• |
ide | kryesore

Shembja e urës në Baltimore/ 6 persona të zhdukur, zvogëlohen mundësitë për të gjetur të mbijetuar

Lajme, Planet



Kërkimet për gjashtë personat e zhdukur pas shembjes së urës në Baltimore të SHBA, të cilët mendohet se kanë ndërruar jetë, vazhdojnë. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të së martës, kur një anije mallrash u përplas me shtyllën e urës, duke shkaktuar shembjen e saj.

Policia e shtetit të Maryland dhe zyrtarët e Rojës Bregdetare të Shteteve të Bashkuara thanë se dukshmëria e ulët dhe rrymat e ujit kanë vështirësuar punët e ekipeve të kërkimit.

“Bazuar në kohëzgjatjen e kërkimeve të kryera dhe temperaturën e ujit, aktualisht vlerësojmë se nuk do të gjejmë njerëz të gjallë ”, shpjegoi zëvendësadmirali Shannon Gilreath gjatë një konference për shtyp.

Një ditë më parë, dy persona arritën që të nxirreshin të gjallë nga uji, njëri prej të cilëve është rëndë. Gjashtë që supozohet se kanë vdekur përfshinin punëtorë nga Meksika, Guatemala dhe El Salvadori, sipas Konsullatës meksikane në Uashington.

Clay Diamond, drejtor ekzekutiv dhe këshilltar i përgjithshëm i Shoqatës Amerikane të Pronarëve të Anijeve, tha se kapiteni i anijes që u përplas në urën e Baltimores të martën bëri “gjithçka që mund të bënte” për të ngadalësuar anijen dhe për ta shmangur atë të lëvizte drejt urës.

“Disa minuta para urës kishte një ndërprerje totale në anije, që do të thotë se anija humbi fuqinë e motorit dhe fuqinë elektrike, ishte një ndërprerje totale”, tha ai për CNN.

Kapiteni dha urdhër që ta kthente timonin sa më shumë që të ishte e mundur dhe të hidhte spirancën, ndërsa kontaktoi zyrën e dispeçimit për të mbyllur trafikun drejt urës. Megjithatë, ai shtoi se me kaq pak kohë, asnjë nga këto manovra nuk ishte e mjaftueshme.

Si u shmang një tragjedi më e madhe?

Autoritetet në Baltimore vepruan me shpejtësi, duke mbyllur menjëherë urën Key për trafikun pak para se anija e mallrave “Dali” të përplasej me të dhe të shkaktonte shembjen e saj. Ky vendim duket se ka parandaluar një fatkeqësi edhe më të madhe.

Sipas CNN, zyrtarët u informuan se “anija kishte humbur timonin” dhe po shkonte me shpejtësi drejt urës dhe veproi menjëherë për të mbyllur trafikun.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *