• |
ide | kryesore

Ç’dimë deri tani/ Pse anija Dali u përplas me urën e Baltimores

Arkiva, Kryesore, Lajme
Baltimores



Në orët e para të mëngjesit të së martës një anije me kontejnerë u përplas në Urën historike Francis Scott Key pranë qytetit amerikan të Baltimores, duke shkaktuar shembjen e pjesës më të madhe të saj. Disa automjete që gjendeshin në urë në atë moment u zhytën në ujërat e lumit Patapsco dhe ekipet e shpëtimit janë ende në kërkim të 6 personave që besohet të jenë në lumë.

Guvernatori i Maryland, Wes Moore ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe Porti i Baltimores po qëndron i mbyllur për të gjitha anijet. Presidenti Joe Biden u zotua se qeveria federale do të mbulojë “të gjithë koston” e rindërtimit të urës dhe rihapjes së portit.

Çfarë dimë për urën?

Ura e Baltimores, e njohur thjesht si Ura e Key, u hap në vitin 1977 për nder të Francis Scott Key, një poet i Maryland-it të shekullit të 19-të, i cili shkroi fjalët e himnit kombëtar të SHBA-së. Ura ishte 2.6 km e gjatë dhe shtrihej në lumin Patapsco dhe portin Baltimore. Lumi derdhet në gjirin Chesapeake, grykëderdhja më e madhe në SHBA.

Key Bridge datapic

Ajo përshkruhet si një urë e vazhdueshme me harqe, dhe hapësira e saj kryesore prej 1200 metrash ishte e treta më e gjatë e çdo ure të llojit të saj në botë. Pamjet video nga incidenti tregojnë urën duke u rrëzuar menjëherë pasi anija e kontejnerëve Dali goditi një nga shtyllat e saj. Kjo ndodhi rreth orës 01:30 me orën lokale të së martës.

Urat e famshme

8 persona, të gjithë pjesë e një kompanie ndërtimi të kontraktuar për të rregulluar gropat dhe për të bërë riparime u panë mbi urë në atë moment. Në orën 01:50 njësiti i parë i zjarrfikësve mbërriti në vendngjarje dhe raportoi shembjen e plotë të urës. Një operacion i madh kërkim-shpëtimi është duke u zhvilluar, ku zhytësit po kërkojnë viktimat në ujërat e akullta të lumit.

Zyrtarët thanë se kishte “disa ngarkesa ose mbajtëse të varura në urë”, duke krijuar kushte të pasigurta dhe të paqëndrueshme dhe se ekipet e shpëtimit të emergjencës po vepronin me kujdes. Deri më tani 2 persona janë nxjerrë nga uji, njëri në gjendje të rëndë dhe një tjetër me sa duket i padëmtuar. Temperatura e ujit në port aktualisht thuhet të jetë rreth 9C. Hipotermia mund të ndodhë kur temperatura e trupit të një personi bie nën 35C. Zyrtarët e zjarrfikësve në Baltimore thanë se automjetet ishin zbuluar në ujë me sonar.

Çfarë dimë për anijen?

Anija e kontejnerëve Dali me flamur të Singaporit u ndërtua fillimisht për pronarin grek të anijeve Oceanbulk nga Hyundai Heavy Industries e Koresë së Jugut. Aktualisht ajo operohet nga kompania e anijeve Synergy Group dhe ishte marrë me qira përkohësisht nga gjigandi i transportit të kontejnerëve Maersk, u tha në një deklaratë të saj.

Dali datapic

Maersk shtoi se po transportonte ngarkesa për klientët e saj, por se asnjë personel i kompanisë nuk ishte në bord në atë kohë. Anija u nis nga terminali detar i Baltimores Seagirt rreth orës 00:24 me orën lokale të së martën, rrugës për në Colombo të Sri Lanka. Shpejtësia e anijes po rritej vazhdimisht dhe mbajti një rrugë të drejtë në jug-lindje përgjatë lumit Patapsco.

Ndryshimi i kursit të anijes

Më pas në orën 01:25 të dhënat e MarineTraffic tregojnë se anija papritur devijoi nga rruga e drejtë dhe filloi të ngadalësojë. Rreth kësaj kohe, video tregon se të gjitha dritat në pjesën e jashtme të anijes u fikën papritmas dhe një tym filloi të dilte nga hinka e anijes. Menjëherë pas kësaj ajo goditi urën. Një sinjal maji u dërgua kur anija po i afrohej urës, gjë që u dha autoriteteve kohë të ndalonin makinat që lëviznin në urë dhe të “shpëtonin jetë”, tha Guvernatori Moore. Ai tha se anija kishte lëvizur “shumë, shumë shpejt” me afërsisht 15 km/h.

Course of ship

Një memo e paklasifikuar nga Agjencia Amerikane e Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës, e publikuar nga CBS thotë se Dali kishte pësuar defekt. Synergy tha se ekuipazhi, të cilët janë të gjithë nënshtetas indianë, dhe dy pilotët në bord i kishin kontaktuar të gjithë dhe nuk kishte raportime për ndonjë lëndim. Kompania tha se kishte disa shpjegime të mundshme për incidentin, por se, me dy pilotë të pranishëm, një përplasje e tillë ishte e pazakontë.

Timeline of ship's movements

Një ekspert i transportit i tha BBC-së se përplasja mund të ishte shkaktuar nga dështimi i motorit, dështimi i drejtimit ose ndërprerja e gjeneratorit. Ky nuk është incidenti i parë që Dali përfshihet. Teksa përpiqej të largohej nga porti i Antëerp-it në Belgjikë në vitin 2016, anija gërvishti pjesën e pasme të saj përgjatë kalatës duke dëmtuar bykun. Nuk pati raportime për lëndime apo derdhje.

Cili do të jetë ndikimi i shembjes së urës?

Vendndodhja e urës nënkupton se do të ketë ndërprerje të mëdha në trafikun rrugor për muajt dhe madje edhe vitet në vijim. Aktiviteti i transportit detar në portin e Baltimores do të ndikohet rëndë. Ura me 4 korsi ishte pjesë e Interstate 695, unaza e jashtme rreth qytetit të Baltimores e njohur si “Baltimore Beltway” dhe numëronte rreth 11.5 milionë automjete në vit.

Do të ketë mundësi të kalohet porti i Baltimorit me një tunel më afër qytetit, por autoritetet lokale kanë shpallur një “alarm të madh trafiku”, duke parashikuar probleme të trafikut pas incidentit. Shembja e urës do të jetë, veçanërisht, një problem i madh për kamionët që transportonin materiale të rrezikshme, të cilët mundën të kalonin urën, por janë ndaluar në rrugën alternative e tunelit.

map showing location of bridge

Incidenti ka krijuar jo më pak problem për transportin. Sekretari Amerikan i Transportit Pete Buttigieg nuk pranoi të jepte një afat kohor për mbylljen e portit, por tha se do të ketë një “ndikim të madh dhe të zgjatur në zinxhirët e furnizimit”. Eksperti i transportit të kontejnerëve Lars Jansen tha se ajo që kishte ndodhur ishte një “katastrofë e madhe” e cila “do të krijonte probleme të rëndësishme në Bregun Lindor të SHBA për importuesit dhe eksportuesit amerikanë”.

Vlerësohet se rreth 800 mijë automjete kaluan përmes portit në vitin 2023, duke lëvizur një rekord prej 1.3 milion ton ngarkesa të importuara. Megjithatë, Jansen thotë se ndërsa do të ketë disa vonesa dhe kosto të shtuara, nga një këndvështrim global incidenti nuk do të ketë një ndikim të rëndësishëm. ©BBC, LAPSI.al



6 Comments

    1. Ku e di ti, ke shtire fall?
      Lexo pak dhe do kuptosh qe rastet e goditjes se urave ne Amerike jane te shumta.
      Ju beni sikur dini cdo gje ne kete bote!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *