshjeve, për të pasur një produkt sa më të mirë, sa më të kënaqshëm për spektatorët në ekran.

– Përpara se ta mbyllim këtë intervistë, duam t’ju pyesim në lidhje me Kampionatin Europian të 19-vjeçarëve ku Shqipëria ka hedhur kandidaturën e saj. Çfarë po ndodh dhe si i shikoni shanset tona për të sjellë një tjetër kompeticion të rëndësishëm europian në Shqipëri?

– Jemi një nga aplikantët për Euro 2025 dhe Euro 2026 të U-19. Po vazhdojmë me kompletimin e dosjes. Uroj të jemi të suksesshëm dhe të miratohet. Gjithsesi, unë jam shumë i sigurt që ne do të organizojmë një kompeticion të rëndësishëm europian në Shqipëri, U-19 ose më shumë. Shpresoj që të jemi vërtetë fitues në këtë kompeticion U-19. Jemi në rrugën e mbarë, po përgatisim gjithçka, kriteret pothuajse po i plotësojme, edhe ato infrastrukturore. Bashkëpunimi me të gjithë aktorët në vend është i mirë dhe do jemi në kohë për të qenë konkurrent dinjitoz për ta fituar atë” e mbylli Duka.

https://youtu.be/MT2YTU3fkiQ



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *